Lejomë të të them, ashtu çiltër, thjeshtë, e bukura ime,
Se vitet kaluan dhe koha e çmendur po bëhet gri,
Lejomë të të them se po shuhen ngadalë plot kujtime,
Po shuhet afshi i ngrohtë që kam ndjerë deri tani..
Lejomë të të them se trupi po mpaket me shpejtësi,
Se gjethet e jetës zverdhur bien, qetë, mjerueshëm
Lejomë të të tregoj se xhamat kanë ngrirë gjithsesi,
Se dhomën time e ka pushtuar i ftohti i padurueshëm.
Lejomë të të them se njeriu ka një rini, nje plakje, një fund,
Kurse dashuria ka nevojë për vrull, aventura, marrëzi,
Të gjitha këto janë zbehur, hirësuar, ndonëse me mund,
Thellë-thellë në shpirt, një shkëmb malli ka mbetur tani..
Lejomë të të them, me shpresë të dhembur, e bukura ime,
Se shteret kështu edhe një oqean i thellë, një stuhi,
Veç atje, në shtratin e thellë kam pasuritë që më fale,
Kam me vete të gjitha puthjet, netët që më dhurove ti.
Lejomë të të them, ashtu çiltër, drithërueshëm, e bukura ime,
Është koha që jeta jote të bëhet më e bukur përsëri..