Më 6 janar të vitit 1882, në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi) lindi shkrimtari, politikani, përkthyesi, shtetari, diplomati dhe historiani i madh, Fan Noli.
Në vitin 1904 Noli shkoi në Egjipt. Aty punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Atë kohë ai përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.
Në vitin 1907, pasi shkoi në SHBA, ai krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston. Më 9 shkurt të vitit 1908, Fan Noli u dorëzua si dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston.
Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937. Atëherë kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Nga vitet 1909-1911 Noli botoi në gazetën “Dielli”. Së bashku me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare “Vatra” të Amerikës.
Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet anëtarësimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare.
Më 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore.
Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së.
_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _
Lexo edhe:
LASGUSHI TREGON SI I NDIHMOI NOLI TË MERRTE BURSË STUDIMI (VIDEO)
ObserverKult