reklamë

“I Play Rocky”, filmi që sjell historinë e Sylvester Stallone dhe rrugëtimin drejt suksesit me “Rocky”

Regjisori Peter Farrelly rikthen në ekran historinë jetësore të Sylvester Stallone, i cili luftoi me varfërinë dhe refuzoi ofertat për skenarin e “Rocky”-t, vetëm që të luante vetë personazhin që do ta kthente në një ikonë të kinemasë.

Historia e krijimit të një prej filmave më të famshëm vjen në ekran përmes “I Play Rocky”,me regji të Peter Farrelly, që rrëfen betejën e Sylvester Stallone për të realizuar ëndrrën e tij.

Filmi ndjek vitet e vështira të aktorit, kur përballej me varfërinë, dhe vështirësitë për të siguruar jetesën. Pavarësisht ofertave të majme për skenarin e “Rocky”-t, Stallone refuzoi ta shiste pa kushtin që të interpretonte vetë rolin kryesor.

Skenari u shkrua brenda vetëm tre ditësh e gjysmë dhe tërhoqi vëmendjen e producentëve Irwin Winkler dhe Robert Chartoff. Megjithatë, drejtuesit e studios kërkonin një aktor të njohur, duke përmendur emra si Ryan O’Neal dhe Burt Reynolds. Stallone nuk u tërhoq nga kërkesa e tij, duke besuar se askush tjetër nuk mund ta mishëronte historinë e Rocky Balboas.

Në rolin e Stallone interpreton Anthony Ippolito, i cili vlerësohet për ngjashmërinë dhe aftësinë për të sjellë në ekran jo vetëm gjestet dhe mënyrën e të folurit të aktorit, por edhe karakterin dhe vendosmërinë e tij.

Rrëfimi përfshin edhe jetën personale të Stallone, marrëdhënien e vështirë me të atin, të interpretuar nga Matt Dillon, si dhe mbështetjen e Sasha Czack, rol që luhet nga AnnaSophia Robb.

Në pjesën e dytë, filmi ndalet te prapaskenat e realizimit të “Rocky”-t, duke zbuluar detaje nga xhirimet e skenave ikonike, vështirësitë teknike dhe përdorimin e teknologjisë Steadicam për sekuencat e famshme të vrapimit në shkallët e Filadelfias. John Avildsen, regjisori i filmit origjinal, interpretohet nga Jay Duplass.

Sipas kritikut Brian Tallerico të RogerEbert.com, filmi është më i arrirë në pjesën e parë, ku portretizon luftën personale dhe këmbënguljen e Stallone. Në pjesën e dytë, vëmendja zhvendoset më shumë te kuriozitetet e xhirimeve, duke humbur disi thellësinë e rrëfimit. Megjithatë, interpretimi i Ippolitos dhe historia frymëzuese e bëjnë produksionin tërheqës për adhuruesit e kinemasë.

“I Play Rocky” u prezantua në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto dhe ka nisur shfaqjen në kinema më 6 nëntor 2026.

ObserverKult