Asht koha veç për dashni…

Nga Albert Vataj

Dashtuno si din, ti zemër lume, gazmue kjosh
n’çka prek dielli me rreze, e hana lan me përmallim.
Mos druj, por duej sa don, duej sa mundesh.
E ç’ka tjetër t’rrok me dëshirim kso jete, veç dashnis…
zjarmit qi na ndez, epshit qi na drit, n’diell tue shndrit,
njatij kaplimi dorzan me ju dhan, si flijimit qi t’shejtnon
veç dashnis, njasaj epje naltu n’blatim,
njasaj qi na ka m’sue, me shpirt me dasht ç’ka duem;
me pas ç’ka mujm, me loçk t’zemrës me përpi,
me gzue si tue hov n’qiell, ç’ka na lumnon,
me jetue, n’çdo frymë e puls, n’nji pafundsi.

Tue dasht… na kena, jena, ndijmë e përtrijmë,
e tashmja e gjanave, e gjithmonshme asht n’nji çast,
krejt dija dhe ndija e kohnave shkrep n’nji prekje,
caqet e botës, i shkasin n’nji droje prehjes, epen, ndezen
se duem… me u dasht.

E dashtuna zemër, ti qi ke lind veç me dasht, duej…
duej, si ti din, sa n’ty don, duej… sa mundesh.
Kurrgja s’ka, ç’ka na duhet idhnimi, trazia, dhimbja
t’harrojm, tançka t’nguc e don idhnisht me t’truc,
se duem me shojishojn me u dasht,
pa drasht… tash e pafundsisht.

Urrejtja din me dasht edhe n’se s’don,
e kur ate duem, ajo mundet me urrye ma tan shpirt
siç din me t’robnue n’vujtje e ankim, me nji dashni mizore.

Kurrnji qiell, mrrylun n’trazim nuk m’çon te zogjt e andrrave,
hanat duejn me piku n’sy t’skuqun t’pikllimit,
yje, s’bulon ma dega e kangve t’mallit, ku zogjt nderin krahët,
dielli s’drithëron ma, n’behjet e dritshme t’vesës,
agimeve t’djersun prej veset
guri i ndryn tan shpirtjet e idilit,
e un druej se vuej, ku due me dasht.

M’duej dhe duej pash hatrin e Zotit, si din e sa mundesh,
njitash, se masandej s’ka dashni qi t’bjen te kandja,
and s’ke me pas, e kang gjethesh s’frushullon ma flladi.
Urrejtja ka me dit, e me mujt, me t’dasht si din e sa mundet,
derikur shndrron tançka t’tanden, s’brendshmi e jasht, n’nji hon,
e përjetsia n’ty ka me ken nji jehon qi del prej territ,
nata, zezon, nji pend korbi ngulun n’sy t’nadjeve tuja pikllue.

Dashtuno si din, mos druj, por duej sa don,
duej sa mundesh edhe n’se fati s’ka ken njaq bujar,
sa me hedh n’ty farën e dritës,
njaq sa me t’mylmye hanat tuja me t’amlin e fëshirimit.
S’ka ken ngujue veç zemra jote n’gur t’murimit,
ndime se deshtëm, sall njat’her kur shkrepëm n’nji vetëtim,
e drita tue na puth, na prushi, sy e buzë.

Edhe un dola prej dhimbjes si bima prej faret
n’nji tok t’eshkun porsi buz e plasun, puthjet e edit,
ani, mujta se dështa, e s’dreshta me ç’burgos prej pemës,
djepin, kryqin dhe statujën e andrrave t’mija.
Brita me sa za nxuni loti i qiellit e kërdisa dynjan me pikllimin tem,
drashta me i’u dhan ankimit, se deshta me t’dasht,
asaj dite e tash, s’di se si asht tjetërqysh dashnia,
veç njaja qi engjëj ulen n’prenin tem me kraht tuj.

E dashtuna zemër, ti qi ke lindun me vuej dhe din veç me dasht,
duej…
duej, si ti din, sa n’ty don, duej… sa mundesh.
E krejt stinët kane më t’shtrue n’lule e me t’mbulu n’yje,
zjarmet e mishit… hanat kanë më t’i prajt n’prehën,
e ernat, n’aroma lulesh e andrra fëminie, t’përkundin,
Ndij se çka bjen njaj za jehonash ku kullosin mjegullat
mbaj vesh… se ç’kang pikon prej sqepit t’ylberit
e ç’mall t’rrzohet n’qerpik e ç’and t’gufon n’krahnor.

Duej me sa cak ka qielli, e mos i blato tjetër shenjtnimi,
as zemër, buzë, sy, kurm… as zazjarm e hirhyj,
asht koha veç për dashni, kurrçka tjetër s’të meriton
Ti, un’ e gjithëju kena ardh prej zjarmit t’dashnis,
n’zjarm t’dëshirimit me dasht, kem me u ep.
Un’ besoj n’njat Zot qi m’son me dasht, si Ate edhe Vedin,
i kjosha flijue dashnis, këtij bekimi qi m’naltson.
Sot, e derisa t’ket jetë, e zemra t’ndij e t’ndrij si diell.
Amen!