Fort e dashtun vetja jeme, falemnderës që m’dhe mundësinë me t’dashtë aq fort sa me i largu njerëzit negativë!

Nga Arjola Zadrima

Fort e dashtun vetja jeme.
Të falemnderës që më ban me kthy kryet me kuptu ecjen e këtij viti.
Të falemnderës që nuk je pendue që je me mu.
Të falemnderës për lehtësinë me të cilën e merr jetën, ani pse shpesh ajo asht ma e ashpër.
Sinqerisht të falemnderës që më ke rritë kaq shumë këtë vit sa me kuptue që thjeshtësia asht ajo që më gëzon.

Të falemnderës posi për debatet që krijon brenda meje, për peripecitë që më ofron. Më njohe me fasadën e njerëzve dhe boshësinë që i karakterizon.
Të falemnderës që më dhe mundësinë me dominu mirësia e jo ligësia jeme. Kuptoj ku gjendem.
E dashtun vetja jeme të falemnderës që nuk eksperimenton me jetën e askujt dhe ekspertët e fushës i largove prej rrugës teme.

Të falemnderës që emocionohesh prej lumtunisë së fëmijëve, kujdesit të prindve e dashnisë së atyne pak njerëzve që më rrethojnë.
Të falemnderës që familjen e ke kriju brenda shpirtit tem.
Të falemnderës që më lëkund shpesh themelet dhe krijon vorbullat e sigurive të mia, kjo më ka ba ma të fortë.

Të falemnderës që ende beson tek unë, kjo qënie kaq e pashpjegueshme, shpesh e pakuptueshme, kjo qënie kaq e komplikueme dhe e vërtetë.
Të falemnderës që ma dhe mundësinë me të dashtë aq fort sa me i largu njerëzit negativë, mendimet e papjekuna.

Të falemnderës që më bane selektive, egoiste dhe mbi të gjitha realiste.
Së fundmi të falemnderës që je ndryshe, që pranon diversitetin dhe mundohesh me u gjetë në këtë rruzull fasadash, vitrinash shumë ngjyrëshe, njerëzish hipokritë, me drita elektrike.

Të falemnderës për çdo çast që e përjeton sepse më bane kuptu se jeta asht kaq e pabukur pa mue.
Fort e dashtun vetja jeme e përshpirtshme, e pashpirt të falemnderës, të falemnderës shumë që ekziston.

ObserverKult


Lexo edhe:

ARJOLA ZADRIMA: SI FRYMËN, ZEMËR, SI FRYMËN T’DUE!