Fundi tragjik i Et’hem Haxhiademit, shkrimtarit e dramaturgut të spikatur që është cilësuar si “babai i tragjedisë shqiptare”. Jeta dhe vdekja në burgjet komuniste rrëfyer nga Menksen Bungo, bashkëvuajtës i tij, gjithashtu shkrimtar i dënuar nga diktatura
“Djali pa nanë, si nata pa hanë”, ishte tema e hartimit që profesori i normales së Elbasanit, Et’hem Haxhiademi i kishte dhënë nxënësve të tij në Normalen e Elbasanit. Ishte mesi i natës kur profesor Ethemi po vazhdonte punën duke korrigjuar fletoret e hartimit, kur në portën e shtëpisë së tij iu shfaqet hijet e errëta të xhelatëve të diktaturës. Përmes britmave shtazarake e arrestuan, i vunë hekurat para syve të fëmijëve të tij të mitur dhe bashkëshortes dhe e nisën për në hetuesi. Atë natë të shkurtit 1947, në Elbasan ishin arrestuar dhe shumë të tjerë intelektualë në zë të këtij qyteti.
Natën kur u arrestua Et’hem Haxhiademi, nga burgu i madh i Elbasanit, u morën katër të burgosur për t’i implikuar me akuzat e të arrestuarve. Ndër ta ishte edhe Makensen Bungo. Ishin edhe Shefqet Baholli, Salim Ceka e Nazmi Fagu, që të tre të dënuar me burgim të përjetshëm. Atë natë, u mbushën plot me të arrestuar birucat e hetuesisë së Grand hotel, ku ishte vendosur në atë kohë Dega e Punëve të Brendshme. Bungo rrëfente që Et’hem Haxhiademin e kishin mbajtur në Tiranë disa muaj në tortura të tmerrshme. “Kur e kthyen në Elbasan për ta gjykuar, unë nuk e njohta. Ishte plakur shumë, ishte dobësuar e tretur. Ishte kërrusur dhe mezi ecte. Ishte transformuar, që të vinte keq ta shikoje”, rrëfente Bungo.
Një rrëfim vuajtjesh në burgjet komuniste
Të arrestuarit u mbajtën 3 muaj nëpër birucat e Grand hotel në Elbasan, në kushte të tmerrshme. Çdo ditë e çdo natë birucat e Grand hotelit ofshëtinin nga ulërimat e tyre dhe spërkateshin me gjakun që u rridhte nga torturat.
Gjykimi i tyre u bë në zyrat e Degës së Brendshme më dyer të mbyllura. Në grupin e parë, që u gjykua, ishte edhe Et’hem Haxhiademi. Ai u akuzua se kishte riorganizuar Ballin Kombëtar. Dramaturgun poet e dënuan me vdekje. Kur kryetari i gjyqit ushtarak komunikoi dënimin e tij me vdekje. Ai shqiptoi me një herë shprehjen atdhetare që thonin rilindasit tonë, kur i pushkatonin turqit. Ai thirri: ‘Rroftë Shqipëria!’ Dhe nga ajo thirrje ushtoi e gjithë salla dhe trupi gjykues shtangu.
Në këtë kohë birucat e nëndheshme të Grand hotelit ranë në një qetësi. Nuk bëheshin më tortura dhe nuk ndiheshin më ulërima do natë si më parë. Atëherë në atë kat të nëndheshëm zotëronte një heshtje që të lemeriste, që të kallte tmerrin. Ishte një heshtje të vdekurish.
Por kjo heshtje nuk vazhdonte çdo natë, sepse herë mbas here krimi shprehte urrejtjen e tij klasore duke vazhduar të torturonte Et’hem Haxhiademin, edhe pse ai ishte dënuar.
Pushkatimi
Mbas disa ditësh disa nga të dënuarit me vdekje Gjykata e Lartë ua fali jetën. Dënimi i tyre u kthye në burgim të përjetshëm. Ata të shkretë u gëzuan.
U gëzuan se u falën jetën! Atë jetë që ua kishte falur vetë Zoti. Atë jetë deshi t’ua merrte Diktatura, t’ua grabiste duke i torturuar, që të pranonin krimet, ato krime, që nuk i kishin bërë kurrë dhe as që kishin menduar ndonjë herë, t’i bënin.
