Kolonia ndërkombëtare e artistëve figurativë “Ditët e Mios” ka sjellë në Korçë 19 piktorë nga Polonia, Maqedonia e Veriut, Greqia, Mongolia, Arabia Saudite, Kosova dhe Shqipëria.
Për 4 ditë radhazi mjeshtrat e telajos u frymëzuan nga ngjyrat dhe pamjet piktoreske të Korçës e rrethinave, duke sjellë një ekspozitë ta veçantë me krijimtarinë e tyre.
Artistët fillimisht kanë vizituar Korçën dhe rrethinat përreth ,për të hedhur më pas në telajo tematika të ndryshme ,duke u ndalur në peizazhin e Dardhës, Boboshticës dhe Vithkuqit,dikur vende frymëzuese edhe për piktorin e popullit Vangjush Mio. Për organizatorët ky event është konsideruar si ndër më të rëndësishmit,dhe ka për qëllim promovimin e vlerave kulturore të Korçës.
Kanë qenë 19 piktorë nga Polonia, Maqedonia e Veriut, Greqia, Mongolia, Arabia Saudite, Kosova dhe Shqipëria, të cilët janë shpërndarë në rrethinat e Korçës duke u frymëzuar nga ngjyrat e vjeshtës e duke hedhur në telajo krijimet e tyre.
Benila Themeli, nënkryetare e Bashkisë së Korçës tha se artistët pjesëmarrës të kësaj kolonie bëhen edhe ambasadorë të Korçës në vendet ku jetojnë duke përcjellë përshtypjet dhe mbresat e tyre.
Një nga punimet e realizuara nga artistët pjesëmarrës do ti mbetet fondit të Galerisë së Arteve në qytetin e Korçës dhe një punim tjetër ata do të mund ta çojnë në vendet e tyre.
Sipas traditës së Kolonisë Ditët e Mios, të gjithë artistëve iu është dhënë një çertifikatë pjesëmarrje në këtë aktivitet ndërkombëtar.
Për piktorët Korça mbetet përjetësisht një vend për t’u eksploruar për peizazhet unike që sjell. Për organizatorët, ky aktivitet mbetet i rëndësishëm pasi është edhe një urë komunikimi midis artistëve nga vende të ndryshme./tch