60 vepra të Ymer Shaqirit para publikut gjerman

ymer shaqiri fahredin spahija
Fahredin Spahija: "Ymer Shaqiri", 2009

Me titullin “Perspektiva e së përditshmes”, dje në Villa Haiss Museum und Galerie für Zeitgenössische Kunst (Muzeu dhe Galeria e Artit Bashkëkohor Villa Haiss) në qytetin gjerman Zell am Harmersbach, u hap ekspozita e artistit kosovar Ymer Shaqiri.

Ekspozita është hapur për ta nderuar grafistin shqiptar dhe kjo ngjarje e rëndësishme kulturore, jo rastësisht u organizua pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Muzeut, me 21 maj.

Në ditoren Schwarzwälder Post, në shkrimin paralajmërues për ekspozitën e Shaqirit, ndër të tjerat shkruan: “Rreth 60 vepra të formatit të vogël, “Perspektiva e së përditshmes”, pasqyrojnë biografinë e Ymer Shaqirit. Jeta e tij ishte përplot thyerje dhe situata të pakëndshme. I rritur në kushtet më të këqija në Kosovë, ai arrin të studiojë për art. Situata politike në vendlindje e vështirësoi gjithnjë e më shumë punën e tij artistike, ndaj në vitin 1996 u largua për në Gjermani. Pas një fillimi krejtësisht të ri, ai fiton famë, përfaqësohet në bienale të ndryshme dhe merr njohje ndërkombëtare. Në vitin 2021, Shaqiri vdiq papritur gjatë një qëndrimi pune në vendlindje afër Prishtinës. Kosova tani po i bën homazhe atij me një sërë pullash postare që tregojnë veprat e tij.”

Gazeta shkruan edhe për motivet dhe temat të cilat Ymer Shaqiri i ka trajtuar në veprën e tij unike. “Këto çojnë vazhdimisht në rrethanat në të cilat ai u rrit. Gozhda të ndryshkur, tela me nyje, llamarina të vjetra, furça të lyera me bojë. Dhomat që kërcënojnë të shemben dhe megjithatë në muret e padepërtueshme që duken sikur shkërmoqen. Pikturat e Ymer Shaqirit janë ekspresive dhe të gjalla. Duke kombinuar grafikën me teknikat e pikturës, ai krijon zona të balancuara tensioni.”

Ymer Shaqiri u lind më 1 tetor 1955, në Sveçlë të Podujevës. Diplomoi në Akademinë e Arteve në Prishtinë në vitin 1981. Më vonë, me 1984, ai kreu studimet postdiplomike në Beograd.

Grafikat e Shaqirit në periudhën e tij të hershme krijuese janë ekspozuar në të gjithë ish-Jugosllavinë por edhe në disa Bienale botërore për të cilat ai ka marrë çmime të shumta.

E përgatiti: Fahredin Spahija

Më poshtë mund t’i shikoni disa nga veprat e Ymer Shaqirit:

ObserverKult

Kliko edhe:

EKSPOZITË NË OBSERVERKULT: IDEN TEMALI, FOTOGRAFE (FOTO)