Në kompleksin e Kishës Katolike në Prizren, të mërkurën është zbuluar busti i Janosh Huniadit, guvernatorit të Mbretërisë së Hungarisë, që prej historianëve konsiderohet aleat i afërt i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Në këtë ceremoni kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarë, diplomatë e ushtarakë nga Hungaria. Folësit, si nga ana e Kosovës ashtu edhe ajo hungareze, kanë vënë në spikamë miqësinë mes Huniadit dhe Gjergj Kastriotit, që, sipas tyre, është dëshmi e miqësisë së hershme midis dy popujve.
Historiografia e njeh Huniadin si prijës të Betejës së Dytë të Kosovës më 1448, të cilit synoi t’i bashkohej edhe Skënderbeu, por dështoi. Edhe vonesa e tij ende nuk është zbardhur në tërësi.
Zbulimin e bustit të Huniadit në Katedralen “Zonja Ndihmëtare” vikari Gjeneral i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, Don Shan Zefi e ka cilësuar ditë e madhe, sidomos nëse merret parasysh fakti që me shekuj janë ruajtur në Katedralen e Prizrenit pikturat që paraqesin Gjergj Kastriotin e Janosh Huniadin.
István Balogh, drejtor politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë së Hungarisë, ka shprehur mirënjohjen për autoritetet qeveritare dhe komunale, si dhe atyre të Kishës Katolike për mundësimin e vendosjes së “kësaj vepre të bukur arti”.
Para të pranishmëve ai ka theksuar se emri Huniadi për hungarezët është shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh kontributin historik të kësaj familjeje, me ç’rast ka shpjeguar se Janosh Huniadi ka qenë edhe babai i mbretit të madh hungarez, Matyas, që ka investuar shumë në kulturë, armatë dhe në vetë shtetësi.
Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Artan Abrashi, ka pohuar se trashëgimia e miqësisë mes Huniadit dhe Gjergj Kastriotit është ruajtur me kujdes përgjatë historisë nga kleri katolik në Prizren.
Zbulimi i bustit të Huniadit është bërë në kuadër të “Javëve Kulturore Hungareze në Kosovë”, organizuar nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë, aktivitet që ka nisur më 20 shtator dhe do të zgjasë deri në fund të vitit./koha