Amedeo Modigliani, shthurja dhe mallkimi i një gjeniu

Amedeo Modigliani, artisti i mallkuar që kërkoi të paarritshmen, poezinë dhe formën e përsosur të shprehjes, lindi më 12 korrik 1884, në Livorno të Toskanës, në një familje hebraike në shek XIX.

I ndikuar nga gjyshi dhe halla, Amedeo do të vlerësonte arsimin, artet vizuale dhe filozofinë. Në prag të adoleshencës, ndërsa i lindi dhe dëshira e madhe për t’u bërë piktor, aty dhe u sëmur. Thuhet se shëndeti i dobët e shoqëroi gjithë jetën. Megjithëse me para të shtrënguara në familje, ai kalonte gjithë kohën duke parë veprat e mëdha në Galerinë ‘’Uffizi’’ në Firenze.

Do të ishte viti 1898 kur do të fillonte mësimet e para formale në vizatim. Tuberkulozin e vitit 1901 do e kalonte lehtë, falë klimës së Italisë jugore dhe dëshirës së madhe për të studiuar pikturë dhe skulpturë. Gjatë kohës në Firenze do të takohej me Ortiz de Zarate, i cili i rrëfente histori intriguese rreth grupit të piktorëve avangardë dhe impresionistë në Paris. Kështu shpresonte se një ditë do të jetonte aty. Ndërsa ëndërronte për të ardhmen, u zhvendos në Venezia dhe mori pjesë në Akademinë e Arteve të Bukura, por duke mos i pëlqyer trajtimi i asaj që quante ‘modë e vjetër’, zgjodhi të përhumbej bareve boheme, prej ku eksperimentet e drogës sikur shëndetin e brishtë thoshte se ia forconin. Kështu, viti 1906 do e gjente në Paris, me leje të nënës së tij.

Do të fillonte pikërisht aty kjo ëndërr që do të quhej thjesht ‘’Modi’’.

E megjithatë, ende duket se dekadat e para të shek. XX nuk i kthehen më rrugëve të Parisit. Edhe pse “La Rouche” është ende aty, rebelët e artit jo. Chagall, Kisling, Vlaminck, Soutine, Picasso etj. Këta djem që s’i njohëm kurrë dhe imitojmë kaq keq.
Në Paris nuk ndihen më netëve vonë thirrjet e shpenguara të tyre duke bërtitur: ” Ej, botë, të dua, jam yti, botë. Flemë bashkë, moj tradhtare”. Jo vetëm aty, po kudo, nuk ndihet me ajo urrejtja që të quan të paedukatë prej talentit, nuk ka më borxhe që s’do i lash kurrë. As sy! As shpirt.

Modi jetonte në një komunitet artistik në Le Bateau-Lavoir.

Gjithçka është aty, akoma. “La Rotonde” është aty, ku dhe sot, tek shkon, mund të ndiesh artistët tek vijnë rrotull dhe pinë pas drekave deri agut. Ai pinte dhe skiconte aty, thuajse çdo natë. Ndërsa Rosalia, një emigrante italiane që i ofronte jo pak herë dhe ushqim, i varte në mur punimet nëpërmjet gozhdëve. ‘’La Rotonde’ ishte tempulli i tij. Aty ishin gotat, vera dhe dashuria. Problematikat rreth artit, kohës apo historisë i shtronin tavolinës.

La Rotonde vazhdon ruan traditën si atëherë. Punimet e Modit janë të varura në mur dhe ai duket sikur është akoma aty, për të të thënë: A ke para? Le të pimë!

Picasso, gjithashtu, netët i kalonte tek Rotonde. Veshur gjithnjë me një pardesy mushamaje dhe kasketë në kokë. Zakonisht ulej në sallën e prapme dhe vëzhgonte gjithë klientët. Mes tyre Modiglianin, këtë piktor të pafat që falë talentit të tij do të zgjonte qiejt e xhelozisë të Picassos, i cili, për ta sfiduar, e fton në konkursin e famshëm që do të mbahet mend gjatë. Në fillim nuk donte të bëhej pjesë, por në momentin që pranoi, hyn në bar, ndërsa Picasso shijonte shampanjën e mbrëmjes, duke tërhequr gjthë vëmendjen e barit, shkakton frikë pa e hequr shishen e verës nga dora. Picasso ndez cigaren, Modi pi me fund verën dhe nxjerr një kalem për të firmosur marrëveshjen e konkursit. – Të kam falur, -i thotë. Kështu dhe Picasso firmos, transmeton ‘konica.al’.