Iu njoftua ky vendim dhe ua hoqën prangat.
Tani ata do të kishin jetën, por jo lirinë. Lirinë atyre diktatura do vazhdonte t’ua grabiste. Tani ata do të jetonin pa liri, pa familje, pa njerëz, pa gjallëri, pa gëzime, në një jetë të heshtur, në një jetë të mërzitshme, në një jetë të trishtueshme, në një jetë të vdekur. Tani ato do të vuanin gjithë jetën nëpër kanale, nëpër miniera, nëpër moçalishte duke luftuar me vdekjen, për të jetuar lirinë e ëndërruat, atë liri, shpresa e së cilës rrinte e fshehur në ndërgjegjen e tyre.
Po atë ditë ata i dërguan në Burgun e Madh të qytetit. Tani në birucat e nëndheshme të Grand hotelit mbetën vetëm të dënuarit me vdekje që do të pushkatoheshin dhe ne të katër, që ishim dënuar që më parë.
Të dënuarit me vdekje, të lidhur me pranga, rrinin të ndarë në ato biruca në heshtje në shoqëri me vdekjen. Rrinin e mendoheshin, mendoheshin dhe kujtoheshin. Kujtonin akuzat e rrema, që u kishin vënë, torturat që u kishin bërë, procesverbalet, që kishin firmosur në gjendje agonie, kujtonin procesin gjyqësor, fjalët e prokurorit, akuzat e trupit gjyqësor dhe vendimin e gjyqit, atë vendim të tmerrshëm, të hatashëm, vendimin me vdekje, që i ushtonte ende: ‘Me vdekje! Me vdekje! Me vdekje!’ Mendoheshin dhe kujtonin njerëzit e familjes së tyre, që nuk do t’i shikonin më, kurrë, prindërit, gruan e re të porsamartuar, fëmijët, që pritnin t’u ktheheshin baballarët, por nuk do t’u ktheheshin më, kujtonin kushërinjtë, shokët, miqtë.
Ata ishin shtatë gjithsej: Dhe midis tyre ishte edhe Et’hem Haxhiademi.
Po ky njeri, Et’hem Haxhiademi, vallë apo mendonte dhe apo kujtonte edhe ai si të dënuarit e tjerë me vdekje?
Edhe ai po mendonte dhe po kujtonte si të dënuarit e tjerë me vdekje, por jo gjithnjë, sepse atë, si kemi thënë, vazhduan ta torturojnë edhe mbasi u dënua me vdekje. Ai shkrimtar edhe pse jetonte nën ankthin e vdekjes, duhej torturuar, duhej të vente, që ata njerëz të ushqyer me krimin, të shuanin urrejtjen për këtë njeri të madh. Dhe nga këto tortura të vazhdueshme ai u bë një skelet i gjallë, kur e nxirrnin për të shkuar në banjë, mbahej te muri, se nuk kishte më fuqi të qëndronte në këmbë dhe së fundi edhe të eci këmbadoras.
Kjo gjendje vazhdoi deri në mëngjesin e datës 9 mars të vitit 1948, kur në bincat e Grand hotelit zbritën disa oficerë dhe policë duke ulëritur e duke qeshur.
Erdhi dita e pushkatimit. Erdhi çasti i vdekjes. I nxorën nga birucat me radhë për t’i pushkatuar: Zija Lunikun, avokatin e nderuar të Elbasanit, Fadil Gurmanin, mësuesin idealist të shkollës ushtrimore, Kamer Kazazin, mësuesin e talentuar që kishte mbaruar shkollën e Fullcit, Mahmut Macin, mësuesin e bujqësisë të shkollës Normale, Mehmet Elezin, atdhetarin e papërkulur të Peqinit, dhe Xhaferr Mirakun, ish-luftëtarin e Luftës së Spanjës, luftëtar dhe bashkëpunëtor i Enver Hoxhës, dhe ish-komandant i një brigade partizane.
Et’hem Haxhiademin nuk e nxorën nga biruca. Ai nuk do të pushkatohej. Atij njeriu i ishte falur jeta.
