(Majkëll Xheksonit, natën e 4 korrikut 2012)
Lum e lum për t’Lumin Zot*,
Në këtë botë ka diell, ka sy, ka lot
Dhe ditë të shënuara në tokë
Ka 4 korrik, 28 Nëntor ka
Ka Xhorxh Uashington, Ismail Qemail ka
Nuk’ jém kânë e Zoti na ká dhânë!
Nata korb qiellin ndanë në dysh
Dritë kanë dalë e diellë kanë banë!
Lutjet tuaja zbresin si vargje kuranore
Sa shumë duar, sa shumë sy drejt qiellit
Dhe ninëzat e tyre mbushur dhembje dhe shpresë
Hapu skëterrë le të shpërthej zëri i tij
Hapu qiell të shohim lajmësin e shekullit tonë
Për tokën, për paqen, për fajësinë tonë
Mbreti im!
Amen!
Majkëll
Në fillim ishe ti,
Pastaj erdhi Obama
Kosova ishte diku në mes të Atit t’Birit dhe Shpirtit Shenjte
Amen!
Zoti ynë
Jam lutur për shiun
(edhe atëherë kur diellin e kam shenjuar në sy)
Jam lutur për tokën
(edhe atëherë kur kam humbur gravitacionin mes meje dhe saj)
Jam lutur për qiellin
(edhe atëherë kur serbi vente thikën fqinjit në fyt)
Jam lutur me ty: The crying Earth the weeping shores?**
Kur treni i mbushur me banorët e fundit të Kosovës nisej për askund!
Më ndje Majkëll, por
The heavens are falling down**
Më ndje në vitin e tretë të vdekjes!
Më ndje sonte natën e 4 korrikut!
Mbreti im
Amen!
Zoti ynë
Në mëngjesin e së premtes
jam lutur për ty
(dhe vesën e barit)
jam lutur për ty
(dhe qumështin e bardhë mbi barkun e gruas)
jam lutur për ty
(dhe kripën e përbaltur të detit në pafundësi)
jam lutur për ty
(dhe buzët e përgjakura të fëmijëve)
jam lutur për ty
(dhe sytë e përflakur të luftëtarëve të paqes)
Jam lutur për ty
(dhe trokitjen e zogut në drurin e parkut të tharë)
Jam lutur për ty
(dhe zogun e plagosur në drurin e tharë)
Jam lutur për ty
(dhe lulen e vyshkur në dritare)
Jam lutur për ty
(dhe drurin e tharë në Kopshtin e Edenit)
Mbreti im
Amen!
Majkëll,
nuk e di nëse kemi qenë ëndrra jote
Apo pasojë e saj
Nuk e di
Përkulem mbi dheun e Kosovës dhe lutem
Lum e lum për t’Lumin Zot*,
Dritë kaë dalë e diellë kaë baë*!
Në fillim ishe Ti pastaj erdhi Obama
Kosova ishte diku në mes të Atit t’Birit dhe Shpirtit Shenjte
Nuk’jém kânë e Zoti na ká dhânë!*
Amen!
Zoti ynë
(I think about the generations
and they say they want to make it
a better place for our children and our children’s children
so that they they they know it’s a better world for them
and I think they can make it a better place)**
Po thërras dëshmitar ngjyranën dhe pendën
Dhe atë që shkruhet me pendë
Po thërras dëshmitar errësirën e pasigurt të muzgut
Dhe natën
Dhe çdo gjë që ajo ngjallë;
Po thërras dëshmitar hënën kur gufon
Dhe agun kur zbardhon;
Po thërras dëshmitar ditën e kiametit
Dhe shpirtin që veten qorton;
Po thërras dëshmitar kohën
Fillimin dhe mbarimin e gjithçkahes
– se çdo njeri është përherë në humbje***
Majkëll
Në fillim ishe ti,
Pastaj erdhi Obama
Kosova ishte diku në mes të Atit t’Birit dhe Shpirtit Shenjte.
Amen!
Prishtinë, më 4 korrik 2012
* Vargje të eposit shqiptar.
** Vargje të këngëve të Majkëll Xheksonit.
*** Vargje nga Kurani. Janë përkthyer nga Esad Mekuli e Tajar Hatipi.
**** Për përzgjedhjen e vargjeve të Majkëll Xheksonit kam pasur edhe përkrahjen e vajzës sime Bardhës.