Alma Braja: Një grua

pike
Alma Liço

Atë ditë
vajza e historisë sime
humbi një pjesë të të quajturit të vetes
fëmijë.
Doli nga shtëpia dhe
midis një nuance të kuqeje të thellë
që i jepnin lulëkuqet
dhe një portokallie në të verdhë
që i jepte dielli
eci në botën e pashkelur më parë
nga këmbët e saj.
Një poet
duke e parë
e quajti qenien më të bukur
që ka krijuar natyra
por që nëse do të donim të kuptonim bukurinë e saj
do të duhej t’i lexonim vargjet natën
nën dritën e një qiriu.
Kështu
të njëjtit sy që e kishin parë në mëngjes
natën vonë do ta shihnin ndryshe.
Nuk do të admironin bukurinë vetvetiu.
Do ta shijonin me ëndje e nëse qiriu fikej
bukuria e zhytur tashmë thellë
nuk do të kishte të bënte më me vajzën
që duke ecur
nuk kishte dijeni për bukurinë e saj.
Kështu i tha poeti vetes:
Poezia është një grua
që ka lënë pas mosdijeninë e bukurisë së saj.