Në këtë vend, me planin rregullues, është paraparë të zënë vend objektet e dy fakulteteve të Universitetit të Prishtinës: Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore dhe atij Ekonomik.
Planet e Komunës po bëhen pavarësisht që në korrik të këtij viti, Ministria e Kulturës kishte hapur konkurs ndërkombëtar për “zhvillimin e projektit konceptues dhe vizatimeve të hollësishme të ndërtimit për Operën dhe Teatrin Kombëtar në Prishtinë”.
Javën që shkoi, Komisioni vlerësues ka punuar çdo ditë në vlerësimin e tri propozimeve që ka marrë MKRS-ja, e të cilat janë hartuar që ndërtesa të zërë vend pikërisht afër Fakultetit Teknik, raporton “Express” i KTV-së.
Arkitekti Ilir Gjinolli, i cili e ka prezantuar draftin e planit rregullues, thotë se hapësira afër Fakultetit Teknik nuk është e përshtatshme për objektin e teatrit dhe operës.
Planin ku parashihet të zërë vend një kampus i ri i UP-së, e ka punuar një grup punues i Universitetit të Prishtinës.
Në një prononcim për “Kohën Ditore”, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se nuk kanë marrë kurrfarë shkrese nga Ministria e Kulturës, para se të hapej konkursi për projektin ideor për teatrin e operës dhe baletit.
Nga ana tjetër, ministri në detyrë Kujtim Gashi, në gusht të këtij viti, kishte thënë se me Komunën e Prishtinës, nuk kishte për çfarë të fliste dhe se i kishte njoftuar për vendin në të cilin Ministria e Kulturës planifikonte ndërtimin e objektit.
Për teatrin e operës dhe baletit në hapësirën afër Fakultetit Teknik, ishin shpenzuar kot mbi 1 milion euro.