Octavio Paz: Shkrimtari dhe pushteti

Letërsia dhe skeptri

Një pjesë e mirë e këtij numri të revistës «Plural» i kushtohet temës: Shkrimtarët dhe pushteti.
Shkrimtarët dhe jo intelektualët, për dy arsye.
Njëra: fusha e revistës sonë është letërsia, jo shkenca dhe teknika. Tjetra: jo të gjithë intelektualët janë shkrimtarë, ndërsa të gjithë (ose pothuaj të gjithë) shkrimtarët janë intelektualë. Në figurën e shkrimtarit vizatohet një dykuptimësi që konsiston në kombinimin, në doza të ndryshueshme, të tipareve antike dhe moderne. Le ta eksplorojmë këtë dykuptimësi.
Shkrimtari është artist dhe në këtë kuptim lidhja e tij me realitetin në të cilën jeton nuk ndryshon nga ana thelbësore me lidhjen që patën paraardhësit e tij me realitetin e epokës së tyre, në botën parahistorike apo të Kinës së Hanit, Firences së shekullit XII apo Madridit të shekullit XVII.
Lirika, dramatika apo epika (pa përjashtuar romanin, që është formë pak a shumë e afërt me epikën) e poezia janë përfaqësimi i një copëze kohe. Kjo kohë, sado intime dhe personale që të jetë, është edhe një kohë historike, sociale. Poeti këndon dhe kënga e tij-rrëfim, përshkrim apo evokim: metafora dhe metonimi-është përherë një shugurim: himn, vaj, ekzaltim, dënim, festim, mallkim, tallje.
Por që nga agimi i botës moderne, duke filluar nga shekulli XVIII, kënga e poetit, pa pushuar së qeni këngë, kthehet në meditim dhe kritikë. Shkrimtari –goja që këndon dhe rrëfen-shpaloset në mendjen që analizon dhe zbërthen situata dhe personazhë. Paraqitja bëhet e brendshme dhe transformohet në një meditim mbi atë që paraqet dhe mbi veten e tij. Shkrimtari modern fut në shoqëri kritikën e shoqërisë. Meqenëse gjuha është një shoqëri, letërsia kthehet në kritikë të gjuhës.
Homeri na paraqet shoqërinë e heronjve dhe mbretërve: e ekzalton apo mallkon, por nuk e analizon; kur na e paraqet shoqërinë francize të kohës së tij, Balzac-u na e jep atë problematike me anë të analizës, natyrës së kësaj shoqërie: nuk është një mister që duhet ta adhurojmë apo ta urrejmë, por një enigmë që duhet ta deshifrojmë.
Komedia Hyjnore është piktura e gjykimit të zotit për njerëzit: ferri, purgatori, parajsa: «Komedia njerëzore» më tepër se gjykimi i një njeriu për njerëzit është një përpjekje e pafund për t’i shpjeguar njerëzit modern në ambjentin e tyre natyral: në qytet Shprehje e modernizimit dhe, njëkohësisht, kusht i ekzistencës moderne, qyteti është personazhi i vërtetë i veprave të mëdha letrare të shekullit XIX dhe XX. Në barkun e tij lind, jeton dhe vdes njeriu modern. Edhe ëndërron: për Bodelaire-in qyteti është një ëndërr e keqe gjeometrike e asaj që është zhdukur «Botës së parregullt bimore». Një ëndërr e keqe tretet vetëm, thotë Xavier Villaurrutia, në orën e zgjimit: vdekja. Qyteti është bota dhe përtejbota jonë: vendo ku njerëzit sipas veprimeve të tyre, shpëtojnë shpirtin apo e humbasin atë. Këto fjalë kishin përpara një dimension mbitokësor, modernizimi i ka çshenjtëruar dhe i ka futur në qytet.
Janë bimësia në të njëjtën kohë e përbindshme dhe gjeometrike e fuqive të reja: arsyeja, dyshimi, analiza. Borgjezia është klasa e parë që ushtron pushtetin jo në emër të një parimi të jashtëzakonshëm apo të parimit të pandryeshueshmërisë , por në emër të vetë ndryshimit: arsyes kritike. Prandaj dhe është e vetmja klasë që s’mund ta krijojë drejtësinë e saj: kritika është arsyeja e të qenit të saj, arma dhe plaga e saj e pashërueshme.
