Po mbytet dielli në det, i dashur,
Zjarrmi e tij nën dallgë po shuhet, pa fjalë,
Dhe unë si ai po mbytem, në heshtje, në pritje,
Përvëluar për një prekje, për një puthje…
Po heshtin pulëbardhat, tek fshihen bregut,
Dhe dallgët me shushurima diellin vajtojnë,
Pikë më pikë do ta pija të tërë detin,
Veç sonte, ty i dashur të kem pranë…
Po mbytet dielli, ky vigan i moçëm,
Dhe unë se të dua, vuaj nga larg,
Puthjet e tua dallgë më ngrenë përbrenda,
Prej tyre digjem dhe mbytem në mall…