Kah fryen era…

Salajdin Salihu
Salajdin Salihu

Nga Salajdin Salihu

Heronjtë e mendimit të periudhës së viteve 30-të të shekullit XX shumë herë e kanë trajtuar mungesën e ndjenjës për interesin e përgjithshëm te shqiptarët, të cilët, ndonëse flasin për interesin e përgjithshëm, punojnë për interesin personal ose familjar dhe lejojnë që institucionet e shtetit të udhëhiqen me logjikë tribale.

Mendimtarët shqiptarë të kësaj periudhe mendonin se shqiptarët, që kishin parime për jetën vetjake, nuk e çmonin interesin e përgjithshëm. Të këtij mendimi ishin: Faik Konica, Fan Noli, Mithat Frashëri, Anton Harapi, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Branko Merxhani, Ismet Toto, Nebil Çika, Petro Marko e shumë të tjerë.
Anton Harapi mendonte se shqiptarit duhej t’i kultivohej ndjenja për “jetën e përbashkët” dhe “ndërgjegjja shoqërore”, sepse ishte një “ego concentricum”, ishte “egoizmi në kulmin e vet”; ishte i mangët për edukatën e përbashkët dhe çdo nismë të përgjithshme e quante qesharake dhe pa rezultat. Shqiptari, sipas tij, ikte nga detyrat kolektive, nga bashkëpunimi për të mirën e përgjithshme; kishte mungesë ideali (që e thekson edhe Konica e Noli) dhe “përtej derës së oborrit nuk e shihte rrezikun, as armikun”. Shqiptari, duke qenë individualist egoist, shpesh i kapërcente edhe caqet e arsyes.

Mendime të ngjashme hasim edhe tek autorët tjerë të kësaj periudhe kohore. Fatkeqi Vangjel Koça, në shkrimin “Një krodhe buke”, (“Illyria”, viti 1. Nr.2 1934), e shihte mungesën e ndjenjës për interesin e përgjithshëm nëpërmjet prizmit historik.

Shqiptari i robëruar për shekuj, shkruante ai, ishte mbyllur në veten dhe në familjen e tij pa pasur raste që ta derdhte këtë “ego” në “sheshin altruistik të interesit të përgjithshëm”.

“Psikosinteza e shqiptarit është e ngushtë, egoiste, nuk e njeh dhe nuk e ndjen gëzimin e altruizmës; i mungon elementi i përgjithësimit, fuqia e abstraksionit, që i japin jetës një kuptim totalitar”, shkruan Koça.

Shqiptari edhe sot priret drejt kërkesave ekzistenciale dhe personale dhe jo drejt kërkesave esenciale. Kjo mënyrë e të menduarit dhe të jetuarit bëri që krodha e bukës të bëhej ideal jetësor i tij.
“Një çikë sikur të rrezikohet ose të humbasë kjo “krodhë” shqiptari e quan vetveten të humbur. Interesi i përgjithshëm për shqiptarin është një “res nullius” dhe prandaj është një gjëmë e madhe të humbasë “krodhën” për një gjë që s’është e asnjeriut. Për këtë shkak shqiptari, si kolektivitet, nuk çau kokën as për çlirimin e tij nga skllavëria turke, çlirim për të cilin romancierët e historisë dhe pseudoromantikët e nacionalizmës le të më japin leje të shpall këtu një herezi”, shkruan ai.

Vangjel Koça nuk është vetëm konstatues i gjendjes, por është mendimtari që ofron formulat e zgjidhjes së problemeve të shtruara për diskutim. Për të dalë prej kësaj gjendjeje, sipas tij, duhej të flakej filozofia e quajtur “kah fryn era”. Arbitrariteti të zëvendësohej me rregullin. Të krijohej ndërgjegjja shoqërore, që njeh disa të vërteta qendrore dhe disa porosi morale të përjetshme. Pra, duhej të krijoheshin idealet shoqërore.

Duke menduar “sot për sot”, shqiptari vazhdon t’i përçmojë ata që angazhohen për interesin e përbashkët dhe nuk solidarizohet me ata që sakrifikohen për këtë interes.

“Lartësia e vërtetë nuk arrihet pa dritën ideale të parimeve morale, të cilat janë për ndërgjegjen si ylli që është për detarin. Të shartojmë, në brezat e nesërm besën për parimet, luftën për parimet, sakrificat për parimet, kundër mohimeve dhe shtrembërimeve të oportunistëve të jetës dhe të parimeve false”.
Një shoqëri ngulfatet në kaos, atëherë kur i mungojnë parimet, kur njerëzit nuk merakosen për jetën e përgjithshme, por mendojnë vetëm për bukën e përditshme.

ObserverKult

Lexo edhe:

SALAJDIN SALIHU: EDHE DASHURITË ARRATISEN