Qyteti antik i hapej përjetësisë, qiellit apo ferrit; modernizimi i hapet historisë, një të ardhmeje që një herë quhet republika e të drejtëve dhe një herë tjetër republika e të barabartëve. Dinjiteti i politikës rrjedh nga ku ndryshim: pushon së qeni arti i fitimit apo i mbajtjes së pushtetit dhe transformohet në lojë ku luhet e ardhmja e njerzve.
Një lojë që e luajmë të gjithë dhe që kërkon një minimum lirie për t’u realizuar. Hapësira ku shpaloset liria politike është cirk, arenë, teatër, gjykatë, akademi filozofike, laborator shkencor dhe kishë përjashta në qiell të hapur, të gjitha bashkë. Hera-herës është një dhomë e vogël ku mblidhet fshehurazi një komitet; hera-herës është një shesh i hapur ku një turmë e tërbuar vret ose vritet; ka raste kur është një fushë beteje e madhe sa planeti. Loja politike nga një anë është pranë filozofisë dhe nga ana tjetër pranë luftës. Në këtë apo atë mënyrë, me ide apo me armë, është një formë e kritikës.
Në të kaluarën, politika konsiderohej si një manifestim i forcave që lëvizin shoqëritë, qofshin këto pasionet a interesat njerëzore apo fuqitë mbinjerëzore si Fati i paganëve ose Providenca kristiane. Jashtë ambjentit politik, të rezervuar për pakicën (mbretër, senjorë dhe shefa) shtrihej sundimi i paanë publik i fesë me festat, ritualet dhe ceremonitë. Modernizimi i përmbys termat: politika kthehet në dominim të të gjithëve dhe feja në çështje ndërgjegjeje. Teologjia katolike dhe ajo protestante prireshin nga misteri i tejthellë i lidhjeve mes plotfuqishmërisë hyjnore dhe vullnetit të lirë njerzor; në epokën moderne filozofët e historisë dhe sociologët trajtojnë temën e dialektikës së çuditshme që në mënyrë alternative lidh dhe zgjidh nevojën dhe lirinë. Madje edhe për deterministët, politika është materie zgjedhjeje, vendimi dhe opinioni personal. Kështu lind një paradoks jo më pak i habitshëm se ai i misterit teologjik të lirisë kristiane: megjithëse është i bllokuar nga këmisha e hekurt e nevojës historike apo gjenetike, njeriu politik është përgjegjës i aksioneve dhe opinioneve të tij. Akt dhe ide, në politikë bashkohen dashuria për pushtetin dhe joshja për teorinë, aspirata për drejtësi dhe lakmia, nostalgjia për bashkimin vëllazëror dhe pasionin e inkuizitorit, oreksi për sundim dhe dëshira (shumë prej shkrimtari) për vetakuzim dhe për të çjerrë petkat në shesh. Një zhvendosje fetare.
Historia e letërsisë moderne, që nga romantikët gjermanë dhe anglezë e deri në ditët tona, është historia e një pasioni të gjatë e të mjerë për politikën. Nga Coleridge deri te Mayakowski, revulucioni ka qenë Perëndia e madhe, E Dashura e Përjetshme dhe Putana e madhe për poetët dhe romancierët. Politika e mbushi me tym trurin e Malraux-së, helmoi pagjumësitë e Cesar Vallejo-s, vrau Garcia Lorca-n, e braktisi Machado-n plak në një fshat të Pirenjve, e mbylli Pound-in në një çmendinë, shnderoi Neruda-n dhe Aragon-in, bëri qesharak Sartre-in, i dha tepër vonë të drejtë Breton-it… Por nuk mund ta mohojmë politikën; do të ishte më keq se të pështynim me kokën sipër: do të na binte pështyma mbi krahëror.

*Shkëputur nga libri i Octavio Paz: “Zjarri i përditshëm”


Përktheu: Mira Meksi

Përgatiti: ObserverKult