Lamtumirë, e dashur, lamtumirë, fort e ëmbla nëna ime!

Salvatore Quasimodo: Letër nënës

«Fort e ëmbla nënë, tash mjegullat po davariten,
flota përplaset ngatërrueshëm mbi diga,
pemët nga uji rënden, prej dëborës digjen;
nuk jam i trishtuar në Veri:
nuk jam në paqe me veten,
por prej kërkujt falje nuk pres,
të shumtë lotët borxh m’i kanë si burri burrit.
E di që je ligsht, që jeton si tërë nënat e poetëve,
e varfër dhe e drejtë sa duhet në dashurinë
për bijtë e largët.
Sot jam unë që të shkruaj.
– Më në fund, do thuash, dy fjalë
nga ai djalë që me natë ia mbathi me një pelerinë të shkurtër
e ca vargje në xhep. I gjori, kaq i gatshëm shpirtërisht
ndonjë ditë dikund do ta vrasin.
-Sigurisht, ndërmendem, ish në atë stacion të vdekur
trenësh të avashtë që sillnin bajame dhe portokalle,
në grykëderdhjen e Imerës, lumit plot laraska,
kripë dhe eukaliptus. Por tash të t’falenderoj, këtë dua,
për qesëndinë që mbolle në buzët e mia, të shtruar si e jotja.
Ajo buzëqeshje më shpëtoi nga vaji dhe dhimbjet.
Dhe s’prish punë nëse tani për ty derdh ndonjë lot,
për krejt ata që si ty presin, dhe s’dinë çfarë.
Ah, vdekje fisnike,
mos e prek sahatin në kuzhinë që tiktakon mbi mur,
tërë fëmijëria ime shkoi mbi smaltin e fushës së saj,
mbi ato lule të vizatuara: mos i prek duart, zemrën e pleqve.
Po ndofta dikush përgjigjet? O vdekje prej mëshirës,
vdekje turpi. Lamtumirë, e dashur, lamtumirë, fort e ëmbla nëna ime.”

Përktheu: Beti Njuma

———————-

Lexo edhe:

“LETËR NËNËS”, MARIN ORHASANI INTERPRETON ESENININ

ObserverKult