Çohu i ëmbli im, u vonuam; dielli po ngrihet lart; eja,
dhe ushqimi yt, i ngratë, do jetë ftohur në pjatë.
Këmisha bojëqiell e punës varur mbi derë,
trupin tënd mermerskalitur do presë.
Do presë uji i ftohtë, gojën tënde të njomë,
do presë dhomëza lyer me gëlqere
frymën tënde.
Do presë macja jonë, të lozë në këmbët e tua,
dielli durimtar, të shkëlqejë ngadalë syve të tu.
Do presë rruga jonë, hapin tënd kumbues,
grilat gjysmë të hapura bilbil-cicërimën tënde.
Dhe shokët, i miri im, kur vinin mbrëmjeve,
dhe flisnin e flisnin, derisa nga vetë fjalët e tyre përflakeshin.
Dhe sillnin dritën në shtëpi e krejt gjithësinë,
do të presin të gdhiheni tok, biri im.
Dhe unë përkulur do pres ditë e natë,
derisa e mira vdekje, pranë teje të më sjellë.
Përktheu nga greqishtja: Eleana Zhako