Mjeshtri Janku rrëfen si u hodhën themelet e baletit shqiptar dhe si u krijuan veprat kombëtare. Artisti kujton ndër të tjera tronditjet që ka pësuar baleti nga ndërhyrjet politike: “U ndaluan të gjitha baletet nga repertori botëror. Kjo gjë ndodhi që nga ‘66-‘69 dhe nga ‘70 deri në vitin 1988. Ishin dy periudha që na tronditën. Ishte një tronditje të madhe shpirtërore.”
Skena për mjeshtrin e baletit Albert Janku është vetë jeta e tij. I lindur në vitin 1939, sot në moshën 81-vjeçare, Albert Janku numëron plot 40 vite si solist me një galeri të pasur rolesh dhe plot 71 vite gjithsej dedikuar skenës, si balerin, si primabalerin dhe mjeshtër i mësimit të koreografisë.
Skenën e preku që në moshën 10-vjeçare me grupet amatore të fëmijëve, e pak vite më vonë u ngjit në skenën e Pallatit të Kulturës Ali Kelmendi dhe shumë shpejt në vitin 1955 kaloi në Filarmoninë e Shtetit si kërcimtar profesionist, por edhe balerin. Nuk kishte bërë ende një shkollë të mirëfilltë baleti, por ai do të ishte një nga talentet e para të zbuluara nga mjeshtri Panajot Kanaçi.
Pas rolit “Anusha” të Çesk Zadesë, në të parat balete shqiptare siç ishte dhe “Delina”, Albert Janku nis të interpretojë role kryesore, si ai priftit Kllod Frollo, në një skenë nga baleti “Esmeralda”, ngjitur në skenë nga Skënder Selimi në vitin 1958.
Në një intervistë ekskluzivisht për Report TV, Albert Janku kujton si u ngjit më skenë me rolet e tij më të fuqishëm, në kohën kur baleti kombëtar po hidhte themelet; role si Bektash Aga tek “Halili dhe Hajria”, Dom Marku tek “Cuca e maleve”, Jonuz Brunga tek “Bijte peshkatarit”, Frat Lorenci tek Romeo e Zhuljeta, e të tjerë, duke krijuar një aureolë me 30 role kryesore në baletin kombëtar. Janku nuk harron kolegët e tij si Estref Shaqirin apo partneret e talentuara Mukadez Erebara, Zoica Haxho, Ganimet Vëndresha, etj. Kritika e ka vlerësuar vallëzimin e Albert Jankut për lojën e bukur skenike dhe kërcimin dinamik, plot jetë dhe finesë.
Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit si ekzekutor, korepetitor, por edhe në fushën e pegadogjisë Albert Janku ka përgatitur artistët që kanë shkëlqyer më pas në skenën e baletit shqiptar, por edhe atë botëror. I drojtur të flas për veten, mjeshtri Janku ka preferuar të flas më tepër për atë pjesë të jetës së tij që lidhet me rritjen dhe zhvillimin e baletit kombëtar, nga hapat e parë deri më sot. Rritjen e baletit shqiptar, mjeshtri Janku e ka e shoqëruar hap pas hapi në 71 vite karrierë, nga 81 vite jetë që shënon më 15 shkurt të këtij viti.
Ju jeni një nga të paktët , tashmë, që i keni mbetur trashëgimisë sonë gjallë, nga ata që keni perfomuar në baletet e para shqiptare. Nëpërmjet jush, si balerin, si primabalerin dhe si koreograf, ne duam të dimë si kanë nisur hapat e para të baletit shqiptar në skenën shqiptare?
