Bora i paska mbuluar statujat soc-realiste të heronjve
Në skulptura sureale i paska shndërruar.
Kandila akulli u varkan nga mjekrat e tyre!
Sheshet e vendlindjes u ngjasuakan galerive
Ku ekspozohen veprat artistike
Të vogëlsisë sonë historike,
Të madhështisë sonë legjendare!
Ta shpuaka veshin lutja e pakuptueshme e altoparlantëve
E borën nga balli i përmendoreve e shkundka me mospërfillje
Pema e mllefit u rritka e u rritka në ballin plot rrudha të vendlindjes!
Bora paska mbuluar flokët e thinjura të nënave
Tek presin në pragun e derës
T’iu kthehen bijtë ashtu si Odiseu në Itakë
Pas njëzet vjet lundrimi nëpër detin e pikëllimit,
Por
Lutja e pakuptueshme në një gjuhë të huaj
Dhe zëra diplomatësh sharlatanë të veshur me rroba shenjtërish
U thënkan:
Mos shikoni nga e kaluara, por nga e ardhmja shikoni!
Cila qenka e ardhmja për ne
Pa pjesët e zemrave tona,
Pa sytë e syve tanë,
Pa buzëqeshjen e buzëqeshjes sonë,
Pa të ardhmen e së ardhmes sonë?
Pyesin nënat nga pragu i shtëpive
Të shndërruara në fantazma pikëllimi.
Peizazhi dimëror në vendlindje qenka sureal,
Sureal qenka peizazhi dimëror në vendlindje,
Kur bora e bardhë mbuluaka çdo rrugë të shpresës
E hapka shtigje të reja pikëllimi!
Edmonton, Canada, 27 Janar 2020