Prekëse/ Babai i poetes së ndjerë: Lindush, ne ju duam të dyve dhe ditët i kalojmë në vaj…

Lindita Ahmeti

Përkujtim për Lindushin: NA BRAKTISËN EDHE DALLËNDYSHET

Nga Xhabir Ahmeti

Lindush,

Na ike si dallëndyshet që shkojnë në fund të verës, po Lindush, tash ishte pranverë e në pranverë dallëndyshet gjithmonë kanë ardhur e janë vendosur në ballkonin tonë ku i kanë dy çerdhe me vite e vite. Dallëndyshet nuk ikin në pranverë. Ju të dytë, vëlla e motër i prisnit me shpirt të vijnë. Atëherë ti e Luli gëzoheshit. Ishte një atmosferë që pëshpëriste për bukurinë dhe jetëgjatësinë. Ndërkohë fatkeqësia e përmbysi këtë atmosferë. Pranverën e veshi me të zeza. E mori vëllain tënd, në fund të marsit në kulmet e krijimtarisë e në moshë të re e si pasojë në njërën çerdhe dallëndyshet nuk erdhën. E lanë të zbrazur, të thatë, pa zogj për tri vjet me radhë e s’erdhën as sivjet. Kështu shikimi ynë mbeti i drejtuar kah çerdhja tjetër. Aty duhej të vijnë se s’bën. Luli s’i priti dallëndyshet, ndërsa ti i prisje dallëndyshet tua. Po sivjet nuk të erdhën o xhan. Nuk erdhën se sigurisht janë habitur se si mund të iket në pranverë ashtu si ikët ju, vëlla e motër.
Sivjet ka ditë e ditë që silleshin dallëndyshet rreth ballkonit duke iu afruar çerdhes Tënde, ku në vitet e shkuara i sillnin në jetë pasardhësit e tyre.

Sivjet as në çerdhen tënde nuk u vendosën. Çdo ditë kalojnë rreth çerdhes dhe e anashkalojnë e ikin. Them se nuk duan të ndalen sepse lidhjen hyjnore do ta kenë pasur me Luranin e me ty. Lurani iku para tri vjetësh në fund të marsit e njëra çerdhe mbeti zbrazur për tre vjet.

Në këtë pranverë na ike edhe ti Lindush dhe dallëndyshet nuk e kanë parë të udhës të vendosen në çerdhen tjetër të ballkonit. Pa ju edhe ballkoni, edhe çerdhet, edhe pamënia para ballkonit, krejt pejsazhi e ka humbur harenë. Prandaj nuk ndalen më dallëndyshet te ne në këtë ballkon. Dallëndyshet vetëm me ju ballkonin tonë e shndërronin në një hapësirë të pakufishme si ishte bota juaj artistike. Tash s’dilet aty, sepse mungojnë meloditë e parkut cicërimat e harabelave, gugatjet e pëllumbave. Nuk ka më as zëra fëmijësh nga oborri i shkollës si atëherë kur dilnim dhe e shikonim Arbën tonë të vogël duke vrapuar atje dhe duke bërë akrobacione me biçikletë.
Pikëllimi është bërë kryefjalë e çdo gjëje, Lindushi ynë. Tash kur s’je as ti me ne, pikëllimi lëvaret mbi degët e manit të madh që e kemi përballë, i ngjyen me zymtësi parkingjet rreth kullës ku kemi mbetur dy pleq, i rëndon të gjitha cikërrimat që e bëjnë të plotë e të kuptimtë skenën e jetës, e mbush me heshtje gjithë atë harmoni të dhomave të stolisura me libra, me figura të shumta të mitologjisë antike, me librat në bibliotekën e madhe që e bëmë bashkë, me stoli të shumta, me gjithë ato çanta, këpucë dhe gardëroba e panumërt që ka mbetur gati për punë dhe e paluar me pedanteri.

Lindush, ne ju duam të dyve dhe ditët i kalojmë në vaj.

ObserverKult


lindita ahmeti

Lexo edhe:

U NDA NGA JETA POETJA E NJOHUR, LINDITA AHMETI