-Fillimi ishte kaq i brishtë, saqë dukej si një fëmijë i porsalindur që do të mësonte dhe si do të ecte. Disa të rinj u angazhuan me këtë gjë, në iniciativën e tyre, gjithmonë të përkrahur nga shteti në atë kohë. Flas pas vitit ’44. Janë këta instruktorët e parë që quheshin në koreografi në atë kohë. As koreograf nuk kishte me titull të përcaktuar në atë kohë. Titullin koreograf e mori Panajot Kanaçi, një nga koreografët më të shquar në Shqipëri, por që është koreografi i parë shqiptar. Pra, baleti u ndodh përpara një padije shumë të madhe. Si do mundesh të krijosh dhe të bësh balet kur ti nuk di elementët kryesorë të baletit. Por ama pikërisht, siç Panajot Kanaçi e të tjerë që erdhën pas tij, Agron Aliaj, Melushe Bebeziqi, Melanie Terca me pasionin e tyre të madh, ata bënë atë çudi dhe arritën të vënë në skenë në atë kohë…Panajot Kanaçi i pari… muzikën e Mozart, e Shopen e Çajkovskit. Ky grup i vogël u themelua në vitin 1946, në kinema “Ideal”, në atë kinema Panajoti e formoi dhe më vonë ai mori titullin “Baleti i vogël”, pra balet, jo vetëm valle. Dhe ky grup shkoi deri në vitin 1950 duke dhënë shfaqje, jo vetëm në Shqipëri brenda, por edhe jashtë vendit. Për herë të parë ky grup kërceu këto copëza baleti. Pra, filloi të krijohej një farë frymëmarrje, derisa në vitin 1950, kur u formua Filarmonia Shqiptare, që ishte kori, orkestra simfonike, këngëtarët lirikë të operës, u themelua edhe trupa e parë profesioniste në Shqipëri e Baletit.
Dhe vemi tek momenti i themelimit…..
-Isha shumë i vogël në atë kohë, isha 10-11 vjeç, që i ndiqja të gjitha shfaqjet e këtyre artistëve të shkëlqyeshëm të këtij brezi, që në vitin 1950, kur u themelua, u grumbulluan edhe të rinj të tjerë, përveç grupit të Panajotit. Ishte një grup akrobatësh nga Belul Hatibi që erdhi. Dhe kjo trupë ka një histori të mrekullueshme që unë e admiroj, sepse ata për herë të parë në Shqipëri interpretuan në skenë balete të plota. Kanë punuar ditë e natë, me një pasion të jashtëzakonshëm dhe bënë dy shfaqje shumë të bukura: “Shatërvani i Basri Sarajait” dhe “Esmeralda”, dy balete me kompozitorë dhe koreografë rusë, por edhe rusët, sovjetikët që quheshin në atë kohë, erdhën për ndihmë tek neve, që të krijohej një trupë profesioniste, të organizohej mirë ajo, sistemi i punës së saj, metodika e punës, të gjitha, dhe të bëheshin këto dy balete të mrekullueshme. Pasi erdhën shumë pedagogë rusë këtu, dhe na ndihmuan shumë për sa i përket kuptimit të zhvillimit dhe kuptimit dhe të rëndësisë të baletit klasik , sistemit të baletit klasik , filluam ta njohim, s’kishim literaturë dhe ata në mësuan shumë. Pra, u bë njëfarë shkolle, akoma pa u themeluar shkolla koreografike, që u themelua më vonë në vitin 1957-’58. Madje ato quheshin klasa eksperimentale, por si tip shkolle…
Pikërisht atë kohë, elementë të kësaj trupe që u themelua në ‘50-n morën një farë kulture, sepse dolën jashtë në turne të ndryshme, dhe përmbi të gjitha shkuan për herë të parë për studime në Moskë gjashtë artistë të vegjël shqiptarë si,Agron Aliaj, Zoica Haxho, Ganimet Vëndrezha, Xhemil Simixhiu, Petrit Vorpsi, Melushe Bebeziqi dhe Skënder Selimi shkoi për baletmaestër. Këtu filloi pra një rrugë tjetër më profesionale, sesa ajo që ishte bërë deri tani. Dhe u ngjitën në skenë shumë shfaqje, qoftë klasike, qoftë romantike, deri në vitin 1966.
Ajo që më bënë kurioze është puna me talentet. Të zgjedhësh një talent baleti është shumë e vështirë, sepse duhet e para predispozita dhe pastaj disiplina e fortë . Si zbuloheshin talentet?
