77-vjetori i lindjes, shkrimtari Fatos Kongoli: Mëkati më i madh në jetë- mosmirënjohja

Shkrimtari Fatos Kongoli vlerësohet në 77-vjetorin e lindjes me një certifikatë mirënjohje nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Autori shpreh emocionet dhe mirënjohjen e tij për të gjithë ata njerëz, që e kanë mbështetur gjatë gjithë rrugëtimit të tij jetësor.

Në këtë 77-vjetor të lindjes së shkrimtarit Fatos Kongoli, Qendra Kombëtare e Librit edhe Leximit bën bashkë miq dhe dashamirës të veprës letrare të autorit për t’i uruar: Gëzuar ditëlindjen! Drejtoresha e Qendrës, Alda Bardhyli, teksa e cilëson kontributin e Kongolit të rëndësishëm në letërsi, në gjuhë, por dhe në përshkrimin e dramës së vendit tonë pas viteve ‘90, në shenjë mirënjohje i dorëzoi një certifikatë

 “Jemi mbledh për 77-vjetorin e lindjes së autorit, i cili është ndër më të rëndësishëm pas viteve ’90. Vepra e tij ka përshkruar gjithë metamorfozën e shoqërisë shqiptare. Le të shpresojmë që kjo pandemi do të marrë fund dhe vitin tjetër ditëlindjen do ta kthejmë në një festë të vërtetë”, shprehet drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli.

“Në fakt Pikaso nuk i pëlqente ditëlindjet, por merrte pjesë në festa me kushtin që mos t’i përmendej mosha. Ndërsa, ne jemi sot me Kongolin, i cili vetëm gjatë këtij viti ka shkruar dy libra. Prandaj ne jemi me Fatosin e ri, plot energji edhe ambicie”, thotë shkrimtari Besnik Mustafaj, teksa lexon edhe motivacionin e certifikatë:

“Për kontributin e tij të çmuar në letërsinë shqipe të pas viteve ’90 ku, nëpërmjet një gjuhe të elaboruar dhe një mozaiku të plotë karakteresh romanore, ka arritur të shpërfaqë dhe të shpjegojë krizën e njeriut modern”.

Kineasti Spartak Pecani dhe përkthyesi Edmond Tupe rrëfejnë bashkëpunimet që kanë pas me veprat e këtij autori  

“Kongoli është si një labirint që ka brenda të bukurën, të papriturën dhe ka qenë një ndihmë e madhe për skenarët. Veprat e tij jetën time ma kanë bërë shumë më të bukur. Unë kam sërish në duar romanin “Lëkura e qenit”, që ka fituar të drejtën për prodhim kinematografik dhe së shpejti do të nis xhirimet. Jam i lumtur, që veprën më të mirë do ta kem në duar në fund të krijimtarisë sime. Kam jetuar prej 15 vitesh ditë për ditë me të. Jam lumturuar me punën, personazhet dhe filozofinë tënde. Çdo ditë fle dhe ngrihem, jetoj me të”, thotë regjisori Pecani.

Ndërsa, shkrimtari Fatos Kongoli shpreh mirënjohjen e tij për të gjithë ata njerëz. që i kanë qëndruar pranë në sfidat jetësore, që ka kaluar

 “Jam shumë i emocionuar, nuk e prisja këtë vlerësim dhe ceremoni që po bëhet në këtë kohë pandemie. Falënderoj Zotin, që më jep edhe një ditë të re… Ju falënderoj të gjithëve. Unë mendoj që mëkati më i madh njerëzor është mosmirënjohja. Këtë e kupton, pasi ngjitesh deri sipër. Troket tek Shën Pjetri të mbyllet dera dhe kthehesh pas, atëherë e kupton se çfarë është mirënjohja. Faleminderit të gjithëve!”, thotë Kongoli.

Shkrimtari Fatos Kongoli është autor i rreth 20 librave. Është vlerësuar brenda edhe jashtë vendit me çmime. Mban titullin “Mjeshtër i madh”./shqiptarja.com