Sopranoja Ana Lushi rrëfen jetën dhe dashurinë për muzikën shqiptare. Mban titullin “Medalja e Artë” të dhënë nga “Maison Des Artistes” dhe ëndërron emocionet e skenës shqiptare
Anila Dedaj
Muzika tradicionale shkodrane ka qenë për të frymëzimi i parë drejt kantos. I kujton me shumë dashuri edhe sot Ana Lushi vitet kur gjyshi i saj i këndonte këngë të vjetra popullore. Dhe me çfarë virtuoziteti këndon pjesë si , “Po ti ça i ke thanë dikujt”, “Bishtalecat pal e pal”etj. Për të, janë këngë si këto që i kanë transmetuar pasionin për muzikën, e cila përpos familjes mbetet një prioritet në jetën e saj. Teatri “Migjeni” ka qenë zanafilla e karrierës së Anës në botën e muzikës klasike. Ka qenë vetëm 17 vjeç kur ka kënduar për herë të parë në atë sallë, për të cilën ruan një hapësirë të veçantë në kujtimet e saj. Ashtu siç ruan në shpirt dashurinë për liqenin, vendlindjen, Shqipërinë. Ka qenë vetëm 19 vjeçe Lushi kur është përballur me një qytet të madh si Roma, duke lënë pas vendin e saj në tranzicion, pas përmbysjes së sistemit komunist. Edhe pse e rritur me një tjetër kulturë dhe mentalitet mundi të thyejë barrierat duke u integruar në vendin fqinjë. Ana, ishte një nga të përzgjedhurat për t’u shkolluar në universitetet italiane me ndihmën e priftërinjve jezuitë. Pavarësisht pasionit të madh për kanton zgjedh të studiojë “Letërsi dhe filozofi”, kjo për të hulumtuar më mirë natyrën njerëzore, por mbi të gjitha pasi këto lëndë kanë lidhje esenciale me muzikën.
Edukimi i saj në muzikën klasike vijon me emra të rëndësishëm në Itali duke marrë një formim solid për sa i përket kantos dhe interpretimit. Talenti dhe vullneti për të shpënë më tej pasionin e madh që ajo ushqen për muzikën, nuk e lë vajzën nga Shkodra në hije. Edhe pse sfidat nuk kanë qenë të pakta Lushi arrin të bëhet pjesë e shumë operave dhe skenave ndërkombëtare duke punuar me artistë me famë si Elena Mosuc, Riccardo Zanellato etj. Gjatë kësaj periudhe ajo nuk lë pas as aktivitete që e lidhin me vendin e saj dhe bashkëpunon edhe me emra shqiptarë si Kozeta Prifti apo Aleksandër Gashi. Ka marrë pjesë në shumë festivale e konkurse në Itali, ku në shumicën prej tyre është vlerësuar me çmime. Është shpallur fituesja në evente si “Musica per Roma” apo “Firenze Lirica” duke u zgjedhur disa herë si një nga zërat më të mirë lirikës mes qindra konkurrentësh. Vlerësimi më i madh për Lushin ka qenë ai i Medaljes së Artë në “Maison Des Artistes” në kategorinë e sopranove në “La Sapienza”.
Në këtë event që mbahet çdo vit, të drejtuar nga gazetarja Paola Zanoni, në atë edicion u premiuan figura si Lino Banfi si dhe më të mirët e muzikës, mjekësisë, sportit etj., në Itali. Sopranoja është gjithashtu nënë e dy vajzave Elenës dhe Antonias, të cilat mesa duket kanë trashëguar pasionin për muzikën. Kulturën shqiptare, ajo e konsideron si një shtyllë shumë të rëndësishme në jetën e saj, dhe muzikën e bën urë lidhëse për t’ua transmetuar të bijave. U këndon ndër të tjera edhe këngën “N’at zaman t’njasaj furije” që e ruan në zemër bashkë me të tjera perla të muzikës shqiptare. Në pritje të rastit që mund t’i ofrohet, Lushi nuk e fsheh dëshirën për të kënduar para publikut shqiptar, sepse siç ajo thekson :“Mbi të gjitha sepse është vendi ku kam lindur”…
Ana, kush i zbuloi prirjet tuaja për kanton lirike?
Kam filluar të këndoj që në moshën 10 vjeçe duke marrë pjesë në festivale të ndryshme. Mësuesi im i parë ishte Pjerin Gjyshja. Kam marrë pjesë në Festivalin Kombëtar të Fëmijëve që mbahej në Shkodër me profesorin Robert Prendushi. Këto ishin figurat e para që kanë kontribuar në formimin tim artistik.
Keni studiuar në Liceun muzikor “Prenk Jakova” në Shkodër, si e kujtoni atë periudhë dhe sa ju ka vlejtur shkolla shqiptare?
Periudha kur kam studiuar në liceun muzikor “Prenk Jakova”, ka qenë shumë e rëndësishme për formimin tim të përgjithshëm. Kam pasur privilegjin të punoj me profesorë të mrekullueshëm, si zysha e kantos Rita Ranko e profesor Gjon Shllaku pianist dhe kompozitor. Kam një kujtim shumë të bukur të asaj periudhe. Kam jetuar ato vite të liceut me shumë entuziazëm e me zellin artistik gjithmonë të gjallë.Sponsored by Revcontent
E mbani mend debutimin tuaj të parë ?
