8 vite pa Fatos Selën, bashkëshortja e tij tregon amanetin e fundit

Fatos Sela

Herë duke marrë fuqi nga kujtimi i tij, e herë duke u dobësuar nga mungesa, aktorja Natasha Sela tregon ditët e fundit të të shoqit, Fatos Selës. Sëmundja e papritur, marrëdhëniet e aktorit me teatrin e kolegët, bashkë me amanetin për të mos e çuar në teatër për homazhe.

Me gjithë dhembjen që i shkakton humbja e tij, Natasha do të ecë përpara, bashkë me të edhe rolet në teatër, atëherë kur i vijnë Pas largimit nga jeta të të shoqit, aktorit Fatos Sela, nga Natasha nuk dolën shumë fjalë, përveç amanetit të tij “Mos më çoni në teatër!”.

Zërat që venin e vinin nëpër tavolina, thanë se prej sëmundjes vuajti shumë. Në fakt, jo. Për familjarët, Natashën të parën, sëmudja ishte krejt e beftë. Shëtitjet nga liqeni, që çifti, shoqëruar nga miqtë, ishin mësuar të bënin çdo ditë, u ndërprenë pa ndonjë arsye të qartë.

Dobësia fizike që i erdhi Fatosit pa lajmërim, temperatura e lartë, e çoi menjëherë në spital, ku nuk vonoi për t’u përballur me të vërtetën. Akoma sot, që kanë kaluar 8 vite nga vdekja e tij, Natasha nuk është paqtuar me idenë. Sado që natyra gjithnjë ekspresive, siç dhe rolet e saj komike në teatër a film nuk e kanë mbyllur në shtëpi.

Miqtë që i ka pasur gjithnjë, kanë qenë aty për të mos e lënë vetëm. As projektet me teatrin nuk i ka mbyllur; sa të mundet do të punojë. 

Kur Fatosi u largua nga jeta, u tha se kishte kohë që vuante… ndërsa ju ende sot nuk e keni bërë tuajën idenë e largimit të tij. Si ndodhi në të vërtetë?

Jo, Fatosi nuk vuajti dhe për këtë sot i falemi Zotit. Kur e merr një rrugë njeriu, më mirë të largohet pa u munduar shumë. Ashtu ndodhi me të. E kishim bërë zakon që të dy bashkë, ose ai me miqtë, të dilnim nga liqeni përditë për ecje.

E kujtoj shumë mirë të dielën e fundit që dolëm dhe mërzitem me veten si nuk arrita të kuptoja asgjë. Vazhdimisht gjatë rrugës më pyeste “Natasha, a u lodhe?”. Unë i thosha vazhdimisht “jo”, pa kuptuar që në fakt ai po më pyeste sepse po lodhej vetë, vetëm se nuk ankohej asnjëherë dhe nuk donte ta thoshte.

Nuk ecëm gjatë atë ditë, u kthyem më herët dhe menjëherë bëri dushin e u shtri, pa ngrënë drekë. Zbres për pak poshtë dhe, kur ngjitem në shtëpi, më tha “sa mirë që erdhe se mund të mos më gjeje më”. Ishte hera e dytë që kalonte një temperaturë të lartë, por për herën e parë nuk më kishte treguar. E kapnin ethe të forta e më pas temperaturë e lartë.

Këto ishin shenjat e para?

Po, temperatura që u përsërit edhe një herë, kur isha e pranishme e ishte aq e lartë sa lëvizja e krevatit m’u duk se shkaktohej prej tërmetit. Të nesërmen e kësaj dite shkuam në spital, ku iu nënshtrua disa analizave rutinë, po pa menduar se ç’përgjigje do të merrte.

Të dhënat e para treguan për disa gjëndra, të cilat ai i pa dhe menjëherë e kapi gjendja e frikës. Vendosëm bashkë me djalin që ekzaminimet e mëtejshme t’i bënim jashtë, ku na i prenë shpresat menjëherë. Na thanë që ishte fundi.

Nuk iu nënshtrua as kurës që së paku vonon fundin?

Jo, këtë pyeta edhe unë menjëherë. Si mund të ishte pa bërë kimion a kurat e tjera. Sëm und ja kishte përparuar aq shpejt, sa që asgjë nuk do ta shpëtonte. Nuk patëm kohë as të mësoheshim me idenë e kësaj së mun djeje. Gjithçka nisi e përfundoi brenda një muaji. Aty në spital më kërkoi të qëndronim vetëm e më tha “të mos më çoni në teatër”.

Amaneti i tij u komentua mjaft. Ju duhet të keni folur edhe më parë për këtë gjë. Për shembull, se si në raste të tilla atmosfera mund të bëhet edhe patetike. Pse mendoni që e la këtë amanet? Apo kishte konflikte konkrete?

Jo, nuk ka pasur konflikte. Edhe atëherë kur krijoheshin, Fatosi u qëndronte gjithnjë larg, nuk përfshihej. Ju e dini, çdo ambient pune ka të vetat, por nuk bën të flas tani që ai nuk është më, e di që nuk do t’i pëlqente.

Patjetër që kemi folur bashkë disa herë, sepse ne kemi qenë pjesë e një ambienti pune, me shoqëri e profesion të përbashkët. Ishte njeri shumë i thjeshtë, shumë modest. Gjërat që nuk i përtypte dot, nuk preferonte as t’i fliste. / ANI JAUPAJ/preferenca-al.com

_ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _ _

Lexo edhe:

AKTORI I NJOHUR: JAM SHQIPTAR KRENAR, MË SHKRUANI EMRIN SAKTË

ObserverKult