Çmimeve e dekoratave të nivelit botëror të aktores Arta Dobroshi i është shtuar edhe një tjetër. Nga e marta ajo është “Kalorëse e Arteve dhe Letrave”.
Bëhet fjalë për një nga dekoratat më të larta që e ndan shteti francez për të shpërblyer individët që janë dalluar përmes krijimtarisë së tyre, në fushën artistike ose letrare, apo përmes kontributit që ata kanë dhënë për shtrirjen dhe promovimin e artit dhe letërsisë në Francë dhe në mbarë botën.
Në një ceremoni solemne të mbajtur të mërkurën në Rezidencën e Francës në Prishtinë, aktorja nga Kosova me nam botëror e ka pranuar dekoratën e presidentit francez, Emmanuel Macron, nëpërmjet ambasadores së Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel.
Për Urdhrin që zë fill në vitin 1469, ambasadorja ka treguar se fillimisht ishte menduar që t’u jepej vetëm aristokratëve, por më vonë do të bëhej Urdhër i meritës civile për artistë, arkitektë, koleksionues e shkrimtarë, shkruan sot Koha Ditore.
“Ky Urdhër është i destinuar të shpërblejë personat sikur jeni ju, zonja Artë Dobroshi, që jeni dalluar në lëmin artistik dhe të letërsisë ose për kontributin e dhënë në realizimin e artit dhe letërsisë në Francë dhe në botë”, i është drejtuar ambasadorja aktores Dobroshi.
Ajo ka përshkruar meritat e Dobroshit që janë edhe arsye të dekorimit të saj. Ka përmendur se aktorja u lind në Prishtinë më 2 tetor 1980, dhe u rrit midis kryeqytetit të Kosovës, Tiranës dhe ShBA-së. Marie-Christine Butel ka thënë se qysh prej moshës 10-vjeçare Dobroshi ka bërë fushatë për paqen e më pas ka përjetuar luftën e si refugjate ishte angazhuar për ndërtimin e një spitali në kampin e refugjatëve në Maqedoni.
“Vullneti juaj për të ecur në hapat e aktoreve si Shirley Temple dhe të Sophie Marceau ju shpie të luani në teatër në një moshë mjaft të re. Më pas ishit regjistruar në studime për arte dramatike në Prishtinë”, ka thënë ambasadorja. Duke përshkruar biografinë e Dobroshit, ajo ka thënë se, e vërejtur nga vëllezërit Dardenne gjatë një shfaqjeje teatrale në Sarajevë, Dobroshi shkëlqeu me personazhin e Lornës në filmin madhështor “Heshtja e Lornës” më 2008, rol për të cilin ishte nominuar në Festivalin e Cannes. Kësisoj Dobroshi do të bëhej aktorja e parë nga Kosova që eci nëpër qilimin e kuq të këtij festivali.
Ambasadorja ka përmendur se aktorja më 2011 ka luajtur përkrah Isabelle Roselinit në filmin ‘3 herë në 20 vjet’ të Julia Gavras.
“Roli juaj i Verës në ‘Tri botë’ më 2012 nga Catherine Corsini jua mundësoj të jeni e nominuar për çmimin ‘Best Female Hope’ në ceremoninë ‘Oscars’ në vitin 2013”, ka thënë ambasadorja Marie-Christine Butel. Sipas saj, Dobroshi u bë pjesë e projekteve kinematografike që ishin të ndërlidhura me vlerat që i ka në zemër: paqen, lirinë e drejtësinë.
“Qytetare e tokës, siç ju keni dëshirë të ju thërrasin, ju jeni ikonë e cila bart mesazhin e shpresës, pajtimit, paqes për të rinj të vendit dhe regjionit tuaj të goditur rëndë nga konflikte vdekjeprurëse”, ka thënë ambasadorja. Dashuria e Dobroshit për të tjerët, etja për të ndarë vlerat universale dhe angazhimi qytetar, për shtetin francez janë tregues që aktorja do të ketë karrierë të gjatë e të bukur.
Pasi që ka pranuar dekoratën, aktorja Dobroshi ka falënderuar shtetin francez, ambasadoren e secilin anëtar të familjes së saj.
Ka thënë se i duket magjike që ka pranuar dekoratën dhe se ndihet vërtet e nderuar dhe e bekuar për vlerësimin e Qeverisë së Francës. Dobroshi nuk i ka mbajtur lotët gjatë fjalës së saj të shkurtër në frëngjisht e anglisht. Gjuhën frënge e kishte përvetësuar për dy muaj gjatë punës së saj për të luajtur në filmin “Heshtja e Lornës” para më shumë se një dekade.
“Ndihem e bekuar që u linda në një familje që ëndërronte dhe përcillte zemrat tona. Besoj që hareja na dërgon drejt suksesit”, ka thënë ajo, derisa si me humor ka shtuar se në ceremoni të tilla bën edhe të qajë. Ajo e ka vlerësuar lart praninë e familjareve e miqve të saj në ceremoni. Aktorja ka bërë bujë me karrierën e saj ndërkombëtare, ka shfrytëzuar rastin që të japë një mesazh.
“Mesazhi im për ju sot është: besoni në ëndrrat tuaja dhe gjithmonë përcillni atë që ju thotë zemra pasi ajo jeni ju dhe nuk ka gjë më të mirë sesa të ndiheni të plotësuar”, ka përfunduar Dobroshi.
Nderimi i Dobroshit nga shteti francez nuk ka përfunduar me kaq. Publiku vendor do të ketë rastin që të shohë pesë filma ku ka luajtur. Për nder të saj në kuadër të Javës së Frankofonisë për këtë vit, në fillim të muajit të ardhshëm në “Kino Armata” në Prishtinë do të jepen filmat: “Tri botë”, “Syri magjik”, “Drita”, “Heshtja e Lornës” dhe “I humburi”. Paraprakisht në nëntor të vitit të kaluar me urdhrin “Kalorëse e Arteve dhe Letrave” ishte nderuar regjisorja Blerta Zeqiri./koha