Na janë mbaruar fjalët.
Buzëqeshja ka mbetur në mes të udhës.
Ç’të bëjmë?
Të shkojmë a të mos shkojmë për një kafe
në Pallat të Kulturës?
Tavolinë e zakonshme.
Tej dritares qyteti vishet me muzg.
Një gotë ujë për të dy,
kafja jote mbetur përgjysmë,
imja pirë me fund.
Përgjysmë, përgjysmë, përgjysmë…
fjala,
buzëqeshja,
ledhatimi
si dy shina paralele, privuar nga ndarja,
përjetësisht nga takimi.
Sa herë t’i puthja sytë e bukur,
papritur binte briri i kushtrimit.
Kohë e ashpër:
Ne që ishim aq të etur për njëri-tjetrin
të ndarë na duhej të vdisnim.