Nga skenat operistike botërore, në burgjet e regjimit komunist: Historia tragjike e Stavri Rafaelit

Historia e dhimbshme e Stavri Rafaelit nga qyteti i Korçës, i cili pasi u shkollua në një kolegj të Athinës, u kthye në atdhe ku luftoi me armë në dorë në radhët partizane.

Publikohet historia e dhimbshme të Stavri Rafaelit nga qyteti i Korçës, i cili pasi u shkollua në një kolegj të Athinës, u kthye në atdhe ku luftoi me armë në dorë në radhët partizane. Diplomimi më pas në Akademinë e Pragës për Skenografi dhe Kanto, martesa me gruan hungareze dhe karriera e shkëlqyer si solist e skenograf në Teatrin e Operas dhe Baletit e skenat operistike botërore ku fitoi disa çmime. Tentativa e arratisjes nga Shqipëria në vitin 1963 bashkë me vëllanë e tij dhe disa shokë të tjerë dhe kalvari i gjatë në burgjet e regjimit komunist pasi ia pushkatuan vëllanë…

Ka qenë qershori i largët i vitit 1963 kur komanda e Batalionit të Kufirit në zonën e Qafë-Thanës të rrethit të Pogradecit, me anë të një radiogrami të posaçëm e tepër urgjent, njoftoi zyrën Operative të Ministrisë së Brendshme në Tiranë, se rojet e atij reparti kishin kapur në afërsi të klonit katër shtetas shqiptarë të cilët kishin tentuar për të kaluar kufirin shtetëror. Po kështu në atë radiogram urgjent që i dërgohej Ministrisë, bëhej e ditur se dy nga shkelësit e kufirit, ishin Stavri Rafaeli, skenograf e solist i Teatrit të Operas dhe Baletit, e njëkohësisht Sekretar i Organizatës Bazë të atij institucioni dhe i vëllai i tij, një ushtarak me gradën e kapitenit. Po kush ishte Stavri Rafaeli, cila ishte origjina e tij, ku kishte studjuar ai dhe cilat ishin arsyet që e kishin detyruar atë që së bashku me të vëllanë të merrnin rrugën drejt kufirit për t’u arratisur nga Shqipëria?

Kush ishte Stavri Rafaeli

Stavri Rafaeli u lind në 15 shtator të vitit 1923 në qytetin e Korçës, prej nga është edhe origjina e familjes së tij, tepër e njohur në atë qytet për lidhjet e saja me artin dhe trashëgiminë e vlerave kulturore të atij qyteti. Që në vogëli ai shfaqi prirje për pikturën dhe këngën, të cilat ishin të kultivuara në atë familje që prej disa brezash. Këto dhunti që ia kishte dhënë natyra, prindërit e Stavrit u kujdesën që t’ia ngulitnin së tepërmi për t’ia bërë dhe passion të jetës së tij. Kështu që kur Stavri nuk ishte më shumë se shtatë-tetë vjeç, u dërgua për të marrë mësime tek një nga piktorët më të njohur të asaj kohe në qytetin e Korçës.

Pas mbarimit të shkollës unike në qytetin e tij të lindjes, Stavri u dërgua në kryeqytetin helen për të ndjekur mësimet e gjimnazit, të cilin ai e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1941. Po në atë vit pas diplomimit në Athinë, Stavri u kthye në qytetin e tij të lindjes pranë familjes dhe si shumë të rinj të tjerë të asaj kohe u përfshi në lëvizjen antifashiste, duke marrë pjesë me armë në dorë në formacionet partizane të krahinës së Korçës. Pasionin e tij për këngën, Stavri nuk e harroi por e vazhdoi edhe gjatë kohës që ishte në mal, duke organizuar koret partizane. Pas mbarimit të luftës, ai qëndroi në qytetin e Korçës ku u muar me organizimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike të ushtrisë.

