Për 1 puthje, nëse do ma premtosh, do ta bëj nga qefi 3 herë më këmbë udhëtimin e Magelanit rretheqark botës.
Për 1 puthje, nëse ky është kushti, për 6 javë rresht do luftoj me dallgët e oqeanit, do zbuloj 1 Amerikë tjetër.
Për 1 puthje, po ma lejove, ulem e shkruaj dhe ta dedikoj një novelë më të bukur se “Zonja me kone” e Çehovit.
Për 1 puthje, po nuk kundërshtove, e thur dhe ta fal një roman më të hatashëm dhe më të mrekullueshëm se “Anna Karenina” e Tolstoit.
Për 1 puthje, nëse je dakord, ta bëj një tragjedi më rrënqethëse, më turbulluese, më tmerruese, se “Romeo e Xhulieta” e Shekspirit.
Për 1 puthje jam gati të sakrifikoj të mos e shoh me sy 3 muaj muzgun e përgjakur te Kepi i Rodonit.
Për 1 puthje mund të duroj deri në 1 muaj pa parë Myzeqenë, Kishat, Manastiret, e saj.
Për 1 puthje rezistoj deri në 2 muaj pa vajtur të nuhas aromat e Luginës së Vjosës.
Për 1 puthje bëj si bëj duroj pa dëgjuar muzikën më të bukur të botës; shushurimën e përrenjve të Mokrës.
Për 1 puthje, po ma lejove, e largoj për 3 muaj mallin përvëlues për me kalu nga malet e Skraparit, kanionet e Osumit, Mulliri i Hambullës, Sevranji, Teqeja e Alipostivanit, Pacomit, Këlcyrë, Ballaban, Qafa e Kiçokut, Buz, Çorrogjafë, Zhapokikë, Tërpan, Qafa e Kumbullës, Ura e Gorricës, Berat, Kuçovë, mespërmes Dumresë, Tiranë.
Për 1 puthje, po ma mundësove, nuk do më bjerë në men për 3 muaj të kaloj nga Gramshi, Moglica, Lozhani, Maliqi, me gjithë bukuritë e tyre të frymëndalëse.
Për 1 puthje duroj deri në 1 vit pa vajtur të shoh Korçën fine, magjike, tronditëse.
Për 1 puthje duroj deri në 5 ditë pa u rrënqethur nga rrezatimi kozmik i Voskopojës.
Për 1 puthje mund të rezistoj deri në 10 netë pa më dalë në ëndërr Shën Prodhomi.
Për 1 puthje mund ti largoj nga përfytyrimi deri në 5 ditë e pesë net Lasgushin, Liqerin, Malin e Thatë.
Për 1 puthje duroj deri në 1 javë pa uluritur brenda gjoksit poezi përmendësh duke ikur rrugës.
Për 1 puthje rri edhe 10 ditë pa ngrënë.
Për 1 puthje rezistoj deri në 2 javë pa vënë në gojë tavë me speca të mush, turli me bamje ose patllixhana.
Për 1 puthje duroj më tepër se 20 ditë pa pirë ujë dhe asnjë lëng tjetër.
Për 1 puthje e sjell në moment shiun pa çadër.
Për 1 puthje e nis dhe e ndal kur të duash dhe sa herë të duash furtunën.
Për 1 puthje ta ndal në çast erën që të bezdis duke ti shpupurisur flokët.
Për 1 puthje e ngre nga varri dhe e ngjall cilindo të vdekur që të duket se e meriton.
Për 1 puthje e fus në varr për 1 sekondë cilindo të gjallë që sipas Teje në këtë tokë vetëm ha e pi dhe nuk bën asgjë tjetër.
Për 1 puthje e thaj detin dhe e mbjell me grurë, misër, domate, patate, edhe me hashash po deshe.
Për 1 puthje e hap për 6 muaj një tunel të nëndheshëm pa asnjë dalje të shkosh për 10 minuta nga Tirana në Prishtinë.
Për 1 puthje, nëse kjo është dëshira jote, e shkaktoj pa më lëviz qerpiku një tërmet 7 ballë që zgjat 20 minuta, që e tund tokën si djep pa bërë asnjë dëm.
Për 1 puthje ta plotësoj dëshirën që brenda 3 ditësh ti kthej në Shqipëri të gjithë emigrantët që enden kotmëkot poshtelart udhëve të botës.
Për 1 puthje, po qe se të zbavit, e shemb Internetin, i bëj lesh arapi emailat, mesazhet, Fejsbukun, Instagramin, selfiet, ngatërroj dynjanë, e bëj botën Babel.
Për 1 puthje, nëse ideja të përkëdhel, 5 dit’ e pes’ net’ rresht nuk do shoh asnjë ëndërr, as zgjuar as fjetur, as me sy hapur, as me sy mbyllur.
Për 1 puthje, nëse ta do kokrra e qefit, e ndal kur të më teket rrotullimin e tokës
Për 1 puthje zgjas dorën e marr dhe e kafshoj hënën si mollën e mëkatit.
Për 1 puthje do ta fik Diellin si llampën e abazhurit, dhe do të puth. / ObserverKult