Sot fillon Festivali i Prozës Artistike “FICTION FEST”

Sot fillon edicioni i  dytë i Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” .

Organizator kryesor i këtij festivali është Qendra për Kulturë dhe Edukim “SHESHI”, ndërsa organizator ndihmës është “EUROPE HOUSE.”

Dashamirësit e prozës artistike do të kenë rastin të takohen me këta shkrimtarë, që do të na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre, e që janë: Roland Bartezko (Gjermani), Agron Tufa (Shqipëri), Roland Orçik (Hungari), Jurij Hudolin (Slloveni), Agron Y. Gashi (Kosovë), Rrahman Paçarizi (Kosovë), Erenestina Halili (Shqipëri), Ilire Zajmi (Kosovë), Jasna Dimitrijevic (Serbi), Albin Mehmeti (Kosovë), Shefqet Bylykbashi (Kosovë) dhe Elida Rrusta (Shqipëri).

Shkrimtarët e mësipërm do të lexojnë pjesë të zgjedhura nga proza e tyre artistike, si dhe do të bashkëbisedojnë me të pranishmit lidhur me artin e tyre krijues dhe projektet e tyre të ardhshme në fushën e prozës.

Mbrëmja e parë dhe hapja e “FICTION FEST”- edicioni i dytë do të mbahet me datën 08 nëntor, 2019, ora 19:00, në ambientet e “EUROPE HOUSE”, rr. UÇK, nr. 90, te Qafa, përballë Komunës së Prishtinës (ish-objekti i ProCredit Bankës).

Në mbrëmjen e parë do të kemi rastin dhe kënaqësinë t’i takojmë dhe t’i dëgjojmë këta shkrimtarë: Roland Orscik, Rrahman Paçarizi, Erenestina Halili, Ilire Zajmi, Albin Mehmeti dhe Shefqet Bylykbashi.

Mbrëmja e dytë mbahet me datën 09 nëntor, 2019, ora 19:00, në ambientet e “EUROPE HOUSE” dhe do të kemi rastin dhe kënaqësinë t’i dëgjojmë dhe t’i takojmë këta shkrimtarë: Roland Bartezko, Agron Tufa, Agron Y. Gashi, Ilire Zajmi, Jasna Dimitrijevic dhe Elida Rrusta.

Ndërkaq, në ditën e tretë (10.11. 2019) shkrimtarët do ta vizitojnë Janjevën, fshat-simbol të traditës dhe multikultaralizmit, ku në ora 12:00 në shtëpinë-muze të Shtjefën Gjeçovit do të kemi lexime të prozës artistike nga shkrimtarët pjesëmarrës në “FICTION FEST”

Edicioni i dytë i festivalit të prozës artistike “FICTION FEST” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës, programi “Kultura për ndryshim”, i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe i implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut.

Sponsorë medialë të edicionit të “FICTION FEST” janë gazeta online “Insajderi”, portali për kulturë, letërsi e art “Observerkult” dhe revista për kulturë dhe media “Akademia”.

Pjesëmarrësit:

Agron Tufa është një emër që i jep vlerë dhe e nderon Festivalin e Prozës Artistike “FICTION FEST”- edicioni i dytë. Jemi të lumtur që e kemi në mesin tonë njërin nga zërat më reprezantitativë të letërsisë së sotme shqipe. Veprat e tij letrare janë vlerë e shtuar në letërsinë shqipe.

Agron Tufa u lind në Dibër më 1 Prill 1967. Ai është një poet, shkrimtar, eseist, përkthyes dhe studiues. Ai studioi gjuhën dhe letërsinë shqipe në Universitetin e Tiranës dhe vazhdoi studimet në Institutin e Letërsisë “Maxim Gorky” në Moskë, Rusi. Pastaj, ndoqi studimet pasuniversitare në Institutin e Kulturave Evropiane (IEK), po ashtu në Moskë. Në Shqipëri ai mbrojti doktoratën e tij për Filozofinë dhe Teorinë e Përkthimit. Ai është Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Studime të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri. Njëkohësisht është ligjërues në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë (Universiteti i Tiranës).

Agron Tufa ka botuar përmbledhje me poezi, romane, ese, tregime etj. Veprat e tij me poezi janë: “Te portat Skee”, “Rrethinat e Atlantidës”, “Avangardë engjëjsh”, “Fryma mbi ujëra”, “Fragmentet e Gjësë”, “Kafsha apo Fantazma”.  Tufa është autor i romaneve “Dueli”, “Fabula Rasa”, “Mërkuna e Zezë”, “Tenxherja”, ” Gurit të varrit ia rrëfej”,  përmbledhjes me tregime “Thembra e Akcilit.” Po ashtu, ai ka botuar edhe këto vepra me ese “Janusi qindfytyrësh”, “Kuja e Mnemozinës” dhe “Nga hiri i të vdekurve”. Tufa i ka përkthyer në shqip shumë autorë të rëndësishëm rusë, si Osip Mandelstam, Anna Akhmatova, Marina Cvetaeva, Boris Pasternak, Joseph Brodsky, Olga Sedakova, Nikolay Leskov, Yevgeny Zamyatin, Andrey Platonov, Vladimir Nabokov etj.