Diplomohet në Pragë për Skenografi e Kanto

Duke parë dhuntitë e tij në fushën e pikturës dhe këngës, në vitin 1947 Stavri Rafaelit ia akordua një bursë shtetërore për të ndjekur studimet e larta në degën e Skenografisë pranë Akademisë së Arteve të Bukura në kryeqytetin e Çekosllavakisë, Pragë. Në atë Konservator krahas skenografisë, Stavri ndoqi paralelisht dhe degën e Kantos dhe në vitin 1951 ai u diplomua me rezultate të shkëlqyera në të dyja degët. Gjatë periudhës që Stavri ndiqte studimet në Konservatorin e Pragës, ai u njoh dhe u dashurua me një vajzë nga Budapesti të quajtur Maria, e cila gjithashtu studjonte për piano në degën e Muzikës të asaj Akademie.

Pas marrjes së diplomës në vitin 1951, Stavri u kthye në Shqipëri së bashku me bashkëshorten e tij, Marien, me të cilën kishte lidhur kurorë që në Pragë. Pas kthimit në Shqipëri, ai u emërua menjëherë këngëtar dhe piktor pranë Teatrit Popullor dhe Filarmonisë së Shtetit në Tiranë. Pasi punoi për dy vjet me rradhë në këtë institucion, në vitin 1953, me krijimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, Stavri u emërua si solist pranë sektorit të solistëve të atij teatri. Që në fillim Stavri Rafaeli spikati si një mjeshtër i vërtetë i kantos, gjë e cila bëri që atij t’i besoheshin shumë role kryesore në premierat e para të Operas që u vunë në skenë asokohe.

Lidhur me këtë, përgjegjësi i Arkivit pranë Teatrit të Operas dhe Baletit, Zamir Këlliçi, midis të tjerash dëshmon: “Në dokumentacionin e pasur arkivor që ndodhet pranë këtij Arkivi, një vënd të veçantë zë edhe dosja e Stavri Rafaelit, e cila është tepër e pasur për shkak të aktivitetit të tij artistik tepër të ngjeshur. Duke qenë se Stavri spikati me një përgatitje të lartë profesionale që në fillim të karrierës, atij i’u besua roli i Knjazit, në operën e parë “Rusallka” që u vë në skenë nga ky teatër. Pasi shkëlqeu në atë rol, atij i’u ngarkuan dhe mori pjesë si solist i parë pothuaj në të gjitha pjesët e tjera që u vunë në skenë pas “Rusallkës”. Po kështu në vitin 1955 ai mori pjesë në turneun që Teatri i Operas dhe Baletit zhvilloi në Kinë, Mongoli, Kore dhe Vietnam.

Në të gjitha koncertet që u zhvilluan në këto shtete të Azisë, Stavri shkëlqeu në mënyrë të veçantë nga të gjithë solistët e tjerë dhe pati duartrokitje të vazhdueshme gjatë interpretimeve të tij. Lidhur me shfaqjet e dhëna nga solistët shqiptarë në atë kohë, shkroi edhe shtypi i atyre shteteve ku një vënd i veçantë i’u rezervua edhe Stavri Rafaelit. Pothuaj të gjitha gazetat e quajtën atë “solisti shqiptar me dhunti të mbinatyrshme”, kujton Zamir Këlliçi, lidhur me fillimet e karrierës artistike të Rafaelit dhe turneun e Azisë së largëme, ku ai pati një sukses të jashtëzakonshëm.

Solist i parë i Operas

Pas debutimeve tepër të suksesëshme si solist në pjesët e para që u vunë në skenë nga Teatri i Operas dhe i Baletit, në vitin 1956 Stavri Rafaeli u dërgua në Bashkimin Sovjetik për t’u specializuar pranë teatrit të famshëm “Balshoi” të Moskës, që në atë kohë ishte më i njohuri në të gjithë Botën. Për një vit që Stavri qëndroi pranë atij teatri, ai mori pjesë në disa shfaqje, ku vlen të përmendet roli i Dukës, tek “Rigoleto” i Xhuzepe Verdit, ku ai pati një sukses mjaft të madh.

Po kështu përveç roleve që luajti në “Balshoi”, Stavri bëri edhe disa turne në qytete të ndryshme të republikave të Bashkimit Sovjetik, si në Leningrad, Vilnius, Tbilis, Kiev etj, ku gjithashtu interpretimet e tij u pritën mjaft mirë. Në vitin 1957 pasi mbaroi specilaizimin në Moskë, Stavri u kthye në Shqipëri dhe në atë kohë atij i’u besuan disa nga rolet më të spikatura të pjesëve operistike botërore, si roli i Alfredit tek “Traviata” e Xhuzepe Verdit, Almaviva tek “Berberi i Seviljes i Rosinit, Lenski tek “Eugjeni Onjegin” i Çajakovskit etj.

