Ç’është dashuria? A e dimë? A e dini? Mësojeni!

Nga Jiddu Krishnamurt

Ç’është dashuria? Fjala është falsifikuar dhe molepsur aq shumë, saqë nuk kam ndonjë dëshirë të madhe ta përdor. Të gjithë flasin për dashurinë – çdo revistë e çdo gazetë, çdo misionar flet papushim për dashurinë. E dua vendin tim, e dua mbretin tim, e dua librin, e dua atë mal, e dua kënaqësinë, e dua gruan, e dua Zotin.

Dashuria është një ide? Nëse po, mund të kultivohet, ushqehet, ledhatohet, urdhërohet me shkop, mund ta trajtojmë si të duam. Kur thoni se e duam Zotin, çdo të thotë?

Do të thotë se doni një projeksion të imazhit tuaj, një projeksion të vetes suaj nën një farë mveshjeje respektueshmërie, varësisht prej asaj që e besoni si fisnike dhe të shenjtë. (…)

Dashuria mund të jetë zgjidhja e fundme e të gjitha vështirësive, problemeve dhe mundimeve të njeriut. Pra, si do t’ia bëjmë për të zbuluar se ç’është dashuria?

Duke u mjaftuar me përkufizimin e saj? Kisha e ka përkufizuar në një mënyrë, shoqëria në një tjetër, e kësisoj ekziston një numër i madh devijimesh dhe interpretimesh të gabuara.

Të adhuruarët e dikujt, të fjeturit bashkë, shkëmbimi i emocioneve, miqësia – vallë, kjo është ajo që ne mendojmë se është dashuri? (…) Dashuria mund të ndahet në të shenjtë dhe në profane, në njerëzore dhe në hyjnore, apo ekziston vetëm dashuria? Dashuria i përket ndokujt, dhe jo shumë njerëzve?

Nëse them, “Të dua”, mos vallë kjo e përjashton dashurinë e tjetrit? Dashuria është personale, apo jopersonale? Morale apo imorale?

Është diçka intime, apo jo? Nëse e doni njerëzimin, a mund ta doni edhe të veçantën.

Dashuria është një ndjenjë? Është një emocion? Është kënaqësi? Është dëshirë? Të gjitha këto pyetje tregojnë – është apo s’është e vërtetë?- që ne kemi ide mbi dashurinë, një ide mbi atë që duhet e s’duhet të jetë; një model ose një kod të krijuar brenda kulturës në të cilën jetojmë.

Kështu, për të thelluar çështjen se ç’është dashuria, pikësëpari do të na duhet të çlirohemi nga ndryshku i shekujve, t’i lëmë mënjanë të gjitha idealet dhe ideologjitë, mbi çka duhet e çka s’duhet të jetë.

Të ndarët e çfarëdolloj gjëje, në atë që duhet të jetë e në atë që është, përbën mënyrën më gënjeshtare e të jetuarit.

Pra, si do t’ia bëj për të zbuluar se ç’është ajo flakë që ne e quajmë dashuri- jo për t’ia shprehur ndokujt tjetër, po veç për të ditur se ç’është ajo në vetvete?

Si punë të parë, më duhet të largoj mënjanë ato që, kisha, shoqëria, prindërit e mi dhe miqtë, ato që çdo person e çdo libër ka thënë mbi dashurinë, sepse dua ta zbuloj vetë se çfarë është (…) Qeveria thotë: “Shko e vrit për dashurinë ndaj vendit tënd”. “A është kjo, dashuri? Religjioni thotë: “Harroje seksin për dashurinë ndaj Zotit”.

A është kjo, dashuri? Dashuria është dëshirë? Mos thoni jo. Për pjesën tonë më të madhe, është – dëshirë e kënaqësi, kënaqësi që rrjedh nga shqisat, nga tërheqja seksuale e nga kënaqësia.

Ajo që seksi ju jep çastërisht, është braktisje e plotë e vetes suaj. Mandej riktheheni në konfuzionin tuaj, e kështu, doni ta ripërsërisni e ripërsërisni atë gjendje në të cilën nuk ka shqetësime, probleme, nuk ka unë. (…) T’i përkasësh një tjetri, të jesh psikologjikisht i ushqyer nga një tjetër, të varesh nga një tjetër- në gjithë këtë duhet të jetë prore ankthi, frika, xhelozia, faji, e përsa të jetë frika, nuk është dashuria. Një mendje e ndrydhur nga dhimbja nuk ka për ta ditur kurrë se ç’është dashuria; sentimentalizmi dhe emotiviteti nuk kanë të bëjnë absolutisht me dashurinë. E kështu, dashuria nuk ka të bëjë fare me kënaqësinë dhe dëshirën.

Dashuria nuk është një prodhim i mendimit, që është e kaluara. Në mënyrë absolute, mendimi nuk mundet kurrsesi të kultivojë dashurinë. Dashuria nuk është e kufizuar apo e kurthëzuar nga xhelozia, meqë xhelozia i përket së shkuarës. Dashuria është gjithmonë prani aktive. Nuk është “Do të dua” ose “Kam dashur”.

Shkëputur nga libri: “Liri nga e njohura”

ObserverKult


Lexo edhe:

BORGES: DASHURIA SJELL MË SHUMË VUAJTJE SE KËNAQËSI

Fatkeqësisht, mendoj se dashuria sjell më shumë dhimbje sesa kënaqësi. Tani është e qartë se lumturia që të jep dashuria është aq e madhe sa është më mirë të jesh i pakënaqur shumë herë për të qenë i lumtur pak herë.

Unë besoj se të gjithë ne kemi qenë shumë të lumtur me dashurinë, ndonjëherë, por

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult