Mjeshtri i restaurimit Frederik Stamati po punon prej disa muajsh për restaurimin e flamurit të valëvitur në Kongresin e Lushnjës, që u mbajt më 21-31 janar të vitit 1920.
Stamati, i cili ka publikuar një fotografi nga puna për restaurimin e këtij flamuri tha për ATSH-në se “ka disa muaj që po punohet intensivisht për restaurimin e flamurit të Kongresit të Lushnjës. Është një restaurim shume i vështirë, por që do ta realizojmë me sukses”.
Sipas tij, ky flamur pritet të jetë gati për ekspozim në 100-vjetorin e Kongresit të Lushnjës.
“Flamurin e ka pasur atdhetari Veli Vasjari, i cili e ka çuar në ndërtesën ku bëheshin punimet e Kongresit të Lushnjës. Pas përfundimit të punimeve e mori përsëri në vitin 1928 ai e dhuroi në Muzeun Kombëtar. Më pas Muzeu Kombëtar e ruajti në fondet e veta, ndërsa me ndryshimet ai kaloi nga një institucion në tjetrin dhe ky flamur mbeti në fondin etnografik”, tha Stamati.
Stamati shprehet se “është një punë e lodhshme, pasi ngjyra e kuqe të lodh, dëmtimi ka qenë i rëndë, tani po vjen në formë dhe shumë shpejt do të jetë i përfunduar”.
“Flamuri historik i kongresit të Lushnjës u zbulua në vitin 2011 nga Ariola Prifti, e cila në atë kohë ka qenë përgjegjësja e fondit etnografik, ku ruhej flamuri”, – tha Stamati.
Punën e Stamatit e përshëndeti sot edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila thekson se “flamuri i Kongresit të Lushnjës ka ardhur deri në ditët tona përmes një shekulli të gjatë tallazesh. Shpresojmë t’u përcillet edhe brezave që do të vijnë. Prej disa muajsh, Profesor Frederik Stamati po punon intensivisht për restaurimin e flamurit të Kongresit të Lushnjës. Një restaurim mjaft i komplikuar që kërkon duar mjeshtërore. Kemi besim te suksesi i punës tuaj Profesor”.
Frederik Stamati ka një jetë që merret me restaurimin, aq sa duket sikur ky i fundit nuk do të kuptohej pa një personalitet si ai, që ka kaluar nëpër duar mijëra objekte të trashëgimisë kulturore dhe ka kthyer në jetë shumë syresh, të cilat mendoheshin se kishin humbur përgjithmonë.
Më 25 nëntor 2011 u identifikua në Fondin Etnografik të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, flamuri i Kongresit të Lushnjës. Ky kongres cilësohet nga njohësit e afirmuar të historisë së asaj periudhe kohore si ngjarja më madhe pas Pavarësisë dhe në mënyrë figurative, si çlirimi i dytë i vendit tonë.
Kongresi i Lushnjës ku u valëvit ky flamur i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta/ATSH.