
Sonte m’dhimbsesh kaq shumë,
o Bandi im!
Teksa e bëj lutjen e mbrëmjes,
në takimin me Krijuesin,
shpesh më ndodh
mendja të më ikë dikah,
sytë të më rrëshqasin diku tjetër.
Sonte, sytë m’rrëshqasin te ti.
Të shoh me cep të syrit,
si fle në divan, i mbledhur në vete,
me putrat e futura
nën gjoksin tënd të pushtë.
Sikur ke ftohtë,
edhe pse dhoma është
në paqë me ngrohjen.
M’dhimbsesh, o Band!
Ta kam prerë lirinë
e të endurit gjithandej,
mes macesh e maçokësh.
Por më shumë m’dhimbsesh,
ngaqë je kafshë.
Ç’ndjen ti?
Ç’ndjen, vallë, një kafshë?
Nuk gjej fjalë, për ç’ndjej;
stomaku m’ngjitet n’krahëror;
në lotë të valë gulçoj.
Është një ndjesi
me shije të fortë dhembjeje.
Kaq di të them.
Me gjumin tënd, o Band,
sonte ma jep këtë përjetim.
Të qofsha falë, o Zot,
që më bëre njeri!
Por, mbromë nga vetja, t’lutem!
Mbromë nga shterimet e ndjenjave!
Mbromë nga mpirja që nuk çirret,
por zbraz, zbraz ngadalë.
O Bandi im!
O ti krijesë e vogël, e dashur!
T’shoh si fle qetë, qetë,
mbledhur në divan,
edhe zëshëm shprehem,
flas me ty;
Edhe pse je kaq i dashur,
kaq i pafajshëm,
prapëseprapë nuk do kisha dashtë me qenë ti,
por diç shumë më pak se ti;
njeriu n’njeri.
ObserverKult






