Nga Mirela Robo
Mësuese, më tha para pak ditësh Benarti, nxënës i klasës VI tek ” Flatrat”, Aureli, nxënësi juaj i ” Jakov Xoxës” më tha t’ ju tregoja këtë. Dhe më zgjati një etyd punuar në argjilë. A u gëzova? Më shumë se kaq. Zemra plot për të mirët, të edukuarit, të apasionuarit, të ndjeshmit, njerëzorët, qytetarët që vënë gurë themeli. Sytë tanë shohin atë që kemi brenda vetes. Dhe unë ” Jakovin” e ndaj veç. Veç një apo dy njerëzve të pamoralshëm, pa etikë profesionale e qytetare. Veç të këqijave të eksportuara nga politikat e shtrembëra të klikave e interesave të ngushta. Ata nuk përbëjnë shkollën. Shkolla janë të gjithë kontributorët që prej vitit 1966, vit i krijimit të saj, mësues, nxënës e komunitet prinderish në vite. Janë ata ish nxënës, artistë të suksesshëm sot, që në vetminë e procesit krijues gdhendin përjetësinë përmes artit, ata që rimodelojnë jetën me frymën e tyre shpalosur në skena e ekspozita, ata që zbusin me forcën e daltës, penelit, tingullit ashpërsinë e nje kohe të mbrapshtë që e njohim e jetojmë në lëkurë.
Nga komunikimi i këtyre ditëve me mësuesit e shkollës ndjehet shqetësim, shumë shqetësim, pezmatim e zemërthyerje për skandalet e abuzimit seksual që janë bërë të ditura për publikun e gjerë këto ditë shkurti. Shumë prej tyre thonë: ” Turp na vjen, shumë turp. Ne kemi fëmijët tanë, aty. Nuk na bëhet të shkelim në shkollë.” Po ashtu edhe prindër femijësh pohojnë që e kanë të vështirë të shkëpusin pjesën tjetër nga kjo baltovinë e mediatizuar tashmë. Dhe pyetja e pjesës tjetër, asaj që është jashtë shtrohet: ” Po pse nuk distancohen, si ka mundesi dy javë asnjë fjalë për këtë, as në statuset e tyre?”.
Unë, si ish- nxënëse e ish- drejtuese ndihem më shumë se keq. Si nuk e kisha vënë re? A ka ndodhur edhe vjet? A mjaftonin ato vizitat e mia të përditshme një, dy apo tre herë në godinat e arteve nga kati i parë në të tretin ku asnjë xham dere nuk lejoja të ishte i mbuluar, a mjaftonin oraret e mirëpërcaktuara e të shpallura në çdo mjedis për ta frenuar këtë? Nuk e di. Nuk kam si ta di. Dridhem nga mendimi i shëmtisë, qoftë edhe të lokalizuar, që është jetësuar në mjedisin më të pastër për imagjinatën e vlerat tona kolektive, siç është shkolla.
A ka pasur që e kanë ditur? As këtë nuk mund ta di. Por deduksionin mund ta bëjë gjithkush sipas analizës së vet, duke lexuar këto refleksione që ka ditë që i bluaj, sepse të vërteta të tilla nuk zbulohen dot katërcipërisht. Ato njohin vetëm errësirën e thellë të skutave të mjerimit të njeriut.
