Uff, çfarë kohe, çfarë ditësh erdhën. E mbyllur mureve të shtëpisë thërrmijat e kësaj tragjedie mbijnë si këpurdha lajmeve të vendit e botës dhe pas koke m’janë ngjit’ fort, sa tëmthat po m’plasin.
Ditët e mia po i laj, i shplaj, i nder, i ter e prap i laj-shplaj. Ditët bashkë me teshat n’ujë sapuni po i blujm’!
Jemi ngujuar prej ditësh se mos ia beh qofëtlargu… Bukën e blejm’ me orar, ujin me orar edhe diellin me orar.
Nga i mbiu dheut ky soj armiku fantazmë, që si mola po i ha njerëzit e jetët?!!
Uff, jemi mbledh gërmuq, vetëmbyllur…
Bota u bë një grusht!
Një Zot e di, ç’gangsterë manjakë e pollën e këtë mostrën Covid 19.
Mos prek, thonë mos u afro, se të lëpihet duarve e pastaj merr rrugët e botës dhe kapardiset, zgërdheshet mbi trupa.
E shkreta botë kësaj kohe dehet nga e lara, e mira botë lutet: hej, njerëz mos dilni, mos u afroni, bëni kujdes , njeriu për njeriun është kthyer n’rrezik!
Oh ç’kohë tmerri po jetojmë !
Por…Bota do ta kalojë dhe këtë tmerr 19.
Prapë do të nisë udhëve t’rrjedhë jeta. Kudo ne bijtë e këtij shekulli do të takohemi, afrohemi, dashurojmë, jetojmë!
Makthi 19 do të mbarojë!!!/ ObserverKult