Pierr-August Renuar (Pierre Auguste Renor), piktori francez, i lindur më 25 shkurt 1841 në Limoges dhe vdiq më 3 dhjetor 1919, në Cagnes-sur-Mer, një qytet në jug të Francës, ku sot ndodhet muzeu kushtuar artistit. Një artist i madh, Renuari ka krijuar mbi një mijë piktura. Stili i tij, i ngrohtë dhe sensual, ka lejuar që punimet e tij të jenë ndër më të njohurat, shpesh të riprodhuara në historinë e artit. Veprat e tij të artit kanë një emërues të përbashkët: gëzimin për të jetuar, lumturinë për të shijuar jetën këtu dhe tani.
Falë shitjes së tablove, në 188, Renuar udhëtoi në Algjeri dhe Itali, ku u magjeps nga pikturat e Rafaelit dhe afresket e Pompeit. Në fillim të viteve 1900, për shkak të problemeve nga reumatizmi, u zhvendos në jug të Francës për një klimë më të butë: vendbanimi i fundit, në Cagnes-sur-Mer, tani është muze. Vdiq më 3 dhjetor 1919, në moshën 78-vjeçare, pas një pneumonie: sapo kishte mbaruar “Larëset”. U varros në Essoyes, pranë bashkëshortes, e cila vdiq vetëm disa vite më parë.
Pavarësisht fatkeqësive që e goditën artistin gjatë ekzistencës së tij, motivi i përbashkët i të gjitha veprave është sigurisht optimizmi dhe gëzimi për të jetuar: Renuar dëshiron të komunikojë faktin, se lumturia nuk matet në bazë të pasurisë, nga shuma që zotëroni, por në bazë të gjërave të vogla që i bëjnë ditët unike, të tilla si një drekë me miqtë ose një vallëzim i lumtur. Subjektet e tij kërcejnë, argëtohen, qeshin, sikur të mbeteshin përherë të rinj, duke e shijuar në maksimum jetën. Pikturat e Renuarit arrijnë t’i përcjellin kaq mirë ndjenjat, saqë ne thuajse bashkëveprojmë me temat e ndryshme festive që ai përfaqëson. Bukuria dhe aftësia e piktorit është pikërisht transferimi i pjesëmarrjes emocionale intensive dhe të rafinuar. Situatat e përshkruara janë ato të jetës së zakonshme dhe të përditshme, që i bëjnë ditët unike: harmonia dhe natyrshmëria e gjesteve të subjekteve na ndihmojnë të marrim pjesë, duke na treguar edhe detajet më të veçanta.
Si shumë kolegë të tijët, Renuari pëlqente të pikturonte në ajër të pastër (En plein air), një metodë pikture në modë, sidomos në shekullin XIX, e përdorur gjerësisht nga impresionistët, të cilët në këtë mënyrë mund të kapnin thelbin e vërtetë të gjërave, të ndriçuar nga nuancat e dritës. Ndryshe nga artistët e tjerë impresionistë, Renuar favorizon si subjekt burrin, të portretizuar në situata intime, mbi të gjitha gruan, duke u mahnitur nga format dhe emocionet e saj. Nga fundi i vitit 1860, përmes praktikës en plein air, së bashku me mikun e tij, Klod Mone, Renuar zbuloi se ngjyra e hijeve nuk është kafe ose e zezë, por korrespondon me ngjyrën e reflektuar nga objektet që i rrethojnë. Një nga pikturat më të njohura të Renuarit është “Vallëzimi në Moulin de la Galette”, (Le Bal au Moulin de la Galette), në 1876, ku përfaqësohet një skenë në natyrë, e mbushur me njerëz në një vallëzim popullor. Protagonisti i vërtetë i pikturës është lumturia dhe zemërdlirësia e parisianëve. “Moulin de la Galette” ishte një vend, ku edhe klasat më pak të favorizuara mund të mblidheshin për të kërcyer: kishte shumë të rinj që i kalonin pasditet e tyre të fundjavës duke pirë, duke ngrënë, duke kërcyer dhe diskutuar, në një mjedis mondan. Renuar paraqitet si “romancieri” i një momenti të jetës popullore në Paris. Në plan të parë ka një tryezë miqsh, që pinë dhe argëtohen, bisedojnë; gjestet janë jashtëzakonisht të natyrshme dhe të gjalla. Dy vajza me fytyra rrezatuese dhe të shkujdesura, spikasin në shakullinë e subjekteve që rrethojnë tryezën. Pas tavolinës është përshkruar një turmë që vallëzon, e shoqëruar nga orkestra, e përshkruar me kaq shumë detaje, saqë duket sikur jemi pjesë e tyre, madje dëgjojmë muzikën dhe melodinë.
Punimet e Renuarit janë një himn për optimizmin, për të shijuar jetën: është sikur artisti të na thoshte, se i gjithë ari në botë nuk mjafton për të kaluar orë të këndshme në shoqërinë e miqve dhe të dashurve në rrethin e varkëtarëve ose në “Moulin de la Galette”. Lumturia e vërtetë përbëhet nga gjëra të vogla, për t’u shfrytëzuar dhe përjetuar gjatë gjithë ekzistencës tonë./Konica.al