Në lidhje me këtë fakt është shprehur mendimi se duhet të ishte bërë një ndërhyrje te diktatori Enver Hoxha, sepse akuzat kundër Et’hem Haxhiademit ishin shumë të rënda. Por se cili ose cilët e kishin bërë këtë ndërhyrje janë shprehur tre variante. Një variant është se ndërhyrjen do ta ketë bërë profesor Aleksandër Xhuvani me Omer Nishanin. Varianti i dytë është se do ta ketë bërë po Aleksandër Xhuvani por tok me Ymer Dëshnicën, ndërsa varianti i tretë ishte prapë po me prof. Xhuvanin, por tok me prof. Kostaq Cipon. Në të tre variantet del figura e profesor Aleksandër Xhuvanit dhe kjo duhet pranuar, se ai ishte figurë e vjetër atdhetare, se ishte personalitet i lidhur shumë me Qeverinë e atëhershme dhe se ishte babai i dëshmorit Ptoleme Xhuvani.
Amaneti
Në ato biruca të Hotel Grandit tani ishim vetëm pesë vetë, katër ne të burgosurit të mëparshëm dhe Et’hem Haxhademi tani i dënuar me burgim të përjetshëm. Sigurisht që ekzekutimi i të gjashtë të dënuarve na dëshpëroi shumë, se ishin njerëz të mirë, të ndershëm, atdhetarë dhe të pafajshëm. Por edhe ulja e dënimit të Haxhiademit na gëzoi.
Ne u gëzuam, por edhe krimi, sepse iu fal jeta, u inatos edhe më shumë dhe e shprehte urrejtjen dhe inatin ndaj këtij shkrimtari, duke i vazhduar torturat më shpesh dhe më të egra. Ai arriti një ditë që po ta shikonte ndonjë njeri në atë gjendje me siguri nuk do ta njihte se cili ishte.
Mua atëherë, meqë isha shumë i ri, afër njëzet vjeç dhe më dënim të pakët në krahasim me të tjerët, policët që shërbenin në birucat e nëndheshme qëllonte që më nxirrnin në korridorin e birucave për të bërë pastrimin e tij nën mbikëqyrjen e tyre dhe me porosi që të mos komunikoja me ‘armikun e popullit’ Et’hem Haxhiademin.
Një ditë rastisi që, ndërsa unë po pastroja korridorin, polici hapi derën e birucës së Haxhiademit, që ai të shkonte në banjë dhe vet u ngjit lart. Haxhiademi doli nga biruca dhe ne të dy u ndodhëm ballë për ballë. Haxhiademi me mundim të madh dhe duke rënkuar m’u afrua, më kapi duart dhe më porositi që kur të përmbyset diktatura, të shkruaja një tragjedi për atë duke u bazuar mbi vuajtjet e tij aty. Unë u shtanga. Ai shtoi se po më linte një amanet dhe amanetin nuk e tret as dheu. Kaq më tha dhe u largua. Këtë amanet ma ka përmendur më vonë disa herë, kur ishim të dy në kaushin e tretë të Burgut të Madh të Elbasanit. Ma kujtoi edhe më vonë, kur unë u lirova nga burgu. Duke u përshëndetur, ai më tha: Mos e harro amanetin!
NËPËR BURGJE
Et’hem Haxhiademin nuk e mbajtën shumë kohë në Burgun e Madh të Elbasanit. Jo më shumë se katër vjet. Prej këndej tok me disa të burgosur të tjerë të dënuar rëndë e dërguan në Kalanë e Gjirokastrës. Nuk dihet se sa kohë e mbajtën atje. Prej andej e dërguan në burgun e Burrelit, ku diktatura grumbullonte të burgosurit më të rrezikshëm.