Kujtoj se për herë të parë kam debutuar në një koncert në teatrin “Migjeni” të Shkodrës me arie operistike. Kam qenë vetëm 17 vjeçe dhe më shoqëronte orkestra e dirigjuar nga Ferdinand Lleshi.
Në vitin 1992 transferoheni në Romë, regjistroheni në fakultet për “Letërsi dhe Filozofi”. Pse kjo zgjedhje?
Zgjedhja ime për të vijuar me fakultetin e “Letërsisë dhe filozofisë”, motivohet nga dëshira për t’iu afruar njohjes së komplekseve dhe konflikteve të natyrës njerëzore. Përpos të tjerave lidhja e muzikës me letërsinë dhe filozofinë është thelbësore.
Si ishte përballja me një realitet ndryshe, a keni hasur paragjykime?
Kur erdha në Itali isha 19 vjeçe. Pavarësisht impaktit të parë dhe përballjes me qytet të rëndësishëm si Roma, u ambientova shpejt.
E ruajtët gjithsesi lidhjen me muzikën, madje duke punuar me pedagogë të rëndësishëm. Si ishte kjo eksperiencë për ju?
Në Romë kam pasur fatin të studioj me maestro të kantos si Renato Guelfi, Margaret Baker Genovesi , me dirigjentin Antonio Puccio, si dhe me nterpretues të mëdhenj të lirikës si tenori Piero Giuliacci.
Keni mundur të shpalleni fituesja e “Musica per Roma” por edhe e konkursit “Firenze Lirica”. Si është të përzgjidhesh mes zërave më të mirë në Itali?
“Musica per Roma” ka qenë një eksperiencë fantastike. Atje pata mundësinë të interpretoj një operë virtuoze të Moxartit si “Il Ratto dal Serraglio”. Kam pasur rolin e Konstancës, në teatrin “Argentina”, një bashkëpunim me teatrin e Operas së Romës.
Cili është vlerësimi më i madh që ju ka emocionuar në lidhje me muzikën?
Kujtoj të fundit, çmimi i Medaljes së Artë për merita artistike. Një çmim ndërkombëtar që u dha nga “Maison Des Artistes” në Sapienza, Romë.
Keni qenë pjesë e shumë operave, edhe në skena ndërkombëtare. Ju vetë cilën do të veçonit si eksperiencë?
Të gjitha eksperiencat artistike kanë qenë shumë te rëndësishme. Kam kënduar në shumë raste me artistë me famë ndërkombëtare të Lirikës ,si Elena Mosuc, Renato Bruson,Riçardo Zanellato,Piero Giuliacci etj. Po ashtu kam bashkëpunuar me drejtorë të rëndësishëm orkestrash, si Antonio Puccio, me pianistë si Davide Dellisanti, Rolando Nicolosi etj. Nuk kanë munguar as eksperiencat me emra shqiptarë si Kozeta Prifti dhe Aleksandër Gashi.
Jeni gjithashtu nënë e dy vajzave. A janë ato të prirura drejt muzikës?
Mendoj se po. Elena, vajza e madhe, ka mundur të kalojë testin e pianos për tu pranuar në liceun e muzikës. Ndërsa për vajzën e vogël, Antonian do të kisha dëshirë të bëhej këngëtare.
Sa e rëndësishme është për ju kultura shqiptare dhe a ua transmetoni atë vajzave tuaja?
Kultura shqiptare është një shtyllë shumë e rëndësishme e jetës sime. Madje vajzave të mia, jam munduar t’ua transmetoj edhe nëpërmjet muzikës që shpesh zgjedh t’u këndoj.
Ç’mendim keni për muzikën shqiptare? A ka një këngë të vendit tuaj që e keni më fort për zemër?
Muzika shqiptare është frymëzimi im i parë drejt kantos, veçanërisht muzika tradicionale shkodrane. Qysh në moshë të vogël, gjyshi më këndonte këngët e vjetra popullore shkodrane. Edhe sot emocionohem kur më vinë ndër mend kujtime si ky. Ato këngë përmbajnë shumë,finesën, elegancën, kaq shumë ndjenjë… Janë pikërisht këto këngë që më kanë përcjellë pasionin për operën lirike. Veçoj, jaret shkodrane që janë përla të muzikës shqiptare. Kam shumë prej tyre që i mbaj në zemër, si “N’at zaman t’njasaj furije”.
Keni një rol që do të dëshironit ta realizonit?
Më vjen ndër mend roli i Desdemonas tek opera “Otello” e Xhuzepe Verdit.
Çfarë projektesh keni në duar aktualisht dhe a e shikoni skenën shqiptare si destinacion?
Jam duke përgatitur operan “Tosca” të Xhakomo Puçinit, të cilën do ta interpretoj në tetor në Romë. Do të më pëlqente të bashkëpunoja me Teatrin e Operas në Shqipëri, jo vetëm për traditën muzikore që kanë, por mbi të gjitha sepse është vendi ku kam lindur./ shekulli