Në të gjitha këto role Stavri pati një sukses të jashtzakonshëm dhe interpretimi i tij konsiderohej si i barabartë me ato të shumë kolegëve të tij që asokohe interpretonin në skena të ndryshme të botës. Pas këtyre shfaqjeve, ai mori pjesë edhe në turneun e Hungarisë ku me rolin e Dukës, tek “Rigoleto”, pati mjaft sukses dhe publiku hungarez i dhuroi duartrokitje të vazhdueshme me ovacione të gjata. Pas kësaj shfaqje ai mori pjesë dhe në disa koncertë të tjera, ku interpretoi arie të ndryshme nga repertori më i zgjedhur i pjesëve të operistikës botërore.

Çmim në Vjenë dhe sukses në Europë

Karriera artistike tepër e shkëlqyer e Stavri Rafaelit, u pasua me pjesmarrjen e tij në Festivalin e VII-të të Rinisë Studentore që u zhvillua në Vjenë të Austrisë në vitin 1959. Lidhur me këtë aktivitet artistik të përmasave botërore, ku solisti shqiptar Rafaeli pati një sukses të jashtzakonshëm, përgjegjësi i Arkivit i TOB-it Zamir Këlliçi, dëshmon: “Pjesmarrja e Stavri Rafaelit në atë festival të rinisë studentore, shënoi një nga kulmet e jetës së tij artistike, për arsye se për interpretimin e tij brilant si vokalist, ai u nderua me çmimin e dytë.

Pas suksesit të madh që arriti në Vjenë, Stavri Rafaeli mori pjesë dhe në një turne tjetër të zhvilluar në Itali, ku ai interpretoi me mjaft sukses arie të ndryshme nga pjesët më të njohura të operistikës botërore. Pas Italisë ai mori pjesë edhe në një turne tjetër në Çekosllavaki, ku ai ishte diplomuar dhe kishte kaluar disa nga vitet më të bukura të rinisë së tij. Në këtë turne ku u dhanë disa shfaqje në qytetet e Pragës, Bratislavës, Koshicës etj, Stavri interpretoi me mjaft sukses rolet e Dukës te “Traviata” e Verdit dhe Alfredit te “Rigoleto.

Po kështu gjatë atij turneu, Stavri përgatiti dhe skenografitë e kostumet e disa prej pjesëve që u interpretuan nga artistët shqiptarë të TOB-it. Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1961 ai mori pjesë si solist kryesor në disa prej kryeveprave të operistikës botërore, siç ishte Pinkertoni tek “Madam Baterflaj” i Xhiakomo Puçinit dhe ai i Don Hozesë tek opera “Karmen” i Zhorzh Bizesë. Roli i Don Hozesë të cilin ai e interpretoi në vitin 1961, shënoi edhe fundin e karrierës së tij të shkurtër por brilante”, dëshmon Zamir Këlliçi, lidhur me ish-mjeshtërin e madh të vokalit shqiptar, Stavri Rafaeli.

Tentativa e arratisjes, 15 vjet burg

Ndonëse Stavri pati një karrierë të shkëlqyer gjatë atyre 13 vjetëve të interpretimit të tij në skenën shqiptare dhe në ato botërore, ai nuk ishte fare i kënaqur nga jeta që bënte dhe trajtimi që iu bëhej në përgjithësi artistëve në Shqipëri. Ndonëse ai mbante funksionin e sekretarit të Organizatës Bazë të Partisë në Teatrin e Operas dhe Baletit, nuk ishte aspak një komunist fanatik. Përkundrazi ish-kolegët e tij e kujtojnë atë si një njeri shumë liberal dhe tepër të kohës nga të gjitha pikpamjet. Stavri kishte shëtitur e parë shumë vënde të ndryshme të Botës dhe ai kishte një botkuptim tjetër për jetën.

