Pas dy muajsh izolimi, Kina rihap kinemanë e parë

Kinemaja “Zhongying Golden Palm” në Urumqi, i ka hapur dyert për publikun, fillimin e kësaj jave. Mësohet se kinemaja ishte mbyllur prej datës 26 janar.

Në uebfaqen zyrtare, lajmërohen të gjithë artdashësit për shfaqjen katër filmave kinezë, këta në 22 orare të ndryshme. Megjithatë, ditën e parë nuk pati asnjë të pranishëm.

“Nuk mund të rrimë të mbyllur, përgjithmonë. Gjithçka mund të bëjmë, është të bashkëpunojmë me njoftimet dhe rregullat e shtetit, duke pasur shumë kujdes. Po ashtu, në fillim do të shohim sesi po reagon publiku ndaj rihapjes së kinemasë. Nëse nuk do të ketë filma të rinj për të shfaqur, atëherë nuk ka ndonjë ndryshim nëse e mbajmë kinemanë të hapur apo jo. Për momentin, kemi vetëm këta pak filma dhe duhet të presim, për të parë nëse situata do të ndryshojë, për të publikuar projekte të reja,” – citohet të ketë thënë drejtuesi i kësaj kinemaje, për “Sohu Entertainment”.