Në mbrëmjen e tretë të Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2020”, që është një nga katër shtyllat e Manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2020”, është dhënë shfaqja “Gravitet” me tekst të Lirak Çelajt, regjinë e së cilës e ka bërë Florent Mehmeti, kurse në role janë paraqitur aktorët e Teatrit “Oda” nga Prishtina, Daniela Markaj, Flamur Ahmeti, Kaltrinë Zeneli dhe Leonit Maloku.
Në këtë shfaqje, një histori shumëvjeçare e popullit shqiptar është mëtuar të tregohet brenda pak minutave. E përbërë nga skena – kronika reale që kanë ndodhur gjatë historisë sonë që nga periudha e Skënderbeut e tutje, në shfaqje është pasqyruar historia nëpër të cilën ka kaluar populli shqiptar, që nis me epokën e lavdishme të Skënderbeut, por që shpata dhe përkrenarja e të cilit gjendet në Muzeun e Vjenës dhe historia vazhdon deri në ditët tona – historia më e re e Kosovës.
Pashmangshëm, në këtë shfaqje është paraqitur edhe plaga e rëndë e shqiptarëve, që është shpërngulja dhe mërgimi i shqiptarëve, por edhe dëshira për kthim në vendlindje, sidomos kur ajo ishte në rrezik.
Në shfaqje zë vend edhe lufta për liri dhe pavarësia e Kosovës, rikthimi, por edhe pasiguria, mosperspektiva, jeta e rëndë, pamundësia për riintegrim dhe vështirësitë tjera me të cilat u përballën shqiptarët në gjysmëliri. Pra, në këtë shfaqje hasim në tablo nga e kaluara dhe e sotmja, që të përbashkët kanë lidhjen, shpeshherë edhe të pashpjegueshme, me atdheun.
Shfaqja te publiku ngjalli kujtesën me të kaluarën jo të largët, periudhë, të cilën edhe ata vetë e kishin përjetuar.
Edhe skenografia dhe loja me drita ishin në funksion të shfaqjes, e cila i bënë nder Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2020”.
Në mbrëmjen e radhës do të jepet shfaqja “Trenat”, autor i së cilës është Haqif Mulliqi, regjisore Zanë Duraku, kurse do të paraqiten aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.