Ngrirë në kohë, diku ndonjë
mendimi, ylli të vetëm,
planeti apo galaktike
zbuluar së fundmi në këtë shekull.
Merre, vendose rrëzë një mali
objektin prehistorik të kohës
apo diku tjetër
por jo aty ku janë vendosur të tjerët.
Lyeje në bronx, në të bardhë
por jo, në të kuqe statujën.
Ajo do të heshtë, do të ndjejë
në trupin e metaltë dorën tënde
sytë që e vështrojnë hija e saj
që prej hijes së trupit tënd mbulohet.
Nën errësirën e netëve ka ndjerë
stinët, erërat tërbimin e tyre
pa humbur përkëdheljen
e kujtesës së ashpër
për vitet e gjata të pritjes.
Asnjë cifël, koha nuk i ka hequr,
asnjë ngjyrë, asnjë mendim të përjetshëm.
Të paprekura buzët
përjetimi i shpirtit çel ballin e lartë
tiparet e fytyrës po aq të bukura
gdhendur nga koha me dorën e saj.
Statuja dridh, lëviz, mer frymë…
mendon përjeton…
kur njerëzia me vetëdije tradhëtojnë shenjtësinë e lirisë,
besimin në veten, moralin hedhin poshtë,
i thyejnë me këmbë si akujt në rrugë
ditën e acartë të dimrit.
Syrit të statujës rëshket, një lot.