Në burgun e Elbasanit e kanë mbajtur vazhdimisht në kaushin e tretë. Kështu quheshin atëherë dhomat e burgut, kaush. Ky kaush ishte kaushi më i keq i atij burgu. Atje nuk hynte kurrë dielli. Në burgun e Elbasanit, Haxhiademin mundoheshin ta ofendonin. Por dhe ai mundohej të mos u jepte ndonjë shkak. Kështu, për shembull, kur makina që sillte bukën për të burgosurit prishej, komanda e burgut nxirrte të burgosur me dënime të ulëta të merrnin bukën duke e sjellë në krah. Bashkë me këta të burgosur caktonte edhe Ethem Haxhiademin. Ai nuk kundërshtonte. Shkonte me të tjerët në furrë, ngarkonte thesin me bukë në kurriz dhe ecte me kokën lart në mes të qytetit tok me të burgosurit e tjerë.
Unë disa muaj kam ndenjur në një kaush me atë. Madje rastisi që edhe të rrija e të flija ngjitur me atë.
Ishte njeri i heshtur. Nuk fliste pa e pyetur njeri. Më shumë mendohej, se sa fliste. Dhe kur fliste, fliste me ngadalë dhe me zë të ulët. Nuk hapte vetë ndonjë bisedë, vetëm ndëgjonte të tjerët dhe nuk ndërhynte në debate. Nuk pranonte të hynte në biseda politike. Kur fillonte ndonjë e tillë, largohej. Ndoshta se ishte ende nën ndikimin e tmerrit të torturave të hetuesisë.
Kur i vdiq i vëllai i vetëm, priti në heshtje ngushëllimet nga të gjithë të burgosurit e kaushit. Kur bisedonim për letërsinë, fliste me respekt për at Gjergj Fishtën dhe lavdëronte Lasgush Pogradecin, Mitrush Kutelin dhe Ernest Koliqin. Shpesh thoshte, se i vinte shumë keq, që i kishin sekuestruar bibliotekën.
Vdekja
Mbasi jetoi një kohë të gjatë nëpër burgjet e tmerrshme të diktaturës, ky njeri ndërroi jetë në burgun e Burrelit në 17 mars 1965 në moshën 63-vjeçare.
Vdiq ai njeri, që e deshi jetën. Vdiq ai njeri që shkroi për jetën. Vdiq ai njeri, që ia rrëmbyen jetën. Një jetë e pastër. Një jetë e kulturuar. Një jetë shqiptari. Sa nevojë ka Shqipëria për jetë të këtilla. Vdiq. Por vdekja e tij është misterioze. Mund të ketë qenë e natyrshme, por mund të ketë qenë edhe kriminalë. Kështu prifti Konrran Gjolaj O.F.M thotë se ka vdekur mbas dy muajsh që pësoi një atak natën në gjumë: “Një ditë i ra të fikët në oborr. U ndodha afër dhe i dhashë ndihmë e shpejt dhe thirra infermieren. Erdhi dhe e mori me vete n’infermieri. U kuptue se kishte qenë infarkt. Kur erdhi në dhomë, me dashamirësi e këshillova me kenë i kujdesshëm se po t’u përsërit edhe nji herë, do ta kesh pisk. Mbas dy muajsh, kur kishte ra me fjetë, kishte vdekur në gjumë”. Diktatura i mohoi lirinë dhe më vonë i vodhi edhe jetën.
Por këtij njeriu nuk i dihet edhe se ku janë varrosur eshtrat e tij. Mbasi u shkërmoq komunizmi, një komision i Shoqatës të ish-të përndjekurve politikë i Elbasanit u mundua të gjejë eshtrat e këtij njeriu. Takuan në Tiranë infermierin e Burgut të Burreli por ai nuk tregoi gjë. Shkuan e pyetën në Burrel, njerëzit tundnin kokën të helmuar. Shkuan në Burgun e Burrelit, ai ishte kthyer në një gërmadhë. Qershia ishte zhdukur. Njëri nga ata më tha se në një gropë kishin parë eshtra njerëzish. U kthyen në Elbasan të mërzitur për qëndrimin e qeverisë, të partive politike, të shoqatave të ndryshme për mos interesimin për këtë problem atdhetar. Në fund, kur familja i humbi çdo shpresë se mund të gjendeshin eshtrat e njeriut të tyre, ndërtoi në mes të varrezave të Elbasanit një varr fiktiv me mermer të zi ku u shkrua ky epitaf: ET’HEM HAXHIADEMI, 1902 – 1965./Kujto.al