Kadrush Radogoshi: Dashuria ndaj atdheut nuk nënkupton privatizimin e atdheut

Poezi nga Kadrush Radogoshi: Dashuria ndaj atdheut s’është gjiithçka

Dashuria ndaj atdheut nuk nënkupton
privatizimin e atdheut,
lirinë dhe historinë e saj
ujin që pijmë, ajrin që thithim.

Dashuri ndaj atdheut nuk është
privatizimi i këngëve
për “heronjtë” që i hipin magarit mbrapsht
e mbarë i hipin marrisë së kapur për brirët demonkratikë.

S’është dashuri ndaj atdheut
vrasja e buzëqeshjes në cepin e buzës
as vrasja e mendimit dhe guximit brenda fjalëve.

(Ato tani enden të shushatura nëpër shtigje pabesie
edhe kur mburren me diellin imagjinar
të hipur mbi Rosinantin e rrëfimit modern
për dada Razat e dada Hyrat, që i lindën dhe rritën bijtë
për t’u veshur
me Armani, Boss e Guess paradite
me Gucci, Point Zero, Denver Hayes e Bufallo pasdite).

Dashuri ndaj atdheut
nuk mund të jetë vera e pirë e as fjetja me këshilltaren
superseksi
nëpër hotele me çmime astronomike
në emër të bërjes së shtetit më të varfër ndër shtetet
me politikanët më të pasur
edhe pse kanë hyrë bythë cullakë në politikë.

Dashuri ndaj atdheut
nuk mund të jetë të shkosh në Bruksel
e të mos dish ta lexosh në anglisht fjalimin
e shkruar nga këshilltarët:
të thuash “këpucët e Kosovës” (Kosova shoes)
në vend të “çështja e Kosovës” (Kosova issue)
nuk është dashuri ndaj atdheut!

Ta vrasësh shpresën për sot, për nesër e pasnesër
se mund të bëhet i jetueshëm atdheu
nuk mund të quhet dashuri ndaj tij,
siç nuk mund të quhet karrigia e vjedhur
apo e blerë me votën e popullit.

ObserverKult

Lexo edhe:

KADRUSH RADOGOSHI: PUTHJA E SAJ E ZJARRTË

KADRUSH RADOGOSHI: MALLKIMI I NJË NËNE PREJ GJAKOVËS