Ky fakt e bënte të mos pajtohej aspak me politikën e regjimit komunist në Shqipëri, ndonëse atij i kishte rënë shorti për të drejtuar një nga celulat e komunistëve që merreshin me art. Pakënaqësitë e shumta dhe acarimi i tij me regjimin komunist në fuqi, filluan sidomos pas prishjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik dhe vëndet e tjera të Europës Lindore që përbënin Kampin Socialist. Në atë kohë shumë intelektualëve shqiptarë që kishin studjuar në vëndet e Lindjes dhe ishin martuar me vajza të huaja, regjimi kopmunist iu bëri presion që t’i ndanin ato. Edhe Stavri Rafaeli pati presione të ndryshme që të ndahej nga bashkëshortja e tij hungareze Maria, me të cilën ai kishte lidhur jetën që në vitin 1951 kur ishin studentë në Pragë.

Stavri nuk pranoi që të ndahej nga bashkëshortja e tij hyngaraze dhe në atë kohë për këtë gjë ai gjeti edhe mbështetjen e vëllai të tij, i cili ishte ushtarak me gradën e kapitenit. Gjatë asaj bisede, Stavri i bëri të ditur vëllait për situatën tepër të vështirë në të cilën ndodhej, ku nuk prejashtohej mundësia që ai edhe të arrestohej. Pas kësaj të dy vëllezërit vendosën që të arratiseshin nga Shqipëria. Qëllimi i tyre ishte që pas arratisjes, shteti shqiptar do t’ë lejonte edhe bashkëshorten e Stavrit, Marien, që të largohej nga Shqipëria për në atdheun e saj në Hungari. Por dëshira e tyre nuk u realizua dot, sepse në qershorin e vitit 1963, teksa Stavri së bashku me të vëllanë e dy shokë të tyre tentuan të kalonin kufirin shtetërore në zonën e Bilishtit, ata u kapën nga rojet e kufiri në afërsi të klonit, kur vetëm disa hapa i ndanin nga liria që kishin ëndërruar.

Pas kësaj ata të dy u nxuarën para gjyqit që u zhvillua në Tiranë me dyer të hapura, ku u akuzuan për agjitacion e propagandë dhe për tradhëti të lartë ndaj Atdheut. Si përfundim prokurori kërkoj që Stavri të dënohej me 15 vjet burg, kurse për vëllanë e tij ushtarak, dënimin me vdekje, gjë e cila u la në fuqi edhe nga trupi gjykues. Ndërsa i vëllai i tij oficer u pushkatua, Stavri u dërgua të vuante dënimin si armik i popullit në kampet e punës së detyruar. Ndërsa bashkëshorten e tij hungareze, Marien, e internuan në qytetin e Fierit.

Pas burgut me Marien në Hungari

Mjeshtri i madh i skenës operistike shqiptare Stavri Rafaeli, e vuajti të gjithë dënimin si i burgosur politik në disa kampe e burgje dhe u lirua vetëm në vitin 1978. Ditën që do të lirohej, Stavrin e priti tek dera e burgut bashkëshortja e tij Maria, e cila pas dënimit të tij, jo vetëm që nuk e divorcoi, por përkundrazi e ndoqi bashkëshortin e saj shqiptar në të gjitha kampet e burgjet dhe mbajti korespodencë të rregullt me të me anë të letrave. Për afro 27 vjet me rradhë Maria punoi si mësuese muzike në një nga shkollat e Fierit, nën presionin e vazhdueshëm psikologjik të Sigurimit të Shtetit që shpesh i kujtonte bashkëshortin e saj që ishte i dënuar si armik i popullit. Vetëm pas viteve 1990-të, ëndrra e Stavri Rafaelit u bë realitet.

Ai me bashkëshorten e tij, Marien, u larguan nga Shqipëria dhe u vendosën në një qytet të vogël buzë liqenit Balaton të Hungarisë ku jetojnë edhe sot. Për kontributin e madh që Maria kishte dhënë në qytetin e Fierit si mësuese e muzikës, në 7 mars të vitit 2001, Këshilli Bashkiak i Fierit i akordoi asaj titullin e lartë “Qytetare Nderi”. Këtë titull Maria erdhi dhe e mori vetë, në shenjë respekti për atë qytet ku kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës së saj dhe njerzit e thjeshtë e kishin respektuar, ndonëse bashkëshorti i saj ndodhej në burg si ”armik i popullit”./memorie.al