Është laureat i shumë shpërblimeve letrare, ku vlen ta përmendim çmimin “Penda e Argjendtë” për romanin më të mirë (“Fabula rasa”). Në vitin 2009 merr Çmimin Kombëtar të Letërsisë. Në vitin pasues, 2010, ai merr çmimin “Rexhai Surroi” në Kosovë për romanin  “Tenxherja”. Ndërsa, në vitin 2016 merr shpërblimin “Autori i vitit” nga Panairi i Librit në Tiranë.

Këtë vit, në edicionin e dytë të Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” do të na nderojë me praninë e tij shkrimtari e profesori i gjuhësisë, Rrahman Paçarizi. 

Ai u  lind më 3 maj 1972 në Dragobil, ku ka kryer edhe shkollën fillore. Shkollën e mesme e kreu në Malishevë e Rahovec, ndërsa studimet në Prishtinë. Doktoroi në Prishtinë më temën “Aspekte psikosociolinguistike të akceptimit të shqipes standard në Kosovë”.

Punon në departamentin e Gjuhës shqipe dhe atë të Gazetarisë në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinë, ku ka nisur më 1996. Më 2013 ka marrë thirrjen Profesor i asocuar.

Rrahman Paçarizi ka mbajtur mësim në universitete të ndryshme në Europë, si në Pragë, Berlin, Poznan, Torun,  Kopër e Venedik.

Rrahman Paçarizi ka botuar punime të shumta në revista të ndryshme shkencore, vendore e ndërkombëtare. Gjithashtu ka botuar monografitë “Shqipja standarde në parametrat psikolinguistikë” e “Konversioni në gjuhën shqipe”, si dhe librat profesionalë për nevoja të studentëve “Radiogazetaria” e “Fjalor i termave të psikolinguistikës”.

Ka botuar dy përmbledhje me poezi “Shiu i vdekjes” 1994 dhe “Prapë vonë” 1997. Më 2019 ka botuar romanin “Shtatë udhë”.

Shkrimtarja Ilire Zajmi po ashtu eshte pjese e edicionit te Fiction Fest.

Ilire Zajmi, pjesë e edicionit të dytë të “FICTION FEST”

Ilire Zajmi u lind në vitin 1971 në qytetin e Prizrenit. Shkruan poezi, prozë dhe publicistikë. Është autore e pesë vëllimeve me poezi, tri në gjuhën shqipe, si “Kambanat e mëngjesit”, “Baladë e bardhë”, “Valsi i mesnatës”, një në gjuhën portugeze “Amnesia” dhe një në gjuhën franceze “C’est a fin”. 

Autore e dhjetë librave. Zajmi është autore e dy romaneve “Fashitja e ëndrrave rebele” dhe “Era”, të botuara në gjuhën shqipe. Ajo në vitin 1999 botoi librin publicistik “Një tren për Bllacë” në bashkëautorësi me gazetarin italian, Filipo Landi, që zgjojë interesim si te lexuesi shqiptar, po ashtu edhe te ai italian. Zajmi, po ashtu, është autore edhe e librit studimor “Pamjet televizive dhe realiteti”.

Poezitë e Zajmit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Ajo është paraqitur me poezi në shumë antologji ndërkombëtare, si në Itali, Ukrainë e Tajvan.

Zajmi është fituese e çmimit për poezi “Venttenale”, në  Milano të  Italisë, në edicionin e vitit 2011. Ajo, gjithashtu, është fituese e “Naji Naman Literary Prize” në Liban, 2018, dhe fituese e çmimit të parë për poezi në “Mitingun e Poezisë”,  Kosovë 2013.

Agron Y. Gashi, pjesë e edicionit të dytë të “FICTION FEST”

Agron Gashi është njëri nga zërat më atraktivë e më të veçantë në prozën shqipe që zhvillohet në Kosovë. Është vlerë e shtuar e mendimit dhe shkrimit të letërsisë së sotme shqipe.

Ai u lind në Papiq të Deçanit më 1977, ku ndoqi shkollimin fillor dhe te mesëm. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Filologjisë, dega e Letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku mori titullin Magjistër i Shkencave Filologjike me temën “Autobiografia në letërsinë shqipe”. Njëkohësisht ka përfunduar studimet në Fakultetin Filozofik, dega e Shkencave Politike dhe e Administratës publike. Ndërsa, në Universitetin e Tiranës mori gradën Doktor i Shkencave për studime letrare. Është ligjërues bashkëpunëtor në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe kryeredaktor i revistës letrare Jeta e Re (2013-). Punon si mësimdhënës në Shkollën Jopublike “Mileniumi i Tretë”.  Një kohë ka drejtuar revistën për art, kulturë dhe letërsi “ProCult”(2007). Shkrime e tij studimore dhe artistike janë përkthyer edhe në gjuhë të huaj.  Romani i tija “Talianka” konsiderohet si romani i parë i Kosovës i përkthyer në gjuhën italiane.

