Drama “Pasion dhe Epsh”, shkruar nga autori Eugene O’Neill më 1925 vjen në skenën shqiptare këtë fundjavë. Kjo vepër vjen premierë mbrëmjen e së shtunës dhe të dielës në skenë te “ArTurbina”. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” sjell për publikun premierën e radhës në sezonin artistik, një vepër me regji nga Endri Çela dhe interpretimin e dhjetë aktorëve.
Drama është përkthyer nga Artur Lena dhe aktorët që interpretojnë janë Gëzim Rudi, Dasara Xhangolli, Josif Sina, Andi Begolli, Urim Aliaj, Barjam Dosti, Bujar Hoxhaj, Rexhina Ibro, Xhoana Sula, Anxhela Dervishi. Edhe pse vepra është e shkruar në 1925, në Amerikën veriore, ajo është aktuale më shumë se çdo vepër tjetër e shkruar nga shqiptarët në ditët e sotme. Dasara Xhangolli e ftuar në emisionin ‘Chic’ të Fjodora Dorës në News 24 rrëfen më shumë rreth kësaj shfaqje dhe si e priti kur iu propozua ky rol.
Kjo është hera e parë që kjo vepër vihet në skenë. Pse u vendos pikërisht për këtë vepër dhe si u ndieve kur morët për herë të parë tekstin.
Në fillim kur më është propozuar nga regjisori më është dukur një kafshatë shumë e madhe dhe kam thënë do ta marr si sfidë sepse në tërësi të gjithë personazhet atje janë tepër kompleks dhe janë tërësisht instiktiv, nuk janë të rafinuar dhe në duke qenë se gjatë gjithë jetës sonë mundohemi të ecim sipas disa rregullave që vetë jeta i krijon. Dhe ti duhet t’i shkatërrosh këto rregulla dhe të jesh siç natyra të ka krijuar, në qoftë se ti ke dëshira apo instikte që ti i shtyp gjatë gjithë kohës kjo vepër kërkon që këto dëshira dhe këto instikte ti t’i shpërfaqësh në maksimumin e qenies tënde.
Personazhi i Abit bën një kompromis me veten dhe martohet me një burrë 40 vjet më të madh se ajo. Pasi ka humbur bashkëshortin e mëparshëm dhe fëmijën që kishte me të ajo vendos të martohet më një burrë shumë herë më të madh vetëm për arsyen e vetme se ai shumë shpejt do të vdes dhe shtëpia do t’i mbetet asaj. Pra në fund ajo do të ketë një shtëpi dhe s’do të jetë e detyruar të punojë në shtëpitë e të tjerëve siç ka punuar.
Është pse është një dramë që ngjarjet janë zhvilluar 100 vite më parë është shumë koherente. Si e ndërtuat këtë karakter për t’i qëndruar edhe realitetit të sotëm?
Secili nga ne ka dëshira, mos për pronë, ka për gjëra të tjera por shumë nga dëshirat ne i shtypim gjatë gjithë kohës sepse jeta nuk është gjithmonë në favorin tonë që të na ofrojë një buqët me lule. Unë kam dashur të zgjoj brenda vetes ato dëshira si Dasara, që unë i kam të shtypura dhe ja pse. Pavarësisht se vetë Abi shkon në ekstrem në fillim niset për pronën por pastaj dashuria i prish punë.
Autori në këtë vepër trajton instinktet që trajton antikiteti me kohën e sotme, kjo vepër të kujton Medean, Edipi Mbret etj.
(BalkanWeb)