6-vjeçari fiton garën në dizajn

Një gjashtëvjeçar italian është duke festuar pasi dizajni i tij për fanellë futbolli është pranuar nga klubi profesionist Pescara.

Luigi D’Agostino ka mposhtur fëmijët tjerë në garën e organizuar nga klubi, e që kishte synim të hiqte mërzinë e shkaktuar nga izolimi për shkak të përballjes me koronavirusin.

Motoja ishte “shkelmo Covid-19”. Dizajni me delfin do të vishet në sezonin e ardhshëm nga klubi i Serisë B, shkruan BBC.

Klubi Pescara ka luajtur në top ligën italiane, Serie A, për shtatë sezone në historinë e vet. Edhe logoja e klubit është me delfin.

Prodhuesi italian i veshjeve sportive “Errea” do të shtypë fanellat dhe ka ftuar Luigin të kalojë ditën në zyrat e klubit në Parma, për të parë nga afër prodhimin.

Miliona njerëz në Itali janë izoluar me masat e vëna në fuqi që nga 9 marsi.