Kur t’djeg shpirti për një kafe…

Nga Armanda Koko

Eci rrugës përgjatë kafeneve të mbyllura.
-Qyteti s’ka më aromë kafeje, – them me vete, teksa shijoj vetëm përgjysëm tashmë, shëtitjen pranë kryqëzimit të Rrugës së Barrikadave me rrugën e Dibrës. Vendos të eci derisa të gjej diku makiato. Kafen turke e dua shumë, po e dini një gjë? Unë nuk jam besnike kafesh, e as parfumesh. Rrallë marr dy herë të njëjtin parfum, dhe gjithnjë mbaj tre parfume të ndryshme që nuk i kam pasur më parë, që t’i ndërroj. Kështu edhe me kafet. Kamarierët që më njohin kurrë nuk më bëjnë kafen pa më pyetur si e dua kësaj radhe. Ndaj një javë e tërë vetëm me kafe turke u kthye në një ‘torturë’ për mua (kësi torturash paç, do thosh dikush).
Eci e eci dhe shoh majtas e djathtas, me kujdes, pa rënë në sy. E mësova mësimin javës që shkoi, kur e buzëqeshur u futa tek një vend prej nga dilnin njerëz me kafe në dorë dhe u thashë: Dua një makiato ta marr me vete.
Ishte koha kur na lejohej të dilnim deri në 10, e ora kish kaluar 12.
-A ke leje nga policia?, – më pyeti vajza duje ngritur njërën vetull.
-Jo- i thashë, – pse duhet me pasë leje për me marrë kafe?
Në fakt ne nuk na lejohet të bëjmë kafe fare, – tha vajza, – por bëjmë vetëm për ata që e konsumojnë këtu brenda. E në rastin tënd ti nuk duhet të jesh fare jasht.
Më kish ngrirë buzëqeshja ndërkohë, e i thashë: Po nuk ka lidhje me ju nëse unë kam dalë. A do ma bëni kafen a jo?
– Jo, – tha, – nuk na lejohet.
Desha t’i përmendja dy rastet me nga 4 kafe secili që sapo kishin dalë, se ata ma treguan vendin, por m’u duk vetja si ata nxënësit që ankohen, o zysh pse këtij i vure x e mua y, gjë që nuk më ka pëlqyer kurrë.
Mirë, i thashë e fyer, dhe duke u betuar se kur të vijë normaliteti nuk do shkel kurrë te ky vend, u largova me bisht ndër shalë. Ende më djeg ai refuzim, por mësova se nuk mund t’i bihet drejt muhabetit kur kërkon diçka të ndaluar, si marijuana, apo kafja, për shembull.
Kështu ec e ec, dhe nisa të ndjej aromë kafeje. Paska dhe nuhatja mirazh, mendova. Dhe pashë një djalë që po hidhte gotëzën e kafesë prej kartoni në plehra. Pa hequr maskën, iu afrova, duke i qëndruar pak anësh, që mos ta kuptonte kush se po i flisja.
– Çuni, ku e gjete këtë kafe se po m’hik menia…(me cep të syrit)
– (buzëqesh) Nuk tregohet, është sekret.
Kthej sytë plotësisht nga ai e duke parë vështrimin tim të etur më thotë.
– Sa do?
– Vetëm një (kontrolloj mos ka nai polic)
– Ec pas meje… Prit këtu.
Futet te hoteli përballë. Pastaj del dhe pret. Unë rrija matanë rrugës. Pas ndonjë minute, nga një derë tjetër, nxjerr kokën një burrë. Hap sytë majtas e djathtas. Pasi sigurohet, nxjerr makiaton. Mbyll derën. Djali vjen e më thotë çmimin.
– Po ku e dije që këndej ka kafe? – më thotë.
-Ka 10 minuta që kërkoj, – i them.
Sipër kafes mbaj kuletën. Shoh një polic. Dal nga ana tjetër e rrugës dhe përpiqem që mos më dallojë. Dyqanet e rrugës kanë hapur, edhe ato që nuk janë ushqimore. Nuk kanë faj, me xhiron ditore jetojnë. Por nuk lejohet. Vetëm kafexhia duhet ta fshehë punën e vet.
Dhe unë nis mendoj, nuk do qe keq të nisja me bë kafe për të marrë me vete në oborr. Vetëm se nuk kam makinë ekspresi. Në këtë kohë papunësie, si mbijetohet ndryshe? Edhe procedurat e punësimit janë pezulluar.
Por, sigurisht që nuk do e bëj, e. Nuk jam Al Pacino …/ ObserverKult