-Në qoftë se në atë kohë, thithja e elementit për të hyrë tek këto trupat e fillimit përpara se të fillohej shkolla, ishte diçka më praktike. Për shembull baletmaestri Panajot Kanaçi ose rusi Georgi Perku shkonin në shkolla, shkonin në ndërmarrje, shikonin ata të cilët kishin kërcyer valle, i zgjidhnin dhe gjithë ky elementë që erdhën në trupën profesioniste në vitin 1950, dolën jo vetëm një koreograf si Panajot Kanaçi, por edhe koreografë të tjerë.
Ku e filluat ju baletin, kur, në cilën skenë. Si u përfshitë?
-E kam vështirë pak të flas për veten, sepse kurrë nuk flas, nuk më ka qëlluar as në intervista, as në gazeta të them. Si e fillova unë baletin. Në familjen time gjithmonë është kënduar bukur, është kërcyer bukur të them të drejtën, që në fëmijëri më kujtohet, që nga nëna ime, vëllezërit e mi, babai. Kisha një nuhatje për muzikën, më pëlqente shumë, më emociononte dhe u mora dhe me aktrim. Pra, isha në shkollë dhe aty më zgjodhën mësueset, dhe për dramë, por njëkohësisht edhe kam kërcyer. Kam kërcyer valle ruse, valle shqiptare. Sikur kisha rënë në sy paksa. Vjen maestro Kanaçi, vjen edhe maestro Gëzim Kaceli, ndjesë paçin të dy, se kam respekt shumë të madh për ata dhe kujtime shumë të mëdha, dhe më thanë se duhet ta provosh, dhe unë shkova u provova në Filarmoni pa ditur gjë familja dhe hyra pastaj në Filarmoni. Dhe kur hyra atje, thosha me vete, a do të arrijë dot si këta miqtë?! Mirëpo të them të drejtën kisha edhe atë dilemën që të merrem me dramë të shkojë në Institut të Arteve, apo të rri në balet. ..
Kur pashë Agron Aliaj, kur u kthye nga Moska, që kërceu patëdën e Don Kishotit me Zoica Haxhon, dhe pak më vonë pashë sesi ai interpretoi një copëz muzikë të Rahmaninovit (e kishte bërë vetë një duet shumë të bukur) unë thashë “Jo! Unë nuk do të rri dramë, do të rri në balet se baleti ka se ç’të thotë!”
Baleti nuk është të vish të luash e të kërcesh bashkë me partneren dhe ti të pëlqehesh vetëm se u hodhe bukur, ajo u rrotullua bukur, ti u rrotullove mirë, dhe kaq, jo. Baleti ka mundësi dhe shpresë shumë më tepër se kaq. Baleti ka arritur sot që të marr çdo lloj teme që përfshin historinë njerëzore, qofshin që nga koha e historisë së lashtë e deri më sot, deri tek bota e brendshme e njeriut, deri tek ato kontradiktat që ka njeriu me veten e tij, me ekzistencën e tij, me ecjen përpara. Baleti ka forcë të fuqishme. Trupi i-njeriut, gjymtyrët e njeriut mund të shprehin shumë gjëra. Dhe këto i shprehin , si të them, në historinë e baletit ka ndodhur një ndryshim kolosal. Në qoftë se baleti në fillim filloi i bazuar me një syzhetë, shumë narrative, që tregohej çdo gjë, pantonima ishte motra e kërcimit, por zinte pjesë të madhe. Mizaskenat po kështu. Jo. Pas vitit 1900, pra që në shekullin e 20-të, që në gjysmën e parë e në gjysmën e dytë u bë një ndryshim i tillë, saqë idetë që vijnë nga këto që thashë unë më përpara, vijnë si reagim i këtyre ideve që ke ti si krijues, por ama këto dite të para në anën plastikore, ndryshe, në një kërcim jo më strikt e matematik, siç është baletit klasik. Baleti neoklasik bëri që balerinët në ato lëvizjet e tyre të kenë më shumë liri veprimi, se ato që kishte baleti klasik, pra u pasurua kjo punë, por dolën probleme të mëdha…
Mjeshtër, ju jeni dhe një nga edukuesit e balerinëve tanë, por edhe shkolla jonë shqiptare, gjithashtu, që ka përfunduar me një rezultat, me yje në skenat botërore. Vijnë nga kjo shkollë, vijnë nga duart tuaja, vijnë nga mjeshtri Panajot Kanaçi, nga Agron Aliaj e të tjerë. Jeni krenar për këtë shkollë shqiptare të baletit?
