Një dite të rëndë i ika fytyrës së zymtë të shoqërisë dhe zhurmës marramendëse të qytetit, e i hodha hapat e lodhur kah rrugica e gjerë. Ndoqa rrugën me shenja të ravijëzuara dhe tingujt muzikorë të zogjve, gjersa arrita një vend të mënjanë ku degët e shtrira të pemëve i pengonin rrezet e diellit të preknin tokën
Qëndrova atje, dhe ishte argëtuese për shpirtin – shpirtin tim të etur që s’kish parë asgjë veç mirazhit të jetës në vend të ëmbëlsisë së saj.
Isha i zhytur thellë në mendime dhe në to Zanat e mia po lundronin për në kupë të qiellit kur papritmas m’u shfaq një Orë, veshur me një degë hardhie që e mbulonte pjesërisht trupin e saj të zhveshur dhe me një kurorë lulëkuqesh mbi flokët e artë. Sikur ta kish kuptuar mahnitjen time, më përshëndeti duke më thënë «Mos ki frikë prej meje, unë jam Bukuroshja e Xhunglës»
«Si mundet një bukuri si juaja ka arritur të jetojë në këtë vend? Të lutem më thuaj kush jeni, dhe që nga vini?» – e pyeta unë. Ajo u ul plot hijeshi mbi barin e blertë dhe u përgjigj, «Unë jam simbol i natyrës! Jam virgjëresha e përherëshme që stërgjyshërit tuaj adhuronin dhe për nder tim ata ngrenin faltore dhe tempuj në Balbek dhe Xhabeil».
Dhe unë guxova e thashë, «Po ato flatore e tempuj shkuan e vanë kot dhe eshtrat e të parëve të mi të dashur u bënë dhé, asgjë s’ka mbetur për të përkujtuar perënditë e tyre, pëveç fare pak të gjorëve dhe faqet e harruara në librin e historisë»
Ajo u përgjigj: «Disa perëndi jetojnë në jetën e adhuruesve të tyre dhe vdesin në vdekjen e tyre, ndërsa jetojnë një jetë të përherëshme dhe të pafund. Jeta ime zgjatet prej botës së bukurisë të cilën ti do ta shohësh kudo që i hedh sytë, dhe kjo bukuri është natyra vetë; ajo është fillimi i gëzimit të bariut ndër kodra, dhe lumturia e fshatarëve në ara, dhe kënaqësia e fiseve të shtangura mes maleve dhe fushave. Kjo bukuri i tregon të vërtetën të urtit në kurorë».
Atëherë unë thashë, «Bukuria është një fuqi e tmerrshme». Dhe ajo përgënjeshtroi, «Qëniet njerëzore i tremben çdo gjëje, madje edhe vetes. Ju keni frikë qiellin, burimin e paqes shpritëroe; ju i frikeni natyrës, limani i pushimit dhe qetësisë; Ju i tuteni Zotit të mirësisë dhe e akuzoni atë me zemërim, ndërsa ai është plot me dashuri e mëshirë.»
Pas një heshtje të thellë, i përzier me ëndrra të ëmbëla, unë pyeta, «Më fol për atë bukuri të cilën njerëzit e shtjellojnë dhe përshkruajnë, secili sipas kuptimit të vet; Unë kam parë atë të nderohet e adhurohet në mënyra e forma të ndryshme».
Ajo u përgjigj, «Bukuria është ajo që të tërheq shpirtin, dhe ajo që i pëlqen të japë dhe jo të marrë. Kur e takon Bukurinë, ti e ndjen se duart thellë brenda vetes shtrihen përpara që ta sjellin atë në thellësi të zemrës tënde. Është madhështia e përzier me pikëllim e gëzim; ajo është e papara që ti sheh, dhe e paqarta që ti kupton, dhe e pazëshmja që ti dëgjon – ajo është e Shenjta e Shenjtëve që zë fill në vetëvete dhe mbaron tej e përtej përfytyrimit tënd tokësor.
Atëherë Bukuroshja e Xhunglës m’u afrua dhe m’i vuri duart e saj plot aromë mbi sy. Dhe si u tërhoq, e pashë veten të vetmuar në luginë. Kur u riktheva në qytet, trazira e të cilit s’më bezdiste më, përsërita fjalët e saj:
«Bukuria është ajo që të tërheq shpirtin, dhe ajo që i pëlqen të japë e jo të marrë».
Shqipëroi nga anglishtja: Halit Beka (Methasani)
ObserverKult