Gazeta e njohur franceze “Le Monde diplomatique” me numrin më të madh të artikujve të shpërndarë në botë ka filluar tashmë të botohet edhe në gjuhën shqipe.
Botim i Institutit “Musine Kokalari” nga Prishtina, “Le Monde diplomatique” në gjuhën shqipe do të ketë 70% të teksteve të përkthyera nga botimi francez, ndërsa 30% e përmbajtjes do të jenë tekste të prodhuara nga redaksia në gjuhën shqipe.
Gazeta do të shpërndahet fillimisht në Shqipëri dhe Kosovë, e pastaj edhe në Maqedoninë Veriore, transmeton ObserverKult.
Në vazhdim ua sjellim editorialin e numrit të parë të botuar në gjuhën shqipe:
“Le monde diplomatique” në shqip
«Le monde diplomatique» flet më në fund edhe shqip. Mujorja e njohur franceze me numrin më të madh të artikujve të shpërndara në botë mund të gjindet nga sot edhe në Tiranë, Prizren, Vlorë, Ferizaj, Shkup, Shkodër, Prishtinë etj.
Kësisoj, «Le monde diplomatique» në gjuhën shqipe i bashkohet tashmë dhjetëra botimeve ekzistuese ndërkombëtare; në gjuhën angleze, gjermane, italiane, japoneze, arabe e deri në gjuhën palestineze, farsi, esperanto etj.
Por, ky botim nuk është vetëm në shërbim të universalizimit të sociokulturës shqiptare. Ai është mbi gjithash një gazetë. Një platformë që synon ta pasurojë hapësirën mediatike e publike., me tema (ndër)kombëtare, sociale, ekonomike, kulturore etj.
Shqipërimi i «Le monde diplomatique» është përpjekje për një gazetari cilësore e përmbajtësore, më afër tjetrit, në kohën e globalizimit dhe në zemër të modernitetit numerik, ku hapësira jonë mediatike po përqendrohet çdo ditë e më tepër në informim të shkurtër, të shpejtë dhe të lokalizuar.
«Le monde diplomatique» do të ndihmoj ta kuptojmë realitetin tonë përmes këndvështrimit internacional dhe njëkohësisht ta analizojmë e ta kuptojmë botën përmes përditshmërisë tonë.
Shqipërimi i «Le monde diplomatique» është përpjekje për ta zhvilluar tutje një gazetari profesionale, pjesëmarrëse dhe jopersonale, në një mjedis ku jo rrallëherë në emër të lirisë së shprehjes përhapen ide ksenofobe, konservatore, eksploatuese, fanatike, autoritare, oligarkike, patriarkale etj.
Një gazetari të angazhuar që ka për synim të së vërtetës besnikërinë ndaj një ideali jetese, e që nuk përkufizohet vetëm në fakte duke toleruar ideologjitë vrastare edhe në emër të neutralitetit.
Një gazetari që nuk mjaftohet me përhapje mendimesh, sepse të tilla nuk mungojnë në pluralizmin mediatik dhe publik.
«Nëse nuk besojmë në asgjë, nëse asgjë nuk ka kuptim dhe nëse nuk mund ta shpërfaqim asnjë vlerë, atëherë gjithçka është e lejuar dhe asgjë nuk ka rëndësi. Atëherë nuk ka as të mirë dhe as të keqe. Dhe Hitleri nuk e kishte as mirë dhe as keq, Ai që e ka me të drejtë është ai që ka sukses dhe ai e ka mirë përderisa ka sukses», thoshte Albert Camus.
Tanimë çdo muaj, lexuesi shqiptar ka një mundësi më shumë. Një hapësirë të re. Aty ku gjuha shqipe dhe shoqëria shqiptare është pjesë e “Le monde” si njerëzim dhe “Diplomatique” si marrëdhënie.
/ ObserverKult