-Kjo është një pyetje e bukur shumë…Nuk ke sesi të jesh një artist i plotë, qoftë ky edhe interpretues, qoftë edhe krijues, në qoftë se në jetën tënde nuk ke marrë pjesë në krijime ose ke nuk krijuar vetë, por duhet ta dallojmë: baleti si balet i Shqipërisë, ndërsa baleti kombëtar është tjetër gjë, pra janë veprat kombëtare. Pra janë këto vepra kombëtare, të cilat nuk janë pak, janë mbi 20. Ishte viti 1966, kur me Vendim të Qeverisë, u pezullua repertori i huaj botëror. Ishte një tmerr i vërtetë. Ne kishim vetëm një balet nacional në atë kohë dhe do ta luanin vetëm atë gjatë gjithë sezonit. U hoqën të gjitha baletet, dhe asnjë balet nuk u vu më në skenë nga repertori botëror. Dhe kjo gjë ndodhi që nga ‘66-‘69 dhe nga 70 deri në vitin 1988. Pra janë dy periudha në të cilat ne patëm një tronditje, një tronditje që unë e kamë ndjerë shumë, tronditje të madhe shpirtërore. Ishin shumë të rinj, ishim në kulmin e karrierës, muskujt tanë akoma nuk ishin reazuruar. Se baleti ka një fatkeqësi që e lë dhe kur je pjekur si artist, ti nuk mund të luash. Trupi nuk të përgjigjet më.
Nuk të do për në skenë, por duhet të dalësh dhe të bëhesh tjetër gjë. Dhe ajo kohë për ne ka qenë shuam e rëndë. Mirëpo, të them të drejtën, ngushëllimin e gjetëm se iu vu rëndësi e madhe shumë baletit kombëtar. Dhe ishin pikërisht këta të dy koreografë Panajot Kanaçi dhe Agron Aliaj, dhe kompozitorët tanë që duhet të kemi një respekt shumë të madh, që nuk e shoh shumë tek artistët e rinj për Nikolla Zoraqin, për Çesk Zadenë, për Tish Dainë, për Feim Ibrahimin. Të gjithë kush kontribuoi për baletin, nuk rrinin të qetë. Duhej patjetër që në repertorin e e Teatrit të Operës dhe Baletit të kishte vepra kombëtare dhe na u krijuan këto vepra kombëtare. Po me këto vepra kombëtare është bërë kaq shumë punë, saqë sot nuk mund ta besoj njeri që ne rrinin ditë e natë në sallën e baletit. Nuk dinim se ç’ishte një pasdite, nuk dinin se ç’ishte një ditë pushimi, gjithmonë do të merreshim me eksperimente të ndryshme.
Kujtoj vetëm një vepër të Panajotit edhe veprën e parë nacionale shqiptare “Halilin dhe Hajrinë”. Ne kemi jetuar muaj të tërë me libretin e maestros, pa filluar punë në sallën e baletit se do të jetë baleti jonë,të gjithë mendonim. Njëri kishte qejf të bënte Halilin tjetri të bënte Mustën, tjetri Bektash Agën. Mendoni si do të ecnim, mendonim si do të qëndronim , si do të ishte plastika jonë, si do të ishin mizaskenat. Se në fund të fundit baletet e para ashtu qenë; me syzhetë të plotë dhe me shumë narrativë, siç ishte baleti sovjetik, se kishim influencën sovjetike në atë kohë akoma, por aman me narrativë kombëtare. Po Ganimet Vëndrezha, Artiste e Merituar…Ajo mendonte dhe gishtin, deri tek vështrimi, që vështrimi është i fundit në balet, sepse flet trupi njëherë, zemra, pastaj del në fytyrë. Më kujtohet sesa halle kishte sesi të frymonte me atë portretin e Hajries, një grua qind për qind; sesi arrin të dal në mal, e tradhtuar nga burri dhe e vret burrin e saj, por përmes një drame të madhe vihet në dilemë për të vrarë fëmijën e saj. Edhe ka një monolog shumë interesant përpara djepit, ku ajo ka thikën në dorë dhe do të vras fëmijën, pjellën e tradhtisë, se burri kishte tradhtuar vëllezërit e saj. Edhe unë vetë kisha një rol shumë të rëndësishëm Bektash Aga, që atëherë quhej rol negativ.
