
Ajo është një zonjë 92 vjeçe.
Me të shënuar akrepat e orës 08.00 ajo veshi rrobat e saj, krehu flokët, vuri makiazh dhe krem në fytyrë pastaj u nis. Kishte vendosur t’i kalojë ditët e fundit të jetës në azil.
Buzëqeshi plot dashuri kur i treguan se dhoma e saj ishte gati. Teksa tërhiqte këmbët zvarrë drejt ashensorit, filloi t’i përshkruajë vetes dhomën e vogël që e priste.
Mandej, me zë tha: ”Më pëlqen dhoma!”
Punonjësja që e shoqëronte, e habitur i tha: ”Po ju nuk e keni parë akoma!”
Zonja e moshuar iu përgjigj: ”Kjo s’ka lidhje fare. Lumturia është diçka që unë vendos ta kem paraprakisht. Lumturia është e brendshme, s’ka të bëjë nëse më pëlqen apo jo dhoma, nëse më pëlqejnë apo jo mobiljet. Lumturia është diçka që ka të bëjë me mënyrën si e sistemoj unë veten dhe mendjen time. Unë kam vendosur ta dua atë dhomë. Vendimi për të qenë e lumtur është një vendim që e marr çdo ditë në mëngjes, sa zgjohem nga krevati dhe çështë më e rëndësishmja, kur kam disa opsione për të zgjedhur. P.sh: T’i dorëzohem krevatit dhe të rri shtrirë gjithë ditën, duke sjellë ndërmend vështirësitë e hallet e pleqërisë, ose duke u ngritur nga shtrati, duke falënderuar Zotin për mirësitë e dhëna, si drita e syve, aftësia për të lëvizur etj… Përderisa kam dritën e syve dhe arrij të lëviz, do bëj çmos t’i dhuroj vetes një ditë të lumtur.
Pleqëria është si një llogari bankare dhe prej saj mund të tërheqësh çfarë ke depozituar më parë, prandaj, e kemi detyrë ta mbushim llogarinë tonë bankare të lumturisë me kujtime të lumtura.
Në fund, duke buzëqeshur shtoi: Kiji parasysh pesë rregullat e thjeshta që mua më kanë bërë të lumtur:
– Çliroje zemrën tënde nga urrejtja
– Çliroje mendjen tënde nga mendimet që të brengosin
– Jeto thjeshtë
– Jep më shumë dhe prit më pak!
– Shijoje çdo çast!
(Përktheu: Elmaz Fida)
ObserverKult
Lexo edhe:
DITA E PESTË E FESTIVALIT POETIK TË PRISHTINËS I KUSHTOHET TËRËSISHT POETËVE TË RINJ
DITA E TRETË E FESTIVALIT POETIK TË PRISHTINËS/ POEZI, KRITIKË , DEBAT E MUZIKË…
DITA E DYTË E FESTIVALIT POETIK TË PRISHTINËS/ PROMOVIM LIBRI, DEBAT TEMATIK, TAKIME POETIKE…
DITA E PARË E FESTIVALIT POETIK TË PRISHTINËS I KUSHTOHET LETËRSISË SHQIPE NË MAQEDONI