E keni ditur se poezia e famshme e Fan Nolit “Plak, topall edhe ashik” edhe këndohet? Ju ftojmë të ndiqni në intepretim të Fahrush Azemit!
Dale, moj, se kam një fjalë
Se më rjedhin djersët valë;
Dale, moj, se s’jam më djalë
Dhe më s’ecënj dot.
Dale, moj, se më kapite,
Më këpute, më sfilite,
Prite, moj, ashikun, prite
Që të vjen me not.
E arriva dhe ia thashë,
Asnjë gur pa tundur s’lashë,
Dhe mëgjunjazi i rashë,
Ç’u mundova kot.
Hapi gojën, dhe vajtova,
Qenkam plakur, e kuptova,
M’ardhi keq, po s’e mohova,
Syri m’u përlot.
Dhe nga jeta u mërzita,
Dhe nga lumi u vërvita
Që të vdes, se u korita
Dy-tri herë sot.
Po ti, Zot, më ngushëllove
Pas një tjatre më lëshove,
Dhe nga mbytja më shpëtove,
Lavdi paç, o Zot.
Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rrjedhin djersët valë;
Dale, moj, se jam i çalë
Dhe më s’ecënj dot.
ObserverKult
Lexo edhe:
FAN NOLI, SHKRIMTARI, PËRKTHYESI, POLITIKANI I NJOHUR
Më 6 janar të vitit 1882, në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi) lindi shkrimtari, politikani, përkthyesi, shtetari, diplomati dhe historiani i madh, Fan Noli.
Në vitin 1904 Noli shkoi në Egjipt. Aty punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Atë kohë ai përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.
Në vitin 1907, pasi shkoi në SHBA, ai krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston. Më 9 shkurt të vitit 1908, Fan Noli u dorëzua si dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston.
Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë…
Tekstin e plotë e gjeni KËTU