Rexhep Hoti: Fantazma e Konicës!

U vendosen në kulluqe varg e varg,
Egërsinë e lanë roje nëpër korridor;
Shpirti i prishur me mandat u shtri mbi dekrete,
Ndëshkimet mbeten gojëkyçur në purgator!

Ata u ngritën nga ligësia,
Sheshet e dhunuara i veshën me buzëqeshje,
Si lulet e çelura,
Nëpër fronet e qeverisjes arritën më në fund
Stërnipat Barbarë!
Hodhën dhurata pa kufij për të gjymtuarit e kombit,
Për burgjet,
Për luftën
Dhe gjithçka;
Vetëm idealin ua varën në litar!

Liria e atdheut përdridhet si një prostitutë!
E kam të vështirë ta pështyj në fytyrë andej e këndej Drinave!
Stacioni i fundit i shenjtërisë është ajo!
Humbja e fundbotshme më rrjedhë e pikëlluar në dej!
Medet!
S’kam shkronja ta barttë kuptimin e fjalës mynxyrë,
Për vete,
Për popullin tim të dhjerë!

Bëhet a s’bëhet Shqipëria!?
Pyet fantazma e Konicës nëpër varre me përtesë
A të heshtëm i lumtur në botën e nëndheshme
E Zotit t’i përgjërohem në thatësinë e atomeve ku jam,
Të mos ketë gjithësia asnjë vend për mua,
Një mosqenie pafundësisht të vdes!

Prishtinë, 2020