Ky konkurs që shënjon historinë e artit modern do të shënjonte dhe fundin tragjik të Modit.

Në ‘’La Butte’’ ai dhe miqtë qëmtuan vite nëpër libra njohuri të shumta, të cilat, nën një pasion të panginjur, pinin verë e rum për dëshpërimin. Sepse dëshpërimi ka gjithmonë etje. Duke ndjekur kështu gjurmët e Baudelaire dhe Rimbaud.

Modi binte shpesh në dashuri. Seksi për të ishte kthyer në domosdoshmëri, si pija. Çdo natë me çdo femër. Por Lunia Czechowska do të ishte një nga mikeshat, apo një nga modelet dhe frymëzueset e tij, me të cilën ai bridhte kafeneve dhe pastaj mbyllej në atelierin e tij për ta pikturuar, ulur në karrige ose shtrirë në kanape. Burri i saj, një i afërt i familjes Zborowski, kishte shkuar në front: “Zborowski ishte një njeri shumë fin – kujtonte kjo çeke më vonë, – por njëkohësisht ishte kureshtar. Nganjëherë hynte në atelierin e tij. Modi i urrente ata që i hynin kështu. Ishte si një lloj dhunimi i vendit të shenjtë, i sanktuarit të tij. Modi afirmonte kështu nevojën e përqendrimit të heshtur, pothuaj religjioze me modelin, te e cila ai përpunonte hiret e trupit, ashtu siç thoshte dhe Kisling se “kur një grua pozon për një piktor, ajo i jepet atij”… Dhe kështu ishte për të, apo për të gjitha ato që u shtrinë në kanapenë e mjerë të Modiglianit. Ato i jepeshin artistit dhe artit, hireve të tyre. “Ai ndiente aq shumë për mua sa donte që unë të braktisja gjithçka dhe të ikja me të…”

Dhe në shkurt të vitit 1917, do të takonte dashurinë e madhe të jetës. Muzën dhe fitoren e tij, Zhanën (Jeanne Heturbene), nga e cila lindi dhe një fëmijë, dhe tablo të fundme portretesh, deri në mbyllje, kur do të fitonte çmimin e madh në konkurs. Modi pikturonte pa sy, pa vështrim. Do të ishte Zhana ajo që do t’i jepte kuptim artit të tij. Është e famshme shprehja kur i thotë : ‘’Kur të të njoh shpirtin , do të të pikturoj sytë’’.

Vitet 1917-1919 janë vitet e kryeveprave të Modiglianit. Portrete dhe nudo të shumta, të cilat sot ruhen në muzetë dhe galeritë e mëdha të botës si në Paris, New York, Milano, San Paulo, Londër, në muzeun e famshëm Guggenheim etj. Nudo ulur, Nudo shtrirë në shpinë, Nudo me krahë të hapura… portrete të shumta të miqve të tij, koleksionistë dhe poetë, Cendras, Cocteau, Zborowski, Neter… galeria është e madhe, por pa dyshim nudot e tij spikatin në këtë radhë të madhe tablosh, ku sot kanë mbetur veçse 400 prej tyre, pa llogaritur 1200 vizatime, nga mijëra që ka krijuar Modigliani.

Artistin mund ta dërrmosh duke i thënë se ajo që bën mund të jetë fare e mirë në vetvete, por vetëm ‘’Art’’ nuk është. Në vitet 1920-1928, kur situata historike i krijonte artistit iluzionin se mund ta kthente artin në një instrument lufte, ‘’Avangarda’’ e Modit dukej se kishte vërtet arsye të ekzistonte. 1920 ishte një vit i zhurmshëm. Gjithë ky mjerim i trishtueshëm e mbyti. Modigliani vdes më 24 janar, ndërsa vetëm të nesërmen vret veten edhe Zhanë, e shoqja, duke u hedhur nga dritarja, shtatzënë, dhe duke lënë ate çek me para në apartament. Modigliani la pas një vepër brilante dhe të ndërprerë arbitrarisht.

Kjo do të ishte pikërisht koha kur në Koln, salla e pasme e birrarisë Winter do të ekspozonte veprat e para dadaiste, dhe do të lançohej ‘’Manifesti Realist’’, i cili hodhi dhe bazat e konstruktivizimit që po krijohej, ku Modi bëri pjesë.

Emrin e këtij gjeniu të shthurur do e nxirrte nga goja dhe Picasso në 8 prill 1973, ku në frymën e fundit do të thoshte pikërisht: ‘’Modi’’.