Dhe unë thosha po unw vërtet duhet të ndryshojë në këtë kohë, unë vërtetë jam shqiptar, por unë jam Osmanli se jam në shërbim të osmanllinjve. Ne punuam me të gjithë baletet, aman lodhja që kanë pasur koreografët dhe trysnia që ata kishin gjithmonë mbi kokë, që ata kurrë nuk duhet të harronin parimet e realizmit socialist dhe nuk duhet të kishin kurrë ngjashmëri me shfaqjet e huaja. E ndikuar nga kjo trysni e ideologjisë nuk duhej të dilej nga kornizat, por e bazuar në folklorin tonë u bënë ato vepra të bukura. Por çfarë ndodhi, ndodhi kjo, që dëshirat e tyre që kishin që baleti jonë, të quhej neoklasik, siç është kahu i shqipes, siç janë lëvizjet nga Tropoja, nga Malësia e Madhe, të cilat u adoptuan shumë mirë në baletin klasik, sepse në funksion të baleteve tona, si devolliu, si tropojani e shumë nga Shqipëria e Mesme, dallohen nga një passe, që mblidhet këmba këtu tek gjuri, dhe u shfrytëzua kaq shume nga Panajot Kanaçi për në betejat, sa kur e shikon atë tingëllon kaq bukur, sa nuk e ke idenë. . ., ose në qoftë se nga viti 1950 deri në vitin 1966 ne vumë balete romantike e klasike, i ndërprenë dhe deri në 98-n nisëm të vëmë shumë baletin kombëtar nacional dhe pastaj pas 1990-s nisën të shkojnë edhe në disa shtetet të botës dhe dolën artistë të shkëlqyeshëm nga kjo trupë baleti.
A mendoni se duhen stilizuar dhe rikthyer në skenë këto kontribute të jashtëzakonshme të baletit shqiptar?
– Tek ne më vjen keq vetëm për një gjë. Ka një zhvillim të madh baleti. Ka shkolla të mira, por koreografë të mirëfilltë, të cilët merren me vepra të mëdha muzikore, nuk po kemi. Jo se nuk kemi koreografë, por a nuk kanë guxim, a nuk u jepet mundësia, a nuk kanë hapësirë ku të punojnë, pra të krijojnë vepra të reja kombëtare, e këtu nuk është puna që t’i vënë si njëherë e një kohë, tema historike, mitike, por të ketë autorë kombëtarë, të trajtojnë tema të ditës… Vemi tek thelbi i pyetjes tënde, a duhen ripërtëritur këto shfaqje. Po edhe ka mundësi shumë, që nga “Halili dhe Hajria” i pari, pra të gjithë, “Cuca e Maleve”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Delina”. Ka mundësi, idenë dh fabulën e kanë. A mund ta shohin me syrin e sotëm e të bëjnë gjëra të kuruara. Unë them që në universitetin e lartë të arteve, në degën e koreografisë ta kenë detyrë që ta marrin temën e diplomës kur të vënë një vepër nacionale në Teatrin e Operës dhe Baletit. Të angazhohen piktorët e koreografët më të mirë në Shqipëri. Por ama, kur të hapet perdja të shndrisë, jo të kursehemi për para sepse skena i do të gjitha.
Çfarë do t’u këshillonit balerinëve të rinj, ju si mjeshtër baleti?
-Organika e trupës së baleti është e vogël. Nuk është si më përpara. Nuk ka trupë baleti me 20 vetë. Duhet të jetë minimumi 50 vetë. Të lexojnë e të mësojmë, jo të marrësh shqipen e Panajot Kanaçit dhe ta bësh si sorra. Është një tip tjetër figure. Mua mw vjen keq, kur ata e marrin e hapin ato thonjtë…Çfarë jemi ne përbindësha?! Ka një profil tjetër kjo figurë e shqipes, me atë vështrimin, me dorën…..e të tjera./Shqiptarja