Petrit Ruka: Atdheu u shit, ankandi u mbyll…

petrit ruka nëna
Petrit Ruka

Poezi nga Petrit Ruka

Atdheu u shit, ankandi u mbyll,
Të gjithë e dimë, po lajm nuk ka,
Miliona letra me vlerë votimi,
Tani do të bëhen thasë me para…

U vumë në radhë si mijra dele,
Kopen e ujqërve e zgjodhëm sërish,
Dhe shpresën e re në mijra blegërima
E mblodhën Ata në vatha partish.

Në vend të zinxhirëve – karta krediti,
Skllevër të lirë, me bukë e makina,
Për ankthin miliona tableta kimike
Nën bluzat firmato, zemra me vrima.

Në mbrëmje ziftin e shpirtit të plasur
Ekranet me ngjyra e bëjnë limonadë,
Të dyja palët numërojmë çdo mbrëmje
Ne parainfarktet, dhe ata… paratë.

Atdheu u shit, ankandi mbaroi,
Këtej rrjedh vreri, andej veç gaz,
I huaj po ndjehem çdo orë, këtu,
Po s’kam më fuqi, as për maraz.

Unë kam fuqi veç për këtë këngë,
Me të cilën ata do qeshin me lot,
Do thonë; “..po ky si s’vuri pak mend
Poet i mirë, po mbeti idiot…”

ObserverKult

Të tjera nga Petrit Ruka:

PETRIT RUKA: TANI NUK DI Ç’TË BËJ ME TY
PETRIT RUKA: NË TË BËFSHA NJË LIBËR DASHURIE

Lexo edhe:

Pashko Vasa: O moj Shqypni

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.

Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.

Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.

Poezinë e plotë e gjeni KETU

ObserverKult