“Vibroi, erdhi, ja, përgjigjja”, ti je një rob dixhital…

Ti je i shqetësuar. Shqetësimi yt nuk është ai i para dhjetë vitesh. Ti je një rob dixhital. Je një adhures touch screen-i – prekjeje, që çdosekondshëm aktivizon një buton, një sinjal, një informacion që bëhet menjeherë lajm, e lajmi prej brumi shqetësimesh është. Të trazon e huaja, puna e tjetrit, virgjëria e asaj caucës; je kafshë digjitale, je gjirafë.

Nga Arlind Farizi

Ti je i shkujdesur. Shkujdesshëm bën çdo gjë. Ti nuk e di se ai ekrani i vogël nxë një botë të madhe, nxë vetë dreqin që s’dinte ku të fshihej dhe u bë telefon.
Ti je i shastisur, harruar ke librat, mënyrën e leximit, nënvizimit, citimeve që i vidhje dhe i bëje të tuat; harruar ke gishtin e lagur me pështymë për të ndërruar faqet e librit. Harruer ke studimin e thelluar: Kadareja është në libër, jo në web. Je lexues online, lexues search-i, lexues pdf-je. Ka ndërruar koha e, bashkë me kohën, edhe mënyrat e leximit, por prano, ti je i shqetësuar, je i pangopur, kërkimtar pafundësish…

Ti je një tjetërkush, një vetvete tjetër, që ke vetëm një dorë të lirë, tjetrën e ke për telefonin, madje së brendshmi i lutesh Zotit të të falë një dorë shtesë vetëm për telefonin. Kyq-shkyqjet, gishti që lëviz nalt–poshtë, kryengritjet e shkujdesura, shikimet prej maceje për atë butonin e kuq anash që tregon se erdhi një sms, një lajm, në shqetësim.

Ti je tjetri. Se je tjetër, këtë e tregon inbox-i: kjo qese infomacioni, kjo qese dëshirash, flirtesh, kërkesash miqësie; kjo qese zhgënjimesh; kjo qese kërcënimesh, është sall një qese që mund kurdo ta mbyllësh dhe t’i kthehesh vetvetes së vetëlarguar…

Se je larguar nga vetja e dikurshme e tregon e vërteta se ti më pak shoqërohesh, më pak pi kafe me shokë, se gjithçka e bën më pak. Sepse, gjithçka e kupton nga ai ekran i vogël, ku sheh një botë të madhe.
Sa je i shqetësuar e kallëzon gishti me të cilin i shkruan atij, asaj, atyre; ua kallëzon dertin që ta ha stomakun, mandej, pason një heshtje, pritje e ankthshme e ardhjes së përgjigjes, vibrimit, dritës së kuqe të ndezur, orakullit të mirë. Oh, këto sms që vonojnë, i ngjajnë asaj përgjigjes PO të femrës më të bukur në qytet!


“Pse vonojnë?”. “Kur do më përgjigjen?”. “A ka kohë ministri t’më kthejë përgjigje?”. “A thua e ka lexuar sms Ajo?!”. “Ndoshta hëpërhë është duke më shkruar”. “Mos e kam nervozuar gjë?!”. “Sikur mos t’i kisha shkruar!”. “Oh, sa më duhet përgjigjja, sepse aty e shoh veten, si para pasqyrës!. “Pse vonojnë, çfarë ka ndodhur?!”. “Mbase s’ka kredi, impulse, para në telefon (kush i shpiku këto emërtime, me se lidhen?!). Por ja: erdhi…”.


I hap sytë katër: “Vibroi, erdhi, ja, përgjigjja”. Të dalin djersë të ftohta. I pari është borxhliu. Sms tjetër është gruaja që t’i ka lexuar të gjitha mesazhet n’inbox. N’email të vjen një tjetër lajm. Të thotë se duhet paguar kredia:

“Jeni vonuar tre muaj, do t’jua ndërpresim rrogën”. Në whatsapp – programin që e përdorin fukarenjtë që vjedhin pasuordin e kojshisë. Ç’të shohësh aty! Lexon një letër të gjatë të një shokut tënd të ngushtë që rrëfehet për një situatë të tij të rëndë, por nuk e lexon deri në fund, sepse e di problemin, sepse shpesh të ka lajmëruar, sepse i ke thënë se kam gajlet e mia.

Mandej hyn n’feisbuk. Një faqe që s’ka lidhje me librat dhe fytyrën, por që na mori kohën për librat dhe na nxiu fytyrën. Feisbuku, kjo ndërtesë shumëkatëshe, ku secili, prej çdo dritareje, vjedh diçka.

E ti je ai i katit të parë, që sheh poshtë gëlbaza vreri, sheh njerëz që s’di si t’i tipizosh, sepse nuk janë koherentë në asgjë: shitje mendjesh lirë, çallëm, përbuzje, pakëz kritikë, përzier me servilizëm, fotografi, të cilat kur i sheh, ndërron mendim për njeriun e fotografuar: “Sa i mençur që është!”, thua; një fotografi rasti me ministrin që s’të ktheu përgjigjie s’të bën mik të tij, as vlerë… /

ObserverKult

Lexo edhe:

AKTORJA QË FITOI KATËR “OSCAR” DHE NUK SHKOI KURRË PËR T’I MARRË ATA