Veç një distancim publik i stafit duhej, duhet, është refreni që ushton me dhe nën zë. Stafi të ndjekë valën e brendshme të mospajtimit me degradimin dhe jo kohët e diktuara. Distancimi është kusht për dinjitetin e njerëzve që kanë dhënë e japin pjesën e tyre më të mirë. ” Nuk na lejojnë, thonë, na shpërndajne.” Po pse? Pse kur deklaratat nuk janë veç pohime parimesh të moralit publik të pranuara masivisht si ai i mosabuzimit me fëmijet dhe ai i mosabuzimit me detyrën?! Njerëzit përmendin koren e bukës, ndonje ka të tjera halle e në fund, ajo që duket kaq e thjeshtë, një rregull që mësohet në qytetarinë e klasës së parë, a nuk është, në fakt dukshëm, pothuaj e pamundur për këtë shoqërinë tonë të mohimit të së vërtetës në përfitim të rehatisë, përgjumjes qytetare e pandëshkueshmërisë ngritur tashmë në normë të parevokueshme? Ndryshe, si do mund të etiketoheshin aksh e aksh studentë që ushtrojnë të drejtën e fjalës së lirë si ” rrugeçër” nga eksponentë të lartë e asnjë reagim mbështetës nga të singjashëm? Se arroganca e ” eksponencës” është normë e pashkruar, por e miratuar dhe vulosur me heshtje.
E megjithatë unë them se nuk duhet shumë. Me fëmijët e tyre të mrekullueshëm në krahë, nxënës të shkollës, mësuesit të dalin e të qetësojnë prindërit me një deklaratë publike ku të thonë thjesht: ” Bravo vajzës që denoncoi për kurajon e treguar. Denoncojmë atë që ndodhi, ndjehemi përgjegjës që nuk e vumë re, turp kush e vuri re dhe e heshti, turp kush u përpoq të heshtte turpin!”
Duhet kjo, më shumë se ndrydhja e meraku për emrin e shkollës. Emri i shkollës janë këta fëmijë që e kanë zgjedhur atë. Dhe emri i shkollës nuk duhet as të na çojë në cinizmin e komenteve se hë, se ajo vajzë mund të ketë qenë pak si e lëvizur, që nuk ka munguar në opinion. Nga frika e turpi nuk duhet ta mpakim ndërgjegjen e të bëhemi palë me agresorin. Çfarë shqetësimi është ai i çuarjes së situatës në media a jo përpara abuzimit që pikë pikë gërryen psikenë e deformon botëkuptimin e të rinjve për botën, duke i ofruar një vizion të saj të ngjashëm me atë të xhunglës?! Ndaj, kujdes në retorikat e moralit shterp. Kujdes , o opinion qytetar!
Por, ndoshta tronditje të tilla i vijne njeriut, mjedisit edhe për të reflektuar thellë, për t’ i vënë gishtin kokës e për të gjetur rrugën e ngushtë e të vështirë, atë të etikës së punës, të vigjilencës, të mospranimit të të qenit i përdorur sepse ” të mirat” e të qenit një levë e sistemit janë shumë më afatshkurtra se efektet anësore që ka nga kjo shoqëria dhe vet individi.
Së fundmi, nuk është e rastësishme që njerëzit që shfaqin devijime si ato që janë evidentuar së fundmi, kanë etikë të ulët profesionale e janë më të paaftët. Ndaj, kujdes me dhënien e diplomave, kujdes me punësimet, kujdes me vlerësimet e performancave të mësuesve.
Së fundmi, përmes një hashtagu #tëmirëtjanëshumë, por nuk bëjnë zhurmë, ftoj të gjithë ish nxënës, mësues, prindër e më gjerë t’ i bashkohen denoncimit përmes promovimit të vlerave. Unë këmbëngul të them se përgjegjësia nuk i takon vetëm ” Jakov Xoxes”, siç përpiqen ta përbaltin tani edhe ata që e shndërruan atë si ndërmarrjen e Ujësjelles Kanalizimeve në Fier, ku punësoheshin të gjithë ata që partia donte e që nuk i punësonte dot kund tjeter. Përgjegjësia është e atyre dhe jona që pranuam të diktoheshim. Ndaj denoncimi është akti i përpjekjes sonë për t’ u rritur në qytetari. Distancimi është një shteg i parë që çelim për t’ ju ngjitur monopatit të vështirë, por shpërblyes të qytetarisë aktive, asaj që bën “zhurmë”, asaj që lë gjurmë.
/ ObserverKult