Poezi nga Dritëro Agolli
Dhe sikur në botë ti mos ishe,
Do jetoja si çdo gjë jeton,
Veç pa ty kjo botë do lëvizte
Siç lëviz pa ngrohje një vagon.
S’ma zëvendëson ti botën mua,
S’të zëvendëson as bota ty,
Por sa botën sigurisht të dua,
Ku jetojmë e vdesim tok të dy.
ObserverKult
*Titulli i origjinalit: “Dhe sikur”
—————————
Lexo edhe:
SHKRIMI PREKËS I VAJZËS SË DRITËRO AGOLLIT: BABUSH A MË DËGJON? BABUSH, MË KA MARRË MALLI SHUMË…
Elona Agolli ka publikuar kohë më parë një fletë ditari të datës 22 shkurt 2017 si “koncentrat dhimbje për ditënetët tejet të vështira”.
Ishte një shënim që ajo mbante pak ditë pasi humbi babanë dhe tanimë nxjerr edhe letrën që i ati, shkrimtari i njohur i ka shkruar para se të ndahej nga jeta ku i drejtohet me fjalët:
“Lonës, vajzës sime të guximshme, trime dhe të bukur në fytyrë, në zemër e në shpirt. Me këto veti, edhe unë, edhe Sadija jemi të bindur që mund të çash, aq lehtë sa ngjit shkallët”.
Shënimet me shkrimin e gjerë, me shkronja që dridhen, është një ndër kujtimet e fundit.
Vetë Elona mes të tjerash shkruan:
Në mendje e kam të stampuar shprehjen e fytyrës së babit, kur mblidhte pak buzët, çonte kokën e sytë pak lart, e sikur qante. Shprehje kur je në prag të një të qare të madhe, por përpiqesh ta mbash veten. E duke mbajtur veten, mjekra dridhet pak e po ashtu buzët. Sytë të zvogëlohen e shprehja të bëhet vajtuese. Po kuptonte i Miri im ardhjen e finishit.
Është mesnatë, dua të shoh babushin tim. Më ka marrë malli shumë. Ka dy javë e tri ditë që nuk e kam parë. Nuk e di sesi mund të jetoj pa e parë atë, pa e përkëdhelur e puthur duart.
Babush a më dëgjon? Babush, më ka marrë malli shumë.
ObserverKult