Veprimtaria e tij studimore dhe artistike përmblidhet në këta libra:

  1. Autopoetika – Modelet narrative autobiografike (studim, 2009),
  2. Mizanteksti – Poetika, sisteme, autorë, vepra (studim, 2012),
  3. ‘Talianka- Intermexo nga jeta e një heroi (roman, 2012),
  4. Rrëfimet e maestros- Dialog me avangardistin e viteve ’70-të – Musa Ramadanin (2014),
  5. Talianka- Intermezzo sulla vita di un eroe, Enseble, Romë, 2016,
  6. Proza autobiografike- Poetika dhe modele (studim, 2017).

Pjesemarresi tjeter Roland Orcsik është njëri nga shkrimtarët më interesant të gjeneratës së re të shkrimtarëve hungarezë. Ai u lind në vitin 1975 në Beçej të Vojvodinës (Serbi), ndërsa sot jeton në Hungari, ku edhe ka studiuar. Ai sot punon në Universitetin e Szegedit, konkretisht në Institutin e Studimeve Sllavistike pranë këtij universiteti. Shkruan prozë, poezi dhe kritikë letrare. Gjithashtu, merret me përkthime letrare në gjuhën hungareze, si dhe është kryeredaktor i revistës letrare mujore “Tiszataj”.

Romani i tij i parë është botuar në vitin 2016 me titullin “Fantomkomando” dhe ka zgjuar një interesim mjaft të madh, duke u përkthyer në gjuhë të ndryshme, si angleze, franceze, kroate, greke, romune, sllovene, spanjolle, çeke e serbe.

Qendra për Kulturë dhe Edukim “SHESHI” dhe “EUROPE HOUSE” janë të nderuara që në edicionin e dytë të “FICTION FEST” e kanë sjellë një njeri dhe një autor të veçantë, siç është Roland Bartetzko.

Ai ka lindur në Vyrselen të Gjermanisë, ku ka kryer edhe shkollën e mesme. Ka shërbyer si ushtar ne Ushtrinë Gjermane, në Këshillin e Mbrojtjes Kroate (HVO), në Bosnje dhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Roland Bartetzko është jurist i diplomuar. Punon dhe jeton në Prishtinë.

Ai është autor i librit “Frymë lufte”, në të cilin rrëfen për ngjarjet që i ka përjetuar në luftën e Bosnjës dhe atë të Kosovës.

Jasna Dimitrijeviq, pjesë e edicionit të dytë të “FICTION FEST”

Jasna Dimitrijeviq është njëra nga shkrimtarët më të rëndësishme të letërsisë së sotme serbe.

Ajo u lind më 1979 në Negotin (RSFJ) shkruan tregime të shkurta dhe recensione. Ka diplomuar në Fakultetin Filologjik në Beograd, në Katedrën e Letërsisë së Përgjithshme dhe Teorinë e Letërsisë. Është bashkëpunëtore e rregullt e revistës Liceulice. Jasna ka botuar përmbledhjet me tregime Prepoznavanja (2015) dhe Fibonacijev niz (2018). Ajo punon në një librari në Beograd.

Elida Rusta, pjesë e edicionit të dytë të FICTION FEST

Elida Rusta u lind më 17 gusht 1971. Arsimin fillor dhe gjimnazin i kreu në qytetin e lindjes, në Bajram Curr. Më 1990 i përfundon studimet universitare në Degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Shkruan poezi dhe prozë.

Është autore e veprave letrare, si “Njëmijë vjet Ajkunë” dhe “Engjëjt nuk mbahen për dore”. Është fituese e disa  shpërblimeve letrare në Shqipëri dhe Kosovë. Krijimet e saj janë të përfshira në antologji të ndryshme letrare.

Shefqet Bylykbashi, pjesë e edicionit të dytë të “FICTION FEST”

Shefqet Bylykbashi u lind në vitin 1973. Ka kryer studimet për Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Shkruan poezi, prozë dhe memoaristikë. Në krijimtarinë e tij memoaristike vlen të potencohet “Ditari i një ushtari”, të cilën e botonte me pseudonimin Ushtar Gjergji gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Po ashtu, vlen të potencohet edhe fejtoni memoaristik “Letrat e Ushtar Gjergjit dërguar mikes së tij në kryeqytet”. Ndërkaq, prozën artistike fiksionale e ka publikuar në revista të ndryshme letrare në Kosovë. Ai deri më tani ka botuar këto përmbledhje me poezi:  “E dehur vjen pranvera”, “Ditët që nuk më njohin më”, “Të kthyer në letërkëmbim” “Ebolë dashurie dhe një luleborë” etj.

Albin Mehmeti, pjesë e edicionit të dytë të “FICTION FEST”

Albin Mehmeti është njëri nga prozatorët më premtues të gjeneratës më të re të krijuesve në Kosovë. Ai u lind në Skenderaj në vitin 1992. Studimet bazike për letërsi i përfundoi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Është në përfundim të studimeve master për letërsi. Merret me studime, poezi dhe prozë. Ka botuar librin me tregime “Telegrami dhe tregime të tjerë”, si dhe boton